Agim Mehqemeja: Bestytni dhe gojëdhëna rreth malit të Tomorit
Agim Mehqemeja*)
Prof. Agim Mehqemeja ishte një ndër personalitetet kulturore të rralla të qytetit të Beratit: mësues, metodist, gazetar, kryeredaktor gazete, studiues, poet, shkrimtar që gjithë jetën e tij ia kushtoi punës së palodhur për nxjerrjen në pah të vlerave kulturore, njerëzore dhe shpirtërore jo vetëm të Beratit, por edhe më gjerë.
Ai qe një qytetar i vërtetë, model i qytetarit të angazhuar dhe intelektualit me vlera të larta njerëzore dhe shpirtërore.
Karakterizohej nga një skrupulozitet i admirueshëm, metodikë e saktë dhe nga një përgjegjshmëri e lartë intelektuale.
Ka lënë pas një një thesar të tërë veprash letrare, historike dhe shkencore.
Thonë se një plakë nje herë moti kulloste në majë të Tomorit një dhi dhe një kec. Kur dolën në një ditë dimri, ngrinë dhe u bënë gur. Shkëmbi ku duken të gdhendur plaka, dhia dhe keci ndodhet në një vend të pacaktuar mbi kulmin për së gjati të Tomorit.
***
Në Tomor një herë moti rrinin tri motrat e Dhodhonit, të cilat, mbretërit e vjetër i pyesnin për fatin e tyre dhe të mbretërive. Faltorja e Dodonës Pellazgjike ndodhet në Tomor.
* Në Tomor jetojnë të Mirat. Populli i quan “mjaltë e qumësht”. Në rast sëmundjeje, gratë që quhen në popull magjesha, vënë në gjethe hardhie ose lojfate pak mjaltë të pangrohur me besimin se, po të jetë trazuar, të Mirat që kanë kapur ose kanë shkelur të sëmurin, largohen dhe i sëmuri shërohet.
Në të kundërtën, ato janë zemëruar dhe i sëmuri vuan ose mund të vdesë. Gratë e kanë si gjë të shenjtë mjaltin e pangrohur.
Shenjtëria e tij respektohet aq tepër, sa që kur të hahet, duhet të jetë i pastër, ndryshe është frikë e shkeljes. Ky respekt rrënjën e ka prej besimit pagan se mjalti natyror dhe i pangrohur është ushqim i të Mirave.
* Tomori kohë me kohë e rrallë gjëmon me një krismë të tmerrshme topi, që përsëritet shumë herë. Ky gjëmim ndihet edhe në të kthjellët. Besohet se Tomori ka lidhje nën dhe me Vezuvin. Thuhet se kur Vezuvi vepron, Tomori zbraz topin.
* Besohet se Tomori është mali më plak i Shqipërisë. Më parë lindi ai e pastaj të tjerët.
* Thonë se bletët nëpër shkëmbinjtë e Tomorit bëjnë shumë mjaltë. Po atë nuk e merr dot njeri nga frika e shkeljes dhe e vdekjes prej të Mirave të malit. Ato ushqehen me këtë mjaltë dhe e zënë me gurë atë që vete për ta marrë.
* Në faqe të Tomorit, mbi Lybeshë, midis shkëmbinjëve, brenda në një shpellë, besohet se është një mollë që askush s’i afrohet nga frika e shkeljes dhe e vdekjes, se e ruajnë të Mirat.
* Besohet se të Mirat rrinë lart në Tomor dhe xhindet nëpër përrenj e pranë ujërave.
* Kur mbi mal fryn erë e madhe, thuhet se ai është i zemeruar, ngaqë njerëzit janë bërë gjynahqarë.
Përrallë dimri
Tri motra u nisën për në malin e shenjtë të Tomorit që të kërkonin fatin e tyre tek tri plakat fatrrëfenjëse, që jetonin në faltoren e vjetër të atij mali.
*
Shkuan tek plaka e parë.
Pritën nën hijen e arrës së saj dhe pinë ujë në burimin që dilte nën hijen e asaj arre.
Kur zbriti plaka nga mali, i pa dhe u tha:
“Keni bërë gabim!
Para se të zbrisja unë nga mali, nuk duhej të më kishit pritur nën hijen e arrës sime dhe nuk duhej të kishit pirë ujë në burimin tim që del nën hijen e asaj arre.
Jeta juaj ka për të qenë hijerëndë!
Hija juaj ka për të qenë hijerëndë!
Fjala juaj ka për të qenë hijerëndë!
Prandaj dhe njerëzit do t’ju rrinë larg…”
*
Shkuan tek plaka e dytë për të kërkuar një fat më të mirë.
Pritën larg hijes së pishës së saj dhe nuk pinë ujë në burimin që dilte nën hijen e asaj pishe.
Kur zbriti plaka nga mali, i pa dhe u tha:
“Keni bërë gabim!
Para se të zbrisja unë nga mali, duhej të më kishit pritur nën e pishës sime dhe të kishit pirë ujë në burimin tim që del nën hijen e asaj pishe.
Jeta juaj ka për të qenë e njëjtë!
Hija juaj ka për të qenë e njëjtë!
Fjala juaj ka për të qenë e njëjtë!
Prandaj dhe njerëzit do t’ju rrinë larg…”
*
Shkuan tek plaka e tretë për të gjetur një fat më të mirë.
Pritën nën hijen e lisit të saj dhe nuk pine ujë në burimin që dilte nën hijen e atij lisi.
Kur zbriti plaka nga mali, i pa dhe u tha:
“Keni bërë gabim!
Para se të zbrisja unë nga mali, nuk duhej të më kishit pritur nën hijen e lisit tim, por duhej të kishit pirë ujë në burimin tim që del nën hijen e atij lisi.
Jeta juaj ka për të qenë e mjerë!
Hija juaj ka për të qenë e mjerë!
Fjala juaj ka për të qenë e mjerë!
Prandaj dhe njerëzit do t’ju rrinë larg…”
*
Të tri motrat, sa rrojtën, patën po atë fat që u parathanë të tri plakat e malit të shenjtë të Tomorit.
*) Shkëputur nga libri “Nyja tri”
Postim i Ajet Nallbanit në Web-et e tij