Antonio Gramshi, frymëzim për kauza dhe ideale sublime

 Antonio Gramshi, frymëzim për kauza dhe ideale sublime

Italo-shqiptari i madh që u krenua me prejardhjen e tij nga trojet abërore

 

Jovan JANO*

 

Kujtdo që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër Itali, është e pamundur që të mos jetë përballur ne dyqanet e shitjes së librit me emrin e Antonio Gramshit, të këtij njeriu të madh italian me prejardhje shqiptare, që nderohet dhe respektohet shumë sot në mbarë Italinë për gjestin e tij të madh, për të sakrifikuar jetën në emër të njerëzve të thjeshtë.

 

Që tek mbiemri “Gramshi” ai tek çdo shqiptar zgjon një ndjenjë disi të veçantë, atë të një qyteti në Shqipërinë e mesme, të një fshati në Skrapar nga është edhe kryerakitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasëmi, të një fshati tjetër në Myzeqe apo të një batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese të partizanëve të Mehmet Shehut.

 

 

Jovan Jano me nipin e Antonio Gramshit

 

Gramshi, simbol drejtësie

 

Në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit për drejtësi shoqërore, si simboli i italianëve të thjeshtë dhe i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit. Ai luftoi për të shembur përgjithmonë kufirin e urrejtjes midis njerëzve e urrejtjes midis njerëzve.

 

Muzgu shpirtëror dhe fizik i tij filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit të vitit 1926, kur u arrestua nga fashistët me cilësinë e deputetit të parlamentit italian, e me cilësinë e demokratit të shquar dhe të progresistit poliedrik.

 

Ky muzg i errët filloi atë mbrëmje të ftohtë, ku provoi lagështirën dhe neverinë e tmerrshme të qelive të burgjeve të Rexhina Çelit, të Turit në Bari, të Milanos, të Ustikes etj, duke u ballafaquar kështu jo vetëm me vuajtjet, me sëmundjen dhe të këqijat, por edhe me forcën e karakterit të vet. Kur u burgos, ishte deputet dhe sekretar i Përgjithshëm i PK Italiane, shok i vjetër idealesh me Palmiro Toliatin, me Luixhi Longon etj.

 

 

Shteti fashist italian e akuzonte për komplot, me qëllim rrëzimin e pushtetit shtetëror fashist me anën e forcës. Po ashtu e akuzonin “për nxitje të luftës civile, për ndezjen e luftës klasore dhe për propagandë subversive”.

 

Gjyqi i posaçëm, i kryesuar nga gjenerali Saporiti e dënoi italianin me origjinë shqipëtare, Antonio Gramshin, me 20 vjet, 4 muaj e 5 ditë burg. Burgosja e tij shkaktoi revolta dhe keqardhje në të gjithë botën demokratike. Intelektuale dhe personalitete të shquara nga vende të ndryshme të botës, të të gjithë spektrit politik e të rrymave të ndryshme, duke përfshirë Romen Rolanin e deri tek peshkopi i Kanterberit ngritën zërin e protestes (Qeveria sovjetike duhet të kishte bërë më shumë për ta shpëtuar Gramshin nga kthetrat e panteres fashiste.

 

Por me që ai ishte adhurues dhe mik i Buharinit, sovjetikët nuk e mbrojtën në ate nivel siç mbojtën Gjergj Dimitrovin, duke i dhëne shtetësinë sovjetike). Musolini, ky diktator paranojak, duke parë protestat dhe gjendjen shendetësore mjaft të rënduar të Antonio Gramshit, u detyrua më së fundi të vedoste për ta trasferuar të burgosurin, në fillim klinikën e doktor Kozimondos në Formia dhe pastaj në një klinikë të Romës, por ishte tepër vonë. Më 27 prill 1938, tri ditë pasi mbaroi dënimin, Antonio Gramshi dha frymën e fundit.

 

 

 

Filozof dhe estet me 54 volume

 

Gramshi, ky personalitet i madh, me origjinë shqiptare dhe intelektual erudit me kulturë të gjithanshme, renditet krahas Romen Rolanit, Emil Ludvigut, Pol Eluarit, Lui Aragonit, Pikasos, Zhan Sartrit, Bertolt Brehtit e të mjaft personaliteteve të tjerë të shquarë të kohës.

 

Ai ka shkruar 54 volume shkrime filozofike, sociale, estetike etj. Ndër to shquhen “Rilindja”, “Shkrimet politike”, Materializmi historik”, “Intelektualët”, “Elementët e polilitikës”, etj. Personaliteti i Gramshit ka tërhequr vazhdidimisht vëmendjen e studiuesve. Ai ka qenë estet dhe kritik i shquar. Admironte në letërsi Leon Tolstoin, Gogolin, Pirandelon dhe Danten.

