Baki Qafa, ministër i Mbrojtjes që u zhduk në mënyrë misterioze një ditë para se të merrte detyrën!
Në veprën nr. 38 të Enver Hoxhës botuar dy vjet pas vrasjes të ish- Kryeministrit mafioz shkruhet: Byroja politike e KQ të partisë vendosi të emërojë ministër Mbrojtjeje kapitenin e I-rë Baki Qafën, por për çudi ky djalosh u zhduk në mënyrë misterioze!…
U lind në një fshat të vogël malor, në Qafë -Skrapar në familjen e mullahasanëve, familje e madhe, mikpritëse, bujare, familje që kishte lindur trima të rrallë.

Aty nga viti 1918 digjet shtëpia dykatëshe e kësaj familje nga andartët grekë. Kështu familja e tij shkon në Berat, se tre vëllezërit mbetën jetimë pasi kolera bëri kërdinë, vdes e ëma dhe i ati.
Në Berat rri dy vjet dhe kthehen në vendlindje, në Qafë, por më vonë përsëri marrin rrugën, për në Myzeqe, vendosen në Libofshë, fshat afër qytetit të Fierit. Këtu vazhdon shkollën unike dhe me rezultate të shkëlqyera.
Meqenëse, i pëlqente arti ushtarak, vazhdon shkollën e aspirantëve dhe në vitin 1922 shërben si pastkomandant, në Durrës deri në Fillim të vitit 1923.
Por ato ditë pritej të bëhej shtetrrethimi dhe ky u bë nga kryengritësit nën komandën e Hysen Myshketës. Aty vritet një shoku i Bakiut, Bajram Xhani nga Kavaja.
Baki Qafa vendos të largohet për në Greqi. E kështu merr rrugën për në Skrapar. Këndej ishte i sigurt. Njihte vendin për të kaluar Gramozin. Shqipëria në ato vite të errëta bënte që të largoheshin djemtë e saj të kalonin në shtigje të rrezikshme. Bashkohet me skraparllinj si Riza Cerovën, Qerim Kapinovën, Ali Nishicën, Ali Konprenckën, kalojnë kufirin dhe hyjnë në tokën greke.

Lart, në këmbë: Baki Qafa, 2. (I paidentifikuar), 3. Tahir Vëseshta. Posht, ulur: Riza Meçani, 2. Nuri Vlusha, 3. Riza Cerova, 4. Muço Kapinova (Bakiasi), 5.Riza Hasa (Kapinova), 6. Qamil Bubësi
Zënë punë në një fabrikë tullash. Kalon kohë, punë e vështirë e lodhshme. Mirëpo Riza Cerova patriot i madh mendonte thellë, mendonte për kombin, për lirinë kombëtare Shqipërinë e sfilitur. E nis Bakiun për në Shqipëri, me mision të lartë patriotik të fuste në Shqipëri broshura propagandistike, ku bënin fjalë për popullin, për hallet e tij, për regjimin zogist.
Bakiu mori rrugën për në atdhe. Në kufi kapedani grek Stamolis nuk e lejon se kërkonte një shumë të madhe të hollash për ato çka kishte me vete. Atëherë Bakiu kthehet për në Selanik, kalon natën kufirin dhe strehohet në Teqenë e Bektashinjve.
Kështu deri në vitin 1927 qëndron në Teqenë e Bektashinjve.
Atëherë merr një letër nga Riza Cerova të largohet sa më parë. Shkon në Austri, ku shkollohet në akademinë ushtarake, artilier, mëson mirë gjermanisht.
Kthehet në Bosnje. Atje kishte një mik Qamil Xhanin dyqanxhi. Edhe Bakiu hap një dyqan veshjesh, po në vitin 1942 shet plaçkat e dyqanit, dyqanin tek myftiu i Xhabicit dhe kthehet në Shqipëri mjaft i përmalluar.
Me të ardhur në atdhe hyn në lëvizjen në rrjedhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare takon në Kolonjë të Leshnjes Skënder Libohovën më 22.XII 1942.
Në prill të vitit 1943 Bakiu hyn ilegal në Pezë dhe prej andej në maj të po atij viti bashkohet me Spiro Moisiun, Rrahman Ruçin, Xhevdet Nepravishtën, por ndahet shpejt dhe më vonë, në qershor bashkohet me çetën e Myzeqesë, e cila vepron në Zonën e Libohovës dhe fillon aktivitetin luftarak në këtë zonë të gjerë, prej 42 fshatrash.
Çarmatos komanda e xhandarmërisë që ndodhej në Libofshë dhe formon këshillat e LANÇ dhe komandën e vendit komandën e vendit, e cila ndihmon në aktivizimin e partizanëve në furnizimin e çetave me armë e municione.
Nis çarmatosjen e xhandarëve. Kështu çarmatos Non Pemën. Në shtëpinë e Gor Ferës mblidhet çeta e tij.
Më vonë merr letër nga Veiz Pipa (Bajku), i cili e informon se, Italia fashiste ka kapitulluar dhe se italianët këtu kërkojnë armëpushim. Çetat partizane bëjnë luftime sa në një zonë në një tjetër, kështu çeta e Novruz Gjergjoivës bën luftime në zonën e Peqinit.
Aktiviteti i Baki Qafës vazhdon si si komandant i batalionit të Tretë të brigadës të XIII-të, e cila më 15 tetor 1944 çliroi Fierin dhe më vonë luftoi për çlirimin e Shqipërisë (Brigada e 13-të sulmuese).
Bakiu pas Çlirimit, në vitin 1944, ka qenë me detyrë komandant i Ishullit të Sazanit, më vonë transferohet në Korçë, me detyrë të rëndësishme komandant Brigade i qarkut të Korçës. Në vitin 1948 në Ministrinë e Mbrojtjes dhe me gradën kapiten i parë.
Pas disa kohësh aty, Baki Qafën Byroja Politike e KQ të Partisë vendosi ta emërojë minister. Ende pa marrë detyrën, atë mëngjes pranvere, u gjend i vrarë në dhomën e tij në Hotel “Interacional”, një vrasje mafioze, që fillmiisht bëri bujë, por që shpejt u fik dhe u mbyll si një “bisht peshku”.
Mjë mallakastriot me emrin ishte Hamdi Semo, ishte vrasësëi i porositur. Motivi. Çështjë xhelozie dhe karrjere për detyrën e lartë që mori.
Në shtypin e kohës shkruajtën shokët e luftës: Zija Kambo, Petrit Dume, Veiz Pipa (Bujku), Miti Bazo etj.
Ata shprehën indinjatën e thellë, dhimbjen, humbjen e shokut të shtrenjtë e të dashur, por gjithashtu kërkonin nga drejtësia dënim kapital për kriminelin.
Vrasësi u dënua me 10 dhe për çudi bëri 3-4 vjet. Si doli nga burgu e çuan në vendlindje, në Mallakastër, dhe e “graduan” kryetar cooperative!
Nën zë flitej që kjo ishte vepër e Mehmet Shehut, por askujt nuk ia mbante ta thoshte me zë të lartë.
U desh vetvrasja apo vrasja e Mehmet Shehut, që dy vjet pas ngjarjes, Enver Hoxha, në veprën e tij të 38 -të e risjell në vëmendje vrasjen e Baki Qafës duke shkruar se ajo vrasje ishte një akt mafioz i Mehmet Shehut për karrierën e tij për t’u njgitur vet në pushtet”.
Por ishte ai Enver Hoxha që heshti dhe e ruajti në sirtar ngjarjen makbethiane. Madje internoi edhe të vëllanë e Bakiut, Qaniun.
Dhe u kujtua në fund, jo për të rehabilituar Bakiun se I erdhi keq, por për t’i futur edhe një plumb tjetër Mehmet Shehut, se nuk i mjaftonin ata që kishte marrë…
Marrë nga “Memorie.al”, shkruar nga Xhemal Veizaj
Titulli dhe nëntitulli nga “Orakujt e Tomorrit”
