Astrit Ibro: 85 vjet Radio Tirana

Astrit Ibro: 85 vjet Radio Tirana

 

Radio Tirana do të festojë pas pak ditësh, më 28 nentor, 85 vjetorin e themelimit të saj. Për mua, që kam punuar  rreth 43 vjet në Radio Tirana, duke filluar nga prilli 1978, është një emocion i veçantë.

 

 

Me këtë rast u uroj të gjithë kolegeve dhe kolegëve të mi punë të mbarë, suksese dhe gjithë  të mirat!

 

Astrit Ibro

 

 

 

 

 

Pëpjekjet për një radio në shqip janë të hershme. Një grup studentësh shqiptarë në qytetin italian të Barit u përpoqën që në mesin të viteve 1920 për të ngritur një radio për të përhapur informacione për Shqipërinë. Nga dokumentet ekzistuese nuk është e qartë nëse këto transmetime janë dëgjuar në Shqipëri apo jo.

 

 

Transmetimet e para në Shqipëri u bënë mbi  bazën e një marrëveshjeje ndërqeveritare me Italinë, e cila u  nënshkrua në vitin 1936 në Radio Bari në Italinë Jugore. Përgatitjet u bënë nga zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Tiranë dhe gazetarë të “Gazeta Shqiptare” dhe redaktorë të “Gazzetta di Puglia”. Programi ditor zgjati 30 minuta dhe përbëhej nga lajme nga Shqipëria dhe bota, si dhe një program muzikor.

 

 

Përpjekje serioze u bënë në periudhën midis 1937 dhe 1938 për të ndërtuar një radio kombëtare në Shqipëri. Me këtë punë dhe fushatën për shtyp u morr Gjergj Bubani, i cili më pas   u bë edhe  drejtori  i parë i Radio Tiranës.

 

 

Përpjekja e parë për transmetim u bë më 28 nëntor 1937. Rasti për këtë ishte festimi i 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Për katër ditë me radhë, këto festime u transmetuan me ndihmën e teknikëve të kompanisë “Philips”. Siç thuhet në disa dokumente, në atë kohë kishte vetëm 2.000 aparate radio në të gjithë Shqipërinë.

 

 

Pak muaj më vonë, më 7 korrik 1938, mbreti Zog lëshoi një dekret për ngritjen e  Radio Tiranës me kapacitet prej 3 kë dhe për këtë miratoi edhe buxhetin përkatës prej 122 500 franga ari.

 

 

Përvjetori i dhjetë i kurorëzimit të Ahmet Zogut si mbret i Shqipërise, u transmetua nga Radio Tirana më 29 deri 31 gusht 1938. Radio Tirana ka transmetuar edhe një ndeshje futbolli të ekipit të Tiranës me një ekip grek nga Kavalla. Komentatori i kësaj ndeshje ishte i  madhi Anton Mazreku.

 

 

Përurimi zyrtar i Radio Tiranës u bë më 28 nëntor 1938. Të pranishëm ishin mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë, të cilët mbajtën gjithashtu fjalimet e tyre. Kjo ceremoni u zhvillua në Laprakë në orën 11.00 – kështu shkruajnë gazetat e asaj kohe.

 

Për transmetimet e saj, Radio Tirana mori dy dhoma të mëdha në katin e parë të Bashkisë së Tiranës, e cila ndodhej në sheshin Skënderbej,  aty ku sot ndodhet Muzeu Historik Kombëtar. Transmetuesit e Laprakës kishin një fuqi prej 3 kë dhe transmetonin në bandën 40 m në valë të shkurtër. Programi ditor u botua edhe në disa gazeta në gjuhën shqipe dhe italiane. Në fillim kishte një program  transmetimi prej tre orësh: nga ora 13 deri në 14 dhe në mbrëmje nga ora 19 deri në orën 21.00.

 

 

Në maj të vitit 1939, vetëm një muaj pas pushtimit të vendit nga trupat italiane, Radio Tirana u  vendos nën kontrollin e Drejtorisë së Përgjithshme Italiane për “Shtypin, Propagandën dhe Turizmin”. Transmetimet ishin subjekt i kontrollit të mprehtë të shtetit.

