Bajram Yzeiri: Një libër për historinë e vështirë të shtetit dhe policisë gjatë tranzicionit dhe një episod i këtij libri për Arben Zylyftarin
Sot më datën 8 tetor 2024, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallën “Aleks Buda”, shtëpia botuese “Naimi”, organizoi promovimin e librit “Një jetë me Policinë e Shtetit të autorit Bajram Yzeiraj, ish-ministri i Rendit në Qeverinë e Stabilitetit (qershor – dhjetor 1991), shef i policisë në Kukës, Shkodër, Tiranë në kohërat më të vështira të tranzicionit politik e shoqëror.
Për librin folën prof. Neritan Ceka, dr. Erion Kristo, dr. Hasan Shkëmbi, Besnik Bakiu dhe Refxhei Tola.
Dëshmori i policisë, Arben Zylyftari, në librin me kujtime të ministrit të Rendit, Barjam Yzeriaj
“Profesor, po na qëllojnë me armë! Si të bëjmë?”
Arben Zylyftarin e kam njohur gjatë kohës që e kisha student në shkollë dhe më pas gjatë punës në disa organe të Policisë.
Ai vinte nga radhët e klasës punëtore, siç thuhej atëherë dhe ishte më i pjekur se studentët e tjerë; serioz dhe me aftësi të mira komunikuese. Fillimisht u emërua inspektor krimesh në Korçë dhe më pas shërbeu në funksione drejtuese në Skrapar, Lezhë, Vlorë dhe në fund ishte Shkodra.
Në Vlorë gjatë vitit 1997-1998 vepronin dy banda të armatosura (Z. Çaushit dhe Gaxhait), të cilat kryenin krime të rënda si vrasje, rrëmbime, vendosje gjoba etj., dhe kishin ngjallur frikë e panik në popullatë. Rivaliteti në veprimtarinë e tyre dhe dobësimi i organeve të mbrojtjes së ligjit e atyre të drejtësisë, por dhe përdorimi politik, bëri që të godisnin njëri-tjetrin duke vrarë anëtarë nga të dyja grupet.
Edhe pse policia i kishte arrestuar disa herë, ata ishin liruar për mungesë provash, sepse familjet e viktimave dhe dëshmitarët, përfshi edhe punonjës policie, tërhiqeshin nga frika në deklarimet e tyre dhe në këtë mënyrë i ndihmonin.
I ndodhur në një analizë në policinë e Fierit, ku drejtonte Niko Shqina (shoku im i klasës), rreth orës dhjetë para dite, në telefon më kërkoi drejtori i Policisë së Vlorës, Arben Zylyftari, i cili më informoi se e kishin rrethuar në Radhimë njërën nga bandat, të cilët vazhdonin të qëllonin me armë ndaj forcave të policisë: “Profesor, po na qëllojnë me armë! Si të bëjmë?”.
Nuk mendova gjatë dhe i thashë: “Ruani jetën e njerëzve të pafajshëm e punonjësve dhe mos hezitoni: përgjigjuni me armë për vetëmbrojtje!”.
Në momentin që policia u ishte përgjigjur me zjarr, kapua me të tjerë kishte hedhur armët dhe tundur këmishën e bardhë, si shenjë të dorëzimit. E kuptova që isha nxituar, për shkak të mjedisit ku i fola (mbledhje në sallë) dhe dola jashtë për të folur përsëri. Në moment u informova se banda ishte dorëzuar.
Në vitin 2000 Arben Zylyftari u emërua drejtor i Policisë në Shkodër, një qark problematik me kriminalitet të ashpër sidomos kundër jetës e pronës, ku, nga ana tjetër, kishte vite që qe gjallëruar vetëgjyqësia e gjakmarrja.
Gjendja brenda policisë ishte heterogjene, sepse ishin futur mjaft individë pa kualifikimin e duhur policor e, mbi të gjitha, me vese e ish të dënuar, nën argumentin e “të përndjekurve politikë’’. Hyrja e njerëzve të tillë dhe lidhja me krimin, kishte krijuar mosbesim në radhët e policisë, çka e bënte të vështirë luftën kundër krimit.
Erdhi në zyrë përpara se të merrte detyrën dhe më pas. Sa herë vinte në ministri flisnim për problemet që kishte. I thashë të bënte kujdes, sidomos me stafin e afërt të bashkëpunëtorëve dhe verifikonte çdo informacion, përpara se të futeshin në veprim dhe atij nuk i mungonte eksperienca për zgjidhjen e situatave me rrezikshmëri.
Pasioni për luftën kundër krimit dhe drejtimi nga afër i ngjarjeve që mbartnin rrezikshmëri e, pse jo, dhe pakujdesia, apo dhe tradhtia nga vartësit që s’i lidhte asgjë me policinë, i mori jetën gjatë një operacioni në qytetin e Shkodrës.
(Marrë nga libri me kujtime “Një jetë me Policinë e Shtetit” i Barjam Yzeiraj, botimet “Naimi”, Tiranë 2024)