Babai i shtëpisë
Sefedin Çela
Nga 17 frymë gjithsej, 14 e thërrisnim Baba plakun e shtëpisë, Qamilin. I biri, Hyseni me të shoqen e fëmijët, nëna ime e unë me motrat e vëllanë i thoshim baba, gjyshja i thoshte sipas të vjetrës, Qamil bej, kurse e shoqja nuk e thërriste kurrë në emër, plaku, thoshte për të, ai çalua i djallit, kur zemërohej ose bënte sikur zemërohej me të, kurdoherë mënjanë që ai të mos e dëgjonte.
Atë plak trupvogël e zemërak e nderonin të gjithë. Ishte i punës, i fjalës, i mikut. Të bënte mik me një duhan të dredhur e me derën e shtëpisë të hapur për çdo hallexhi që e sillte rruga. I punonte vetë ondrijet e punës, parmendat, zgjedhat e tevligat, trinat e branat për thyerjen e plisave, thurte kofinë për rrush, shporta të thurura me rrënjë dëllinje, bënte mure ledheve e bënte gardhe e vatha për bagëtinë, po kur nxehej i prishte ato, merrte sëpatën e u binte hunjve të gardhit një e nga një.
Vetëm dy plakat, e shoqja e gjyshja ime i dilnin përpara kur ishte me huqe. Të dyja me marifetet e tyre.
Metullaja dilte me një çekan në dorë: “O plak, thoshte, mos të bën punë më mirë ky çekan”?
Pa marrë përgjigje linte çekanin e ngjiste shkallët. Dilte gjyshja me sqepar.
– Qamil bej, me këtë ke bërë hajër edhe herë tjetër, merre…
– Hiqmuni, u vraftë Çukë e Tomorrit, shfrynte plaku, po dukej se inati i kishte lënë shëndenë, fillonte të mblidhte copat e prera.
Në konvikt, në atë bibliotekën e vogël kisha gjetur “Donin e Qetë” të Shollohovit. Plaku Melehov ishte tëpkë babai ynë, sikur e kishte shfryrë nga hundët. Unë qeshja me vete kur lexoja, kishin të njëjtët huqe, madje ishin të dy çalashë!
Në verë, gjate pushimeve, uleshim të dy pranë e pranë e unë dëgjoja të më tregonte histori të vjetra të mahnitshme. Tregonte si magjistar; të linte gojëhapët. Dinte përmendësh gati të gjithë Qerbelanë e Ervehenë.
Si me marifet fillova të lexoj atë pjesë ku plaku i Shollohovit bën kërdinë mbi gardhet që kish ndrequr vetë e ku plaka Melehova del e bën po ato marifete si dy plakat e Polenës.
Baba Qamili shqeu sytë.
– Ore, bir, – tha – ç’është ky që më marrka nëpër gojë se ç’bëj unë në shtëpinë time?
I thashë që ishte rus e ngjarja kish ndodhur mbi 30 vjet më parë atje, jo këtu. Nuk i a mbusha dot mendjen.
– Eh, – tha – gardhe mund të kem prishur edhe 30 vjet më parë, po jo në Rusi, nuk kam qenë kurrë atje!
Babai ishte kokë me vete, nuk i mbushej mendja lehtë. Kur u hap fjala se fshati do të bëhej kooperativë, si Prishta, ai tha “deshën e u bënë, unë nuk dua. A nuk është me të dashur”!?
Edhe gjatë Luftës nuk donte të kishte nëpër këmbë as ballistë as partizanë, të dy palët të sjellin hasmin në derë, thoshte, e nga hasmi nuk ka pasur njeri qar.
Ajo puna e kooperativës doli që nuk ishte një fjalë goje. U shtrëngua. Fshati thoshte po nuk hyri Qamili, që ka mbi gjysmën e tokave e bagëtive, të tjerët kot ishte, si të hynin si të mos hynin.
Erdhën ata miqtë e Prishtës, si atëherë kur ndërroi jetë im atë. Plaku i dëgjoi, pastaj u hoq mënjanë. Herën e parë ua ktheva fjalën, tha, dhe ju më dëgjuat. Pyesni motrën tuaj. Le të bëhet siç thotë ajo. I ka rënë bretku për të mirën e kësaj shtëpie.
Nëna ime tha: “Jo, nuk vendos dot. Nuk e di se ç’është e kam frikë nga gjëra që nuk di çfarë janë”.
Na shih ne, i thanë njerëzit e vet; ne e bëmë. Mendo se yt shoq ishte partizan; i tha kush atij në do të kthehej apo jo?
Kështu u bë fshati kooperativë, me dy mendje.
Kur në fshat u ndez për herë të parë llamba elektrike, babai i shtëpisë bëri çudinë e fundit. Mori një nga kandilat që kishte sjellë Zylfoja nga kurbeti, nxori pushkën e varur në kulë e foli gjatë me vete. “Po ta marr këtë kandil, vëlla Zylfo, tha, i erdhi fundi flakës së tij”.
Dërgoi djem përtej Te Varret e vuri kandilin para një pllake që të pikasej mirë; ata djem i la anash si roje, u shtri mbi nje ledh e mori shenjë. Njerëzia mbledhur aty, gra e fëmijë, as nuk dinin çfarë do të bënte e nuk dinin as çfarë të bënin vetë.
Ai qëlloi vetëm një herë, vetëm një plumb kur nuk pritej e që i hodhi përpjetë të gjithë.
Plaku u ngrit, fshiu me një dorë pantallonat, me dorën tjetër u bëri shenjë djemve përtej të afroheshin e të shihnin. Djemtë bënë “Ehej ehej!”, ia dhanë vrapit e, sa hap e mbyll sytë, erdhën te lëmi.
– Në shenjë, baba! Kandili është bërë shoshë!
Plaku e rrotulloi kandilin nëpër duar. Plumbi e kishte marrë mes-përmes e kishte dalë në anën tjetër. Koka e kandilit ishte këputur, duket nga përplasja.
“Pt’huu, – tha babai i fshatit, – flakë e shejtanit, vajç në xhehenem!”
E hodhi atë teneqe të çpuar në një ferrë.
Koka e kandilit s’u gjet më kurrë;
Mbeti Te Varret.