
– Kushtuar Dëshmorit të Atdheut, kolonel Arben Zylyftari, rënë në krye të detyrës në Shkodër, më 2 gusht 2000 –
Rushan Dosti
Atë ditë dy gushti
Qielli krejt u nxi
Shkodra, Shqipëria
U gdhinë në zi
Lajmi mori dhenë
Derdhi lotë Skrapari
Kishte rënë një lis
Arben Zylyftari
Atë ditë të zezë
Atë dy gusht të zi
Buna dhe Osumi
Derdhën lotët shi
Tomorri u vrenjt
Shkodra qau me lotë
Lotët Shqipëria
Nuk i mbajti dot
Dorës barbare
Gishti si s’iu këput
Kur lisin – Arben
E shtriu në tabut?!
Pabesia e krimit
Si gjarpëri në gji
I këputi rrënjët
Këtij djali të ri
Këtij djali – lis
Me rrënjë në Spatharë
Këngë i thurën gurët
Malet në Skrapar
Plumbi i mallkuar
S’vrau një kolonel
Ai shoi një dritë
Rrëzoi një diell
Arben Zylyftari
Lisi që s’ka rënë
Ai është më këmbë
Me degë e me rrënjë
Tani pas kaq vjetësh
Drita është e bardhë
Dardha që la Beni
Ka rënë nën dardhë
Fëmijët si yje
Ndrijnë e yllëzojnë
Në çdo hap që hedhin
Me Benin jetojnë
Filizat u rritën
Lisi, hop më këmbë
Arben Zylyftari
Është gjallë, s’ka rënë
Në mes të Beratit
Përmendorja ndrin
Se Heronjtë e Heshtur
Përherë zgjuar rrinë
Në bronxin e ftohtë
Qëndron vigjilent
Deshi shumë Beratin
Deshi këtë vend
Ky Arbeni ynë
Syri i Shqiponjës
Gjithmonë syshqiponjë
Do t’i qëndrojë kohës!