
Ali Omeri, nuk harrohen burrat si ai
Ilmi S. Qazimi
Ka 8 vjet që Ali Omeri ka ndërruar jetë, por nuk e kam harruar kurrë atë burrë aq të mirë, aq të mençur, aq të drejtë dhe aq të qeshur. Rrinte me “pleqtë” e ardhur rishtas nga Skrapari në Tiranë në disa lokale të qendrës, te lokali i Driteroit pranë Komitetit të Veteranëve, te lokali i Partisë Socialiste, te Teatri i Kukullave, te Teatri i Operas dhe Baletit, mbrapa “Vjosës” etj.
Ndërronin shpesh vend, pasi ndonjë kamerier apo banakier ua bënte borxh, zihej me ta se rrinin gjatë në lokal dhe u zinte vendin klientëve të tjerë. Të nesërmen, pasi e kishin sharë e s’i kishin lënë gjë pa thënë kamerierit, i gjeje në lokalin tjetër dhe nuk vinin këmbë më aty.
Kasetën e këtij incizimi, të bërë më 14 gusht 2013, e gjeta mes rraqesh të tjera në fund të një sirtari.
U gëzova kur e pashë. E “zbardha” dhe po i a dërgoj “Orakujve të Tomorrit”, si një homazh nderimi për këtë njeri të mirë me gjurmë të thella kujtimesh.
Incizimi:
Kam lindur më 15 qershor 1935 në Potom. Fisi ynë e ka prejardhjen nga Frashëri i Përmetit.
Babanë deshën të ma vrisnin pabesisht, por ai i shpëtoi kurthit dhe e vrau të pabesin më parë…
Ndaj mua më dërguan në Kapinovë te dajot, ku u rrita, kreva shkollën shtatëvjeçare (se të mesmen e bëra më vonë në Tiranë) dhe nisa të mendoja si i ri që doja të jetoja më mirë.
Gjyshi im quhej Ali Omeri dhe kish shkuar në Stamboll me të dy djemtë. Atje u punësuan
të tre. U lidhën me shumë shqiptarë që kishin shkuar në kurbet atje. Mustafanë, tim atë, gjyshi
më pas e futi në shkollë tregtare. Ata të tre e ruanin trimërinë, shqiptarizmin dhe dashurinë
për vendin.
Kur mbaroi shkollën donte t’i gjente djalit ndonjë punë. Naim Beu, i paskësh thënë
një ditë: “Ali, pse je mërzitur? Djalin do të ta rregulloj unë. Do ta shpiem në Amerikë dhe atje
do të njihet me ata të shoqatës “Vatra”, ka për të pasur mbrothtësi”.
Muçua shkoi në Detroit, ku, me punë të rëndë, me djersë e mundim arriti të ecte në një biznes
tregtar për të cilin kish bërë edhe shkollën. Ndërtoi një bar-hotel-restorant me emër në Detroit.
U bë vëllamë me Mahmut Zaloshnjen.
Muçua ishte një aktivist i njohur në degën e Detroitit të shoqatës “Vatra” që ngriti Fan Noli në Boston. Bëri pará të madhe dhe në tipin e tij ishte shumë bamirës.
Dha kontribut financiar dhe atdhetar për ecurinë e asaj shoqërie atje. Pas disa vjetësh që kish vënë pasuri,vendosi që të vijë në truallin e tij ku kish lindur, në Potom. Sa erdhi, ndërtoi Teqenë e Backës, bleu 37 dynym tokë, hapi dyqan në Backë, punësoi gjashtë vetë dhe bëri prokopi të mirë.
Atë kohë edhe nëpunësit e administratës shtetërore (ishte regjimi i Ahmet Zogut) paguheshin nga tregtarët. Kështu bënte edhe Mustafai, im atë. Ishte i kamur, por ishte mbi të gjitha njeri që dinte t’u bënte mirë njerëzve. Edhe pas vdekjes së tij erdhën disa të holla nga dega e shoqatës “Vatra”, që shteti i asaj kohe na i jepte këtu në Shqipëri të reduktuara.
Ai hodhi 100 napolona kur lindi Hekuran Sanxhaku në Vlushë. E sa raste të tjera të tilla që ka bërë ai. Shtëpi të madhe pati në Detroit, dhe trekatëshe e ndërtoi në Potom. Trekatëshe e ndërtova edhe unë këtu në Yzberish.
Ai ishte atdhetar që e donte Shqipërinë, ishte njeri me kulturë dhe fliste disa gjuhë të huaja (turqisht, osmanisht, greqisht, frëngjisht dhe anglisht).
Mirëpo smira, dashakeqësia e ndokujt bëri që dikush, i yshtur t’i zërë pritë për ta vrarë. Jo vetëm
që nuk e vranë dot, por mbeti prej tyre një i vdekur.
