Ali Sami Yen, i biri i rilindësit të shquar Sami Frashëri, themelues i sporteve turke

Ali Sami Yen, i biri i rilindësit të shquar Sami Frashëri, themelues i sporteve turke

29 korrik 1951 – Vdiq Ali Sami Yen, themelues i sportit turk dhe i klubit të Gallatasarait

 

Zylyftar HOXHA

 

Askujt nuk do t’ia merrte mëndja se njëri nga këta pinjoj, dhe pikërisht djali i dijetarit të madh, Sami Frashëri, Ali Frashëri, do të shkelte dhe do të bënte emër në një fushë të çuditshme, disi larg asaj të të atit, në sport, në futboll.

 

 

Ai do të shkëlqente dhe do të mbetej në historinë e sportit turk si një nga figurat më të larta të sportit, si themelues dhe organizator i talentuar dhe kur, në atë kohë kur Perandorisë Osmane po i rrëshqisnin këmbët dhe për Turqinë po vinte nje erë e re ndryshimesh perëndimore.

 

 

Ka marrë nga populli dhe  admiruesit e tij mbiemrin “Yen” (Jen) që do të thotë “Njësh” (I pari), e lidhur me fjalën “Jeni”, “Zheni”, “”Gjeni” në gjuhet e tjera.

 

Në enciklopedinë turke shkruhet se ai ishte i biri i Shemshedin Sami Frashërit, intelektualit më të shquar dhe më të lavdishëm të Perandorisë Osmane, me origjinë nga Janina e Shqipërisë.

 

 

Ali Sami Frashëri ka lindur më 20 mars 1886, në Kandili të Stambollit, dhe ka vdekur më 20 korrik 1951.

 

Gjatë zhvillimit të shkollës së mesme bashkë me disa shokë krijuan një klub futbolli. Qëllimi ishte që të krijohej një ekip serioz siç e kishte Anglia.

 

 

Ekipi të ndeshej brenda dhe jashtë vendit dhe të përfaqësonte Turqinë, të kishte një emër dhe ngjyrat e tij.

 

Klubi u krijua në vitin 1905 në Gallatasarai pranë disa kazermave ushtarake.

 

Ai funksionoi, u rrit dhe u zhvillua, por s’kishte ligje për t’u regjistruar zyrtarisht. Ligji doli vetëm në vitin 1912.

 

 

Ai nuk ishte një sportist i thjeshtë, por një personalitet i lartë historik i sportit në Turqi që bëri famë në këtë fushë, por edhe që i dha emër Turqisë në takimet futbollistike botërore me klube të fuqishëm si FC Barcelona, FC Real Madrid, Ac Milan, Manchester United etj.

 

 

Në vitin 1905 krijoi klubin futbollistik Sport Klub “Galatasarai” dhe ishte president i parë për  13 vjet rresht, nga 1905-1918.

 

 

Pastaj përsëri për pak kohë mori në dorë klubin në vitin 1925. Ishte trajner i parë i ekipit të futbollit në mes viteve 1905-1908. President i Komitetit Olimpik nga viti 1926-1931.

 

 

Në vitin 1910 themelon Muzeun  e Madh të Sporteve në Stamboll.

 

Veç sportit të futbollit, ai u bë iniciatori i parë i krijimit të klubeve sportive si të basketbollit, hendbollit, volejbollit, notit, hipizmit etj.

 

 

Në kohën kur luajti Ali Sami Frashëri futboll kapaciteti i shkallëve të stadiumit të Gallatasarait ishte rreth 20.000 mijë vende, kurse sot ka mbi 60.000 mijë vende.

 

Në vitin 2007,  Gallatasarait i udha emri “Ali Sami Yen”. Emrin  e tij  e mban edhe një nga rrugët kryesore të Stambollit.

 

 

Është koencidencë e çuditshme, ndërsa në Shqipëri, në bazë të platformës dhe ideve të të atit dhe të xhaxhallarëve të tij, luftohej për alfabetin shqip, për hapjen e shkollave shqipe dhe përgatitej shkëputja nga Turqia, nga ana tjetër, në Turqi, Aliu luftonte po për prosperitetin e zhvillimin e një vendi, që për të e familjen ishte bërë atdheu i dytë, Turqinë,  për ta nxjerrë atë nga obskurantizmi shumëshekullor mesjetar në dritën e zhvillimit kapitalist.

 

 

Ndërsa këtu, në dheun e të parëve të tij, hapeshin shkolla për mësimin e gjuhës shqipe, që turku e kish ndaluar prej shekujsh, atje ai ngrinte institucione të rëndësishme për zhvillimin civil e shoqëror të një populli që kishte vuajtur jo pak nën sundimin e sulltanëve fanatikë.

 

 

Në fillimet e tij, atëherë kur edhe e themeloi, klubi sportiv të Gallatsarait fanellat i kishte me ngjyrat e flamurit shqiptar, kuq e zi, në anën e majtë si emblemë kishte shqiponjën dykrerëshe, që simbolizonte edhe vetë origjinën e Ali Sami Frashërit.

 

 

Por me kalimin e kohës u bënë ndryshime, fanellat u bënë me simbole të tjera përfaqësuese turke, verdhë e  kuq, që edhe  sot e kësaj dite i bart SK Gallatsarai.