Ali Riza Kolonja, ushtaraku i lartë që s’vuri re grada e ofiqe, por punoi në disa ushtri si mëditës
Zylyftar Hoxha
Një ditë, rastësisht, në FB pash një foto, postim të Elvira Kolonjës, stërmbesës së Ali Riza Kolonjës, një emër ushtaraku shumë i njohur për shqiptarët e kohës mes dy luftërave botërore.
Për të plotësuar Elvirën po anuncoj edhe unë një shkrim që e kam bërë për këtë figurë të paktën nja dhjetë vjet më parë, një shkrim historik që besoj se nuk i ka humbur vlerat…
***
Edhe pse zonës ku ishin kazermat më të mëdha ushtarake në Tiranë në periudhën komuniste i ishte ndërruar emri, nga Kazermat e Ali Rizait, në Qyteti i Nxënësve, përsëri qytetarët e thjeshtë përdornin emrin e parë “Kazermat e Ali Rizait”.
Po të pyesje pse ky emër, vetëm të vjetrit e lidhnin me një udhëheqës ushtarak me emrin Ali Rizai që kishte komanduar dikur aty.
E vërteta është se megjithëse në arkiva do të ketë me siguri dokumente për të, pasi ka vepruar në periudhat më të nxehta të historisë së Shqipërisë, nga Shpallja e Pavarësisë deri në vitin 1925, përsëri, përveç një libri të dr.shk. Vangjel Kasapi, i mirë, por jo shterues, pak të tjerë janë marrë me këtë figurë interesante.
Është për t’u vënë në dukje dhe përgëzuar, që edhe me atë pak njohje, Presidenti Republikës, në dhjetor 2009, i jep gjeneral Ali Riza Kolonjës medaljen “Për Shërbime të Shquara”, me motivacion: “Për merita të shquara në ringritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe për mbrojtjen e kufijve shtetërorë”; ndërsa një rrugë në Tiranë mban emrin e tij.
Duhet thënë se ai është diplomuar në dy shkolla ushtarake në Stamboll.
Me Ismail Qemalin
Pas përfundimit të Akademisë së Shtatëmadhorisë në Gjermani, ishte një oficer i ushtrisë turke, ku drejtoi me profesionalizëm të lartë, ndaj dhe brenda një dhjetëvjeçari mori gradën e gjeneralit (ndonjë herë e thërrisnin edhe pasha).
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e gjeti komandant divizioni, drejtues të veprimeve luftarake në luftërat e fundit që po zhvillonte Turqia në Ballkan, kundër serbëve në veri, grekëve në jug dhe Italisë në perëndim.
Në bazë të marrëveshjes së fshehtë që bëri Ismail Qemali për bashkëpunim me Turqinë, pas së cilës ai u imponua nga fuqitë e mëdha të jepte dorëheqjen, në Vlorë zbarkoi një vapor me ushtarë dhe oficerë turq me origjinë shqiptare, të cilët u izoluan.
Po në këtë kuadër, Ali Riza Kolonja i përgjigjet ftesës së Ismail Qemalit dhe vjen nga Janina duke iu bashkangjitur me një grup ushtarësh dhe oficerësh me origjinë shqiptare ushtrisë së parë shqiptare të Ali Pashë Dërhallës. Kompromisi politik i udheheqjes shqiptare me Turqinë, dhe raportet e ndërsjellta shqiptare-turke, tani si aleat dhe jo si kundërshtare, çonin pa dyshim në konkretizime ushtarake.
Me Komisionin e Vendosjes së kufijve
Ali Rizai u bë një nga komandantët më të zotë të kësaj ushtrie. Ligji shqiptar në ato vite nuk parashikonte gradë më të lartë se ajo e kolonelit, por Ali Rizait përjashtimisht i ishte njohur grada e gjeneralit (pashait) që kish pasur në ushtrinë turke, ne shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj shërbimeve të çmuara që i kish bërë vendit të tij ky burrë i nderuar.
Gjatë Luftës së Parë Botërore ai, si një udhëheqës i njohur i lartë ushtarak, u rekrutua nga Fuqitë e Mëdha në detyrën për mbrojtjen e delegacionit të vendosjes së kufijëve në vitin 1913.
Ai vazhdoi të mbetej i mobilizuar edhe gjatë Luftës I Botërore, duke komanduar reparte të ndryshme që luftonin në mbështetje të trupave austro-hungareze.
Me francezët në Korçë
Veçanërisht ai fitoi famë në radhët e reparteve shqiptare të inkuadruara në “Armee de l’Orient”, gjatë ekzistencës së Krahinës Autonome të Korçës, në vitet 1916-1918.
Në vitin 1920, në Kongresin e Lushnjes u zgjodh anëtar i kabinetit qeveritar të Sulejman Delvinës, me detyrën e ministrit të Luftës dhe kryetarit të Shtatmadhorisë deri në vitin 1922.
Gjatë kësaj kohe ai kryen operacione të mëdha për shtypjen e kryengritjes së Mirditës si dhe ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin e Kufijve në vitin 1922-1923 me gjeneralin italaian Telini, i cili u vra pabesisht nga grekët.
Ministër i Zogut në Beograd
Në vitet 1924-1925, ai ishte ministër i Qeverisë së Zogut në në Beograd.
Më 13 dhjetor 1924, pavarësisht se ishte ministër i Zogut, lajmëroi Tiranën se Zogu ishte gati të sulmonte Shqipërinë nga Prizreni me forcat ushtarake të Jugosllavisë dhe biellogardistët e paguar nga ai.
Më pas, për shkak edhe të moshës, por edhe se Zogu nuk ia fali atë që bëri me Nolin, veprimtaria e tij zbehet, deri sa në vitin 1928 vdes në Tiranë.
Shënim:
Fotoja e ështe bërë në Beograd