Muçon e dënuan tre vjet dhe bëri një vit e gjysëm burg në Berat. Njerëzit e mirë e këshilluan që pas lirimit të qendronte në Berat; ai kërkoi të shkonte në Kapinovë. I bëri dikush një pritë, dhe vrasësi me pagesë së toku me njerëzit e tij pa din e iman, bëri punën e vet: vrau babanë tim vet i tretë. Unë mbaj emrin e gjyshit dhe një prej fëmijve të mi i kam vënë emrin e babait.
Nuk e lëmë emrin e trimit që të harrohet.
***
Në vitin 1958, pasi kisha mbaruar edhe ushtrinë, kam ikur pa lejë partie nga Potomi në Tiranë; atëhere kërkoheshin forca pune nga fshati për të ndërtuar fermat e para bujqësore shtetërore. Lëvizja miratohej nga rrethi. Se unë kisha qënë i angazhuar me rininë komuniste qysh i vogël, sekretar i organizatës në Potom, ndaj për punë të mirë në bujqësi e në organizëtën e rinisë në vitin 1953 u pranova anëtar partie.
Isha në Potom atëhere. Ishte shuar edhe problemi i hasmërisë. Vendosa që të shkoja në Tiranë në fermën bujqësore që po krijohej aty atë kohë. Mirëpo duhej lejë shtetërore dhe lejë nga partia. Unë ika, siç thashë, pa lejë. Këta që ishin në Tiranë nuk e dinin që unë isha anëtar partie, ndaj kërkonin flet-lidhjen.
Një letër e Teki Malindit (atë kohë instruktor në KQ të PPSH) për Elmaz Temen që ishte sekretar i parë i Partisë për Skraparin, dhe unë do të kthehesha prapë në Potom. Mirëpo te dera e komitetit të Partisë rrethit takova mikun tim të aksioneve, Yzedin Bashon.
Për të do flas prapë por dua të them se ishte burrë e nuk ia bënte tërr syri. Ai e grisi letrën dhe nuk ia dha fare e as i tha gjë Elmazit. Mirëpo ky e dinte problemin tim dhe mua më priste masa përjshatim nga radhët e partisë.
Yzedini, që atëkohë punonte aty në Komitet të rrethit, ua mbushi mendjen shokëve të Byrosë Partisë së rrethit se “Aliu ishte aktivist i orëve të para e i duhej partisë se ishte shumë i ndershëm dhe puntor, dhe shkelje nuk ka bërë se edhe atje në bujqësi po shkon të punojë”. Mbeti Elmazi me një votë dhe unë fitova të drejtën për të ardhur në Tiranë, në Yzberish, me një vrejtje të rëndë në kartën e regjistrimit dhe detyrohesha të punoja katër vjet punëtor i thjeshtë në fermë.
Mbasi mora këtë të drejtë, e mora dosjen dorazi dhe e solla në komitetin e partisë së rrethit Tiranë; para se të përcillesha ua thashë atyre të byrosë atje në Çorovodë, se nuk do punoj as katër ditë puntor se unë jam caktuar normist e brigadier dhe ata më duan se kanë nevojë për njerëz puntorë e organizatorë… “Kështu që unë, si anëtar i kooperativës bujqësore Yzberish, isha edhe një nga themeluesit e fermës bujqësore “Vilhelm Pik” në Tiranë.
***
Në vitin 1968 iu përgjigja thirrjes së partisë për të shërbyer në ushtri. U vesha oficer dhe punova tetë vjet në regjimentin e Ndroqit. Pastaj tetë vjet në brigadën e Mëzezit me detyrën e shefit të prapavijës. Më pas më caktuan shef të ekspeditës në ministri. Kërkova që të mbuloja xhenjon.
Ndërkohë fëmijët, dy djem e një vajzë u rritën, gruaja, e ndjera Sofie, e bija e Sabri Mekollarit nga Qafa, u nda nga jeta shpejt. Më preu krahët, por shyqyr zotit, kam fëmijët, Fatosin, Mustafanë, Mirandën, nuset e djemve dhe nipër e mbesa plot. Motra ime, Zyra, është martuar në Vlushë me Haki Sanxhakun.
Tani atje në Potom kemi njerëzit tanë të një fisi. Edhe pronat që mbajnë emrin e Mustafa Omerit. Kryetari i komunës, Edmondi është nga fisi ynë, është nip tek ne. Ai ka punuar goxha për ecurinë e fshatit megjithëse është një zonë tepër e thellë. Nga fisi ynë kanë dalë shumë kuadro të lartë e oficerë, por dua të përmend doktorin e shkencave, Dalan Omeri, që tani është në Itali. Është oficer me shumë kulturë dhe njohuri shkencore në fushën ushtarake, sidomos atë të ndëridhjes, ku ka marrë edhe gradën shkencore, doktor i shkencave. Është i pari oficer që ngriti repartin ne Çukën e Tomorrit.