Andrea Varfi, poezi për Heroin e Popullit Riza Cerova
Shkrimtari dhe poeti shqiptar i viteve të para pas Luftës, Andrea Varfi, nga Qeparoi i Himarës, i ka thurur një poezi tejet të ndierë Riza Cerovës, të cilën po e sjellim për lexuesin e “Orakujve të Tomorrit” me rastin e 89-vjetorit të rënies së Tij
Viktor Bakillari
Andrea Varfi
VALLË ATJE KU RE?
Riza Cerovës
Vallë atje ku re,
te shkëmbi në mal,
luftëtari trim,
gjaku a t’u ndal?
Luftëtari trim,
gjaku a pushoi?
Vallë, atje ku re,
zemra a qëndroi?
Pse me qafë vjerrë,
te lisi pështetur,
trupi yt i enjtur,
syri yt i mekur?
Trupi yt i ënjture
me plumba goditur!
Vallë gjiri i nënës
për plumb të pat rritur?
Ti nga gjiri i nënës,
vallë, o shok, ç’thëthite?
Një të shenjtë urrejtje
dhe prandaj u ngrite!
Një të shenjt’ urrejtje:
kundër mbret-sulltanit,
dhe një dashuri:
trim, martir vatanit!
Kjo e shenjtë urrejtje
dhe kjo dashuri,
e fortë të zjeu
thellë n’atë gji.
E fortë të zjeu,
thirre vegjëlinë:
Në sulm mbi Tiranin,
në sulm për lirinë!
– Ti luftove, shok,
luftove si burrë.
Gjaku që ti derdhe
nuk do teret kurrë!
Gjaku që ti derdhe
asgjë nuk e ndal:
shkoi në rremba shokësh,
u bë ideal.
O shok, zemra jote
kurrë nuk pushon
se në gjiret tona
kurdoherë rron.
1935
_______
Andrea Varfi: Vepra letrare I, f. 77-78, Sh.B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1989