 

Për letërsinë italiane thoshte se “në shekuj shkëlqen veçanërisht epoka e Rilindjes me Danten,  Petrarkën, Bogaçion etj. Dhe pastaj nuk përmend ndonjë personalitet të madh. Por gjinia, që e bëri të famshme Italine në botë ishte opera me kolosët e saj: Belini, Verdi, Rosini, Puçini, Doniceti”. Shqiptaro – italiani Antonio Gramshi mbështeste idene se “populli përbën artin”.

 

Respektonte mendimin estetik dhe filozofik të Kroçes. Ai thoshte se “Kroçe është i pari, që ka shprehur idenë që “arti mbi të gjitha është vetëshprehje e krijuesit, ose ndryshe subjekti artistik loz rol përcaktues në krijimin e veprës letraro – artistike…

 

Në konceptin artistik Kroçeja mbajti flamurin e modernizmit në art duke vazhduar tezën romantike të Hegelit për krijimin artistik, si shprehje e subjektit krijues” – shkruan Antonio Gramshi. Antonio Gramshi ishte mbrojtës i realizmit, por i një realizmi thellësisht artistik, si tek veprat e Tolstoit, Gustav Floberit etj.

 

Në një letër dërguar të birit, Deljos, ai shkruan se “Tolstoi ka qenë një shkrimtar botëror, që ka arritur përsosmërinë më të lartë në art dhe ka ngjallur dhe ngjall dhe në përkthime të dobëta përshtypje të jashtezakonshme dhe në lexues me kulturë fillestare”. Ai herë – herë është edhe një psikolog i aftësive intelektuale dhe njëkohësisht paraqitet edhe si psikolog i karaktereve kombëtare.

 

Gramshi thoshte se “njeriu modern duhet të jetë një sintezë e atyre që konsiderohen si karaktere kombëtare: inxhinieri amerikan, filozofi gjerman, politikani francez, duke krijuar sërish njeriun italian të Rilindjes, tipin mod­ern të Leonardo da Vinçit, që është bërë njeri – masë, ose njeriu – kolektiv, megjithëse ruan personalitetin e tij të fuqishëm dhe origjinalitetin e vet individual. Antonio Gramshi është i pari marksist, që vlerësoi teorinë e psikoanalizës të Zigmund Frojdit. Në këtë drejtim ai kishte një vizion të gjerë e të drejtë.

 

Ai thoshte se “psikoanaliza është me konkrete se sa psikiatria e lashtë ose të paktën i detyron mjekët të studiojnë më konkretisht të sëmurët, të shikojnë të sëmurin dhe jo sëmundjen. Është me shumë vlera për fondin e kulturës italiane një studim i Antonio Gramshit “Rreth ndërgjegjes publike në Itali në shekujt e kaluar”. Me fjalë të tjera, një studim rreth intelektualëve italianë, origjinës së tyre sipas rrymave të kulturës, sipas mënyrave të tyre të të menduarit etj.

 

Ky studim është i gjerë dhe i rrallë.Gramshi e shtriu shumë kuptimin e intelektualit dhe nuk kufizohet vetëm tek intelektualët e mëdhenj. Ky studim përmban edhe disa përcaktime mbi konceptin e shtetit, që zakonisht përcaktohet si shoqatë politike dhe jo si një ekuilibër i shoqërisë politike me shoqerinë civile. Si një personalitet poliedrik, Antonio Gramshi u mor me shumë studime filologjike e filozofike.

 

Ai ka bërë studime të gjuhësisë së krahasuar. Po ashtu ka bërë nje studim mbi teatrin e Pirandelos dhe mbi ndryshimin e shijes teatrale italiane, që Pirandelo e përfaqesoi dhe e ndihmoi të përcaktohet.

 

Studime me vlera dhe serioze Antonio Gramshi bëri edhe për origjinën e ebrejve, të cilët u çliruan për herë të pare nga getoja – sipas tij – në vitin 1848 dhe kanë qenë të ndarë nga shoqëria europiane për afro 2000 vjet. E gjithë jeta dhe vepra e shqipëtaro – italianit Antonio Gramshi është nje testament tolerance për të gjithë “fajtorët” pa faj, që vuajtën dhe vdiqen në burgjet e akullta të diktaturave.

 

Hiri i filozofit ruhet në varrezat e Anglezëve, në Romë. Kjo varrezë qe krijuar në shekullin XIX për të varrosur të huajt jo katolikë të vdekur në Qytetin e përjetshëm, i qeverisur asokohe nga Papët. Ai u varros këtu si i dënuar nga fashizmi, të cilët nuk e dinin se në këtë mënyrë i bënë një nder më të madh për të mos u harruar kurrë.

 

 

*) Ky shkrim është një përmbledhje e shkurtër nga libri i autorit Jovan Jano, kushtuar jetës dhe veprës së Antonio Gramshit