Artan Manushaqe: Kanionet e Osumit, udhëtim mes ëndrrash
Artan Manushaqe
Hambull, Skrapar. Jam këtu, në fillimin e Kanioneve të Osumit rreth 15 km nga Corovoda, pas shumë vjetësh. Majtas ndodhet Çepani dhe Zaberzani, ku unë jam nip.
Kur kam qenë në femijërinë time shkoja shpesh në fshat, e kam pasur dhe ende e kam qejf, pasi natyra të jep të vërtetën e jo gënjeshtrën, të vë përballë frikës e guximit duke të sfiduar në çdo moment si të vetemen zgjidhje, nuk ka një rruge të tretë.
Fotoja e pare, drejt në fund të kanionit, ku më s’duket, vendi quhet Ollazi.
Rruga për t’u ulur poshtë në lumë është e thepisur dhe gjarpëron në shkëmb e ngushtë shumë, aq sa vende-vende edhe këmba nuk ka gjerësinë dhe rehatinë e saj aty ku shkel.
Që të ulesh aty nuk mjafton vetëm guximi, por edhe përqëndrimi dhe qetësia, të cilat, ndodh që i humbet ndonjëherë, por në këtë rast, jo, ndyshe…! Këtu në Ollaz, kur ulesh e ngjitesh në shkëmb ke vënë jetën tënde në ruletën ruse, nëse bën një gabim, qoftë edhe të vogël.
Në Ollaz uleshim për plazh, pasi aty mes shkëmbinjëve gjen edhe ngjirra të thella me ujë, gjen rërë të pastër si askund tjetër, e andaj është vend i virgjër.
Te ky vend i vogël kemi ruajtur edhe dhitë, po dhitë bravare që na kanë mësuar shumë gjerë, për shembull, dhija rri e ulet në vendin më të pastër mbasi e ka kontrolluar mirë e mirë. Si namusqare që është, kur nuk i pëlqen, ajo e pastron me këmbë, pastaj ulet për qejf duke u përtypur ngadalë.
Ne Ollaz, bashkë me kushërinjtë ngjiteshim në shpatet e kanionit, ku thellë, në tunelet e shpateve gjeje pëllumba të egër, ku kemi kapur disa herë.
I kapnim pëllumbat e vegjël, i merrnim në shtëpi më sipër, në Zabërzan, një vend që e dua shumë, dhe iu bënim kafazë druri. Qëllimi i kapjes ishte që të egrën pellumbeshë ta zbutnim, të miqesoheshim me të e të jetonim bashkë!
Pëllumbave të vegjël nga ajo që s’mund të fluturonin i lëshonim përreth shtëpisë për t’u ambientuar me vendin, kurse pëllumbave të medhënj iu shkulnim pendet e gjata ose iu lidhnim krakët që të mos te fluturonin dot për të paktën dy jav, pasi kjo ishte periudha minimale ku ata duhet të familjarizoheshin me vendin.
Më poshtë Ollazit është Ura e Vjetër, aty ka shenja dhe mbetje arkeologjike të një kishe eremite. Ka dhe një kanal në shkëmb që merrte ujë dhe shkonte te Mulliri Babait.
Sot që kthej kokën pas, kudo ku shkoj, e ndiej që mbi shpinë dhe trupin tim e kam me vete kanionin dhe çdo gjë qe ai ka brenda, ftohtësinë, ushëtimën, thepisjen, ashtu edhe qetësinë, pastërinë dhe ngjyrat që të shtjenë në mendime dhe të relaksojnë.