 

 

Në vitin 1939, Radio Tirana filloi të transmetonte edhe në disa gjuhë të huaja, si serbokroatisht, italisht, greqisht, rumanisht, turqisht, por edhe në anglisht dhe frëngjisht.

 

 

Në dhjetor 1939, ishte planifikuar një përforcim teknik i transmetuesit prej 50 kë për një program me valë të mesme. Ky projekt nuk u realizua. Në fund të prillit 1939, Radio Tirana u vendos në një  ndërtesë tjetër, në rrugën “Kont Urani”, ku qëndroi për 26 vjet deri në vitin 1965.

 

 

Një fakt interesant është se për të ballancuar propagandën e njëanshme fashiste në Radio Tirana, BBC nisi programet e saj në gjuhën shqipe më 12 nëntor 1940 dhe “Zëri i Amerikës” më 13 maj 1943. Edhe njësitë partizane shqiptare u përpoqën në këtë kohë që të ngrinin radio stacionin e tyre.

 

 

Pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943, oficerët gjermanë morën nën kontroll Radio Tiranën. Deri më 14 nëntor 1944, një njësi ushtarake gjermane me 7 ushtarë të Ëehrmacht-it dhe 9 xhandarë shqiptarë bënin sherbin roje në Radio Tirana. Kur pushtuesit po orvateshin të  shpërthenin ndërtesën e Radios Tiranës, më shumë se 2.500 pllaka të regjistruara u fshehën në familjet tiranase – kështu kujton Islam Proseku, i cili ka punuar në arkivin e Radio Tiranës.

 

 

Çlirimi i kryeqytetit dhe rifillimi i programeve në Radio Tirana është dokumentuar nga shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare në romanin e tij “Nëntori i një kryeqyteti”.

 

 

Më 27 nëntor 1944, Radio Tirana rifilloi transmetimin e programeve të saj. Më 28 nëntor 1944, Radio Tirana transmetoi nga bulevardi  “Dëshmorët e Kombit” tubimin e madh për hyrjen e qeverisë komuniste në Tiranë dhe një fjalim nga kryeministri dhe komandanti suprem i Ushtrisë Çlirimtare, Enver Hoxha, i cili e drejtoi vendin për 45 vjet me dorë të hekurt.

 

 

Sikurse shkruan gazeta shqiptare “Bashkimi” më 24 dhjetor 1944, përveç programit në gjuhën shqipe, Radio Tirana ka transmetuar lajme edhe në disa gjuhë të huaja, konkretisht në frëngjisht, sërbokroatisht, italisht, greqisht dhe shqip nga ora 20:00 deri në orën 21:30 në valë të shkurtra. Në kohën e çlirimit të vendit, në fund të vitit 1944, në Shqipëri nuk kishte më shumë se 3,000 aparate radio.  Në atë kohë vendi numuronte një popullsi prej 1 milion banorësh.

 

Regjimi komunist e forcoi propagandën dhe ngriti për  këtë qëllim edhe katër radio të tjera lokale: më 20 mars 1945 u hap Radio Gjirokastra, dy muaj më vonë, më 13 maj 1945 Radio Shkodra dhe më 16 tetor 1959 Radio Kukësi. Para vitit 1943 ishte  ngritur Radio Korça, e cila i rimori pajisjet e vjedhura dhe rifilloi transmetimet e saja.

 

 

Në vitin 1947 Radio Tirana kishte 50 punonjës. Në konferencën për transmetimet radiofonike në Kopenhagen, në vitin 1948, Shqipëria mori katër frekuenca. Deri në vitin 1950 ajo transmetonte 7 orë e 30 minuta programe ditore  në gjuhën shqipe dhe 4 orë në 5 gjuhë të huaja – dhe konkretisht në anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht dhe serbo-kroatisht.

 

 

Sikurse dihet, Shqipëria ishte në atë kohë anëtar i bllokut lindor. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë në vittin 1948, qeveria shqiptare forcoi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, do të ndërtohej një ndërtesë e re e radios.

 

 

Ky projekt nuk u realizua, sepse në dhjetor 1961 u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Shqipëria po kërkonte një aleat të ri, Republikën Popullore të Kinës, me të cilin zhvilloi marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi deri në verën e vitit 1978. Pastaj Shqipëria ra në vetë-izolim, por aparati i propagandës punoi “si një orë zvicerane”, siç thuhet në zhargonin popullor.

 

 

Më 5 dhjetor 1965, Radio Tirana u zhvendos në ndërtesën e re, ku është edhe sot. Me përjashtim të disa aparaturave regjistruese të vjetëra,  nga Republika Demokratike Gjermane dhe Bashkimi Sovjetik, të gjitha studiot dhe pajisjet ishin të reja. Ato erdhën nga Kina dhe u instaluan së bashku me ekspertë kinezë. Kjo krijoi mundësinë  që duke filluar  nga viti 1966 Radio Tirana të transmetonte një program ditor prej 18 orësh, nga ora 5 në mëngjes deri në orën 23 të mbrëmjes.

 

 

Si përgjigje e ndërprerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, programi i gjuhëve të huaja të Radio Tirana u zgjerua dukshëm: në vitin 1961 Radio Tirana transmetonte në gjashtë gjuhë të huaja: greqisht, serbo-kroatisht, italisht, frëngjisht, anglisht dhe arabisht. Pastaj transmetimet u shtuan edhe në rusisht, bullgarisht dhe gjermanisht. Transmetimet në gjuhën gjermane kanë nisur që nga viti 1954, por jo rregullisht.

 

 

Duke filluar nga viti 1964,  emisioni gjermanisht nuk është ndërprerë asnjëherë në Radio Tirana, i cili në vitet 1980  transmetohej deri në 8 herë në ditë. Programe të tjera  vijuan në gjuhën çeke, hungareze dhe më vonë edhe në polonisht, portugalisht dhe spanjisht. Në fund të viteve 1970, pati programe radiofonike edhe në indonezisht, turqisht dhe suedisht dhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën në 1978 nisën transmetimet edhe në gjuhën kinezishte.

 

 

Në vitet 1980-të Radio Tirana ka transmetuar në 21 gjuhë të huaja  dhe shqip për shqiptarët jashtë vendit. Në Radio Tirana, në atë kohë, transmetoheshin  83 orë programe në gjuhë të huaja çdo ditë, në valë të mesme dhe të shkurtra.

 

Transmetimet ishin të politizuara. Përgatitja e lajmeve, rubrikave apo bisedave radiofonike orientohej  nga udhëzimet e Partisë së Punës. Radio Tirana për transmetimet në gjuhë të huaja drejtohej nga zyra e shtypit e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

 

 

E megjithatë, duhet theksuar, se Radio Tirana në gjuhë të huaja ka luajtur një rol të rëndësishëm për njohjen e vendit tonë në botën e jashtme, në mbajtjen e kontakteve me shqiptarët në trojet e tyre në ish Jugosllavi. Radio Tirana ishte i vetmi burim informacioni në gjuhën shqipe edhe për ta. Radio Tirana për shumë vite dhe mbi të gjitha në vitet 1980-të, me fillimin e protestave në Kosovë, ka luajtur  një rol të rëndësishëm informues për shqiptarët në ish-Jugosllavi.

 

 

Në analizat dhe vlerësimet që bëhen sot për Radio Tiranën duhet bërë kujdes qe “bashkë me ujin e pisët të mos hedhim edhe foshnjen”.

 

 

Me rënien e komunizmit, nevoja për informacion nga Shqipëria ishte e madhe. Bota filloi të zbulojë Shqipërinë me të gjitha problemet dhe sfidat e saj.

Megjithatë, burimet e kufizuara financiare dhe kostoja e lartë e transmetuesve të vjetër kanë bërë që Radio Tirana International të transmetojë sot programe në vetëm 7 gjuhë të huaja dhe konkretisht në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, sërbisht dhe greqisht. Gjatë kësaj kohe, programi shqiptar për shqiptarët jashtë vendit u zgjerua, nisur nga fakti se pas vitit 1990 shumë shqiptarë ishin larguar nga vendi dhe emigruan në Itali dhe Greqi, por edhe në Gjermani, SHBA dhe Kanada.

 

 

Në vitet 1990, u krijuan njëra pas tjetrës, shumë radio stacione në Shqipëri. Ato nuk mund të zëvëndësonin Radio Tirana International sepse programet e tyre ishin për dëgjuesit lokalë dhe dominoheshin kryesisht nga muzika e huaj, e cila deri atë kohë mungonte në mediumet shqiptare. Sot ka mbi 66 radio radio në Shqipëri.

 

 

Qëllimi i programeve tona në gjuhë të huaja, sot, është që Shqipëria  të njihet nga dëgjuesit dhe të interesuarit, me të gjitha përpjekjet dhe problemet e zhvillimit të saj. Fokusi është informimi mbi ngjarjet politike, ekonomike, kulturore dhe sportive, mbi procesin e integrimit në BE të vendit tonë, të flasim mbi  potencialin turistik, muzikën popullore dhe atë të lehtë shqiptare, për marrëdhëniet me vendet fqinje dhe vendet në të cilat drejtohen programet tona.

 

 

Objektivi është që brënda 30 minutash të përcjellim te dëgjuesit tanë zhvillimet më të reja në politikë, ekonomi, turizëm, diplomaci, sport, muzikë.

Radio Tirana ka arkivin më të pasur muzikor në Shqipëri.

 

 

Që nga viti 2017, transmetimet e gjuhëve të huaja  në Radio Tirana mund të dëgjohen nëpërmjet internetit, në satelitor. Ajo ka gjithashtu faqen e saj në internet.

 

 

Sa më shumë kalon koha, aq më tepër më përforcohet mendimi, se transmetimet në gjuhë të huaj, për vende të vogla  si Shqipëria, janë të nevojshme, për të mos thënë të domosdoshme, për të bërë të njohur vendin, historinë, kulturën, zhvillimet ekonomike dhe politike, por edhe potencialin turistik, po të kemi parasysh edhe faktin që në Europë dhe botën e largët dinë shumë pak për vendin tonë, bile edhe ato që mësojnë vijnë kryesisht nga kronikat e zeza. Për shumë  vite shtypi perndimor e ka cilësuar Shqipërinë si një njollë të bardhë në hartën e Europës.

 

Tiranë, më 15 nëntor 2023

 

 

 

Dy fjalë për autorin

 

 

 

Astrit Ibro ka lindur në Durrës, më 15 nëntor 1954.

Pas gjimnazit “Ramiz Aranitasi” në Çorovodë, në shtator 1973 nis studimet universitare në Fakultetin e Shkencave për Fizikë. Pas tre muajsh u niset për studime në Pekin, ku për një vit mëson gjuhën kinezishte dhe më pas mbaron studimet për Gjermanistikë në Universitetin e Pekinit.

 

 

Në vitin 1978 kthehet në Shqipëri, emërohet përkthyes i gjuhës gjermane në Radio-Tirana. Deri në 1997 ka punuar si perkthyes në Radio Tirana. Në vitin 1997 emërohet drejtor i programit të tretë në Radio Tirana për gjuhët e huaja dhe shqiptarët jashtë atdheut.

 

 

Ka punuar si lektor i jashtëm në Katedrën e Gjuhës Gjermane pranë Universitetit të Tiranës dy vjet.

 

 

Në Televizionin Publik Shqiptar ka përgatitur e drejtuar emisionin “Të mësojmë gjermanisht – Alles – Gute”.

 

 

Për shumë vite kam qënë bashkëpuntor i Radio-Televizionit publik gjerman – ARD. Është angazhaur dhe ka bashkëpunuar ngushtë edhe me dy fondacione gjermane me seli në Tiranë: Konrad Adenauer dhe Friedrlich Ebert.

 

 

Ka punuar si përkthyes zyrtar për shumë delegacione dhe personalitete politike shqiptare, gjermane e austriake.

Ndër vite ka përkthyer libra dhe artikuj shkencorë. 

Tani është “në krijimtari të lirë” – pension  dhe merret me fotografinë e perkthim veprash letrare.