
Ali Jaupi: Shtëpia e gjyshërve, nostalgji dhe mall
Ali Jaupi
Derë e braktisur. Është më mirë të të lënë sesa mos të të duan kurrë, ndërsa ikim duke menduar të bëhemi yll në Perëndim.
Ndjek rubrikën tënde në FB të përditshme “Ditë e re, nafakë e re”, me ngacmime dhe kujtime nostaligjike prekëse.
Sot në “Nafakën…” tuaj të re, i dashur Zylyftar,shikoj se ëndërrimet e kësaj dere nuk janë braktisur. Kjo foto e kësaj porte të vjetër, ku çelësi e ruan me të kuqen e dashurisë, më kujton një nga momentet më të trishtueshme të jetës sonë, kur dera e shtëpisë së gjyshërve mbyllet përgjithmonë.
Sapo të mbyllet ajo derë nuk do të ketë më pasdite të lumtur me xhaxhallarët, kushërinjtë, nipërit, prindërit, vëllezërit dhe motrat.
E mbani mend?
Nuk ishte e nevojshme të shkonim tjeterkund të dielave. Shkohej te shtëpia e gjyshërve. Tavolina ishte shumë e gjatë dhe ishte vendosur në dhomën më të madhe.
Tani shtëpia është e mbyllur dhe vetëm pluhuri ka mbetur. Një tabelë për shitje qëndron në hyrje. Por, askush nuk e dëshiron atë shtëpi. Eshte e vjetër. Duhet të restaurohet. Kushton shumë. Shumë, sepse ti e di se sa vlen shtëpia e gjyshërve.
Shtëpia e gjyshërve nuk ka vlerë që mund të matet.
Eh…dhe kështu vitet kalojnë. Nuk ka më dhurata për t’u hapur atje, patate të skuqura, byreku me perime…
Kur shtëpia e gjyshërve mbyllet, e gjejmë veten të rritur pa e kuptuar se kur ndaluam së qënuri fëmijë. Sigurisht, që, për gjyshërit, do të ishim dhe jemi gjithmonë të vegjël dhe të pambrojtur.
Gjithmonë. Gjyshërit gjithmonë e kishin qumështin, kakaon gati, ushqimin, pijet, ëmbëlsirat.
Pastaj gjithçka mbaron. Nuk ka më këngë. Patatet e skuqura nuk janë më njësoj në shije. Gjyshja nuk do t’i skuqë më dhe unë nuk do të mund “t’i vjedh” nga kusia.
Se mu kujtua:
kur i bija ziles së shtëpisë, dhe gjyshja që thoshtete me zë të lartë “Priiit se dola, erdha”!…
Më fal, gjyshe, nuk do t’i bie më ziles.
Ose, kur ti bie, gjithmonë do mendoj për ju.
Ehhh…u larguat shumë shpejt.
Por, shumë faleminderit për mësimet që na dhatë mbi jetën.
Më merr malli shumë!
Normandi, 20 qershor 2025