
Ali Sami Jen, i biri i Sami Frashërit, “Ataturku”…i sportit turk
Zylyftar Hoxha
Një pjesë e mirë e pinjojve të derës së madhe të Frashërllinjve, jo në lartësinë dhe bujën e etërve të tyre, të cilën ua dha momenti historik për të qenë memoria dhe promotorët e kombit shqiptar, ecën në gjurmët e të parëve të tyre, duke u marrë me veprimtari politike, me letërsi, art dhe kulturë, si fjala vjen, djali i Abdyl Frashërit, Mit’hat Frashëri, nipi i Abdylit, Mehdi Frashëri, nipi tjetër i frashërllinjve Skënder Luarasi etj., ndërsa një pjesë tjetër, pa zhurmë e bujë, pa u mburrur me bëmat e baballarëve vazhduan të qetë rrugën e tyre.
Askujt nuk do t’ia merrte mëndja se njëri nga këta pinjoj, dhe pikërisht djali i dietarit të madh, Sami Frashëri, Ali Frashëri, do të shkelte dhe do të bënte emër në një fushë të çuditshme, disi larg asaj të të atit, në sport, në futboll.
Ai do të shkëlqente dhe do të mbetej në historinë e sportit turk si një nga figurat më të larta të sportit, si themelues dhe organizator i talentuar dhe kur, në atë kohë kur Perandorisë Osmane po i rrëshqisnin këmbët dhe për Turqinë po vinte nje erë e re ndryshimesh perëndimore.
Themeluesi i sporteve turke
Në enciklopedinë turke shkruhet se ai ishte i biri i Shemshedin Sami Frashërit, intelektualit më të shquar dhe më të lavdishëm të Perandorisë Osmane, me origjinë nga Janina e Shqipërisë. Familja e Frashërllinjve, thuhet më tej në këtë enciklpedi, ka dhënë kontribut të madh për Turqinë, por edhe për Shqipërinë në fushat politike, shoqërore dhe kulturore. Ata të gjithë janë gjeni të respektueshëm në të dy vendet.
Ali Sami Frashëri ndoqi rrugën e babait dhe xhaxhallarëve të tij, që të gjithë ishin njerëz të moralshëm, intelektualë të shquar dhe shumë vizionarë. Në enciklopedinë turke ai ka një vend të vetin të merituar, me një numër të madh veprimtarish organizative, në radhë të parë, krijimin e një prej klubeve më të mëdhenj sportiv që vazhdon edhe sot pas 100 e ca vjetëve, Gallatasarain e famshëm të Stambollit.
Ali Sami Frashëri ka lindur më 20 mars 1886, në Kandili të Stambollit, dhe ka vdekur më 20 korrik 1951. Ai nuk ishte një sportist i thjeshtë, por një personalitet i lartë historik i sportit në Turqi që bëri famë në këtë fushë, por edhe që i dha emër Turqisë në takimet futbollistike botërore me klube të fuqishëm si FC Barcelona, FC Real Madrid, Ac Milan, Manchester United etj.
Galatasarai tani quhet “Ali Sami Yen”
Siç thamë ai në vitin 1905 krijoi klubin futbollistik Sport Klub “Galatasarai” dhe ishte president i parë për 13 vjet rresht, nga 1905-1918. Pastaj përsëri për pak kohë mori në dorë klubin në vitin 1925. Ishte trajner i parë i ekipit të futbollit në mes viteve 1905-1908. President i Komitetit Olimpik nga viti 1926-1931.
Në vitin 1910 themelon Muzeun e Madh të Sporteve në Stamboll. Veç sportit të futbollit, ai u bë iniciatori i parë i krijimit të klubeve sportive si të basketbollit, hendbollit, volejbollit, notit, hipizmit etj.
Në kohën kur luajti Ali Sami Frashëri futboll kapaciteti i shkallëve të stadiumit ishte rreth 20.000 mijë vendesh, kurse sot ka mbi 60.000 mijë ulëse. Ky stadium sot është një objekt modern sportiv nga më mirët në Evropë. Në nder të tij para katër vjetësh, në vitin 2007, kompleksit të madh dhe qendrës tregtare të “Gallatasarayt” i udha emri “Ali Sami Yen”. Emrin e tij e mban edhe një nga rrugët kryesore të Stambollit.
Iluminist si paraardhësit e tij
Është koencidencë e çuditshme, ndërsa në Shqipëri, në bazë të platformës dhe ideve të të atit dhe të xhaxhallarëve të tij, luftohej për alfabetin shqip, për hapjen e shkollave shqipe dhe përgatitej shkëputja nga Turqia, nga ana tjetër, në Turqi, Aliu luftonte po për prosperitetin e zhvillimin e një vendi, që për të e familjen ishte bërë atdheu i dytë, Turqinë, për ta nxjerrë atë nga obskurantizmi shumëshekullor mesjetar në dritën e zhvillimit kapitalist.
Ndërsa këtu, në dheun e të parëve të tij, hapeshin shkolla për mësimin e gjuhës shqipe, që turku e kish ndaluar prej shekujsh, atje ai ngrinte institucione të rëndësishme për zhvillimin civil e shoqëror të një populli që kishte vuajtur jo pak nën sundimin e sulltanëve fanatikë.
Simbolet tona kombëtare në uniformën e klubit turk
Në fillimet e tij, atëherë kur edhe e themeloi, klubi sportiv të Galatsarait fanelat i kishte me ngjyrat e flamurit shqiptar, kuq e zi, në anën e majtë si emblemë kishte shqiponjën dykrerëshe, që sombolizonte edhe vetë origjinën e Ali Sami Frashërit. Por me kalimin e kohës u bënë ndryshime, fanelat u bënë me simbole të tjera përfaqësuese turke, verdhë e kuq, që edhe sot e kësaj dite i bart SK Gallatsarai.
CORRICULUM VITAE
Ali Sami Yen (Frashëri)
Ali Sami Frashëri ka lindur më 20 mars 1886, në Kandili të Stambollit. Gjatë zhvillimit të shkollës së mesme bashkë me disa shokë krijuan një klub futbolli. Qëllimi ishte që të krijohej një ekip serioz siç e kishte Anglia. Ekipi të ndeshej brenda dhe jashtë vendit dhe të përfaqësonte Turqinë, të kishte një emër dhe ngyrat e tij.
Klubi u krijua në vitin 1905 në Gallatasarai pranë disa kazermave ushtarake. Ai funksionoi, u rrit dhe u zhvillua, por s’kishte ligje për t’u rregistruar zyrtarsisht. Ligji doli vetëm në vitin 1912.
Aliu ishte president i parë i sport klub Gallatasarai për 13 vjet rresht, nga 1905-1918. Pastaj përsëri për pak kohë mori në dorë klubin në vitin 1925. Ishte trajner i parë i ekipit të futbollit në mes viteve 1905-1908. President i Komitetit Olimpik nga viti 1926-1931. Në vitin 1910 themelon Muzeun e Madh të Sporteve në Stamboll. Veç sportit të futbollit, ai u bë iniciatori i parë i krijimit të klubeve sportive si të basketbollit, hendbollit, volejbollit, notit, hipizmit etj.
Vdiq më 20 korrik 1951.
Si president dhe themeluesi i parë i Gallatasarat, stadiumit të vendosur në qendër të Stambollit, në Mecidiyeköy në vitin 2007 iu dha emri i Sami Ali Yen.