Bedri Zenel Islami

Bedri Zenel Islami

 

Sefedin Çela

 

Para disa ditësh, në një nga sallat e Qendrës së Solidaritetit “Fundjava Nryshe” u përuruan dy libra të autorit Bedri Islami, “Gruaja në të zeza” dhe “Kryqëzimet e letërsisë”.

 

Për vlerat, idetë  dhe mesazhet që përçojnë këta dy libra, si dhe figurën komplekse te Bedri Islamit dhe letersise se tij folën shumë miq, shokë dhe dashamirës të tjerë të autorit.

 

Veç që nuk më erdhi radha, por edhe sikur të më vinte, për disa arsye të tjera të thjeshta , të vogla nuk do të flisja dot.

 

Unë për Bedriun dhe krijimtarinë e tij kam folur dhe kam për të folur shumë, por në këtë rast do të sjell një shkrimin tim të botuar në librin “Ku po shkon pa dashuri”.

 

 

 

 

Bedri Zenel Islami

 

Kaq shumë njerëz në një promovim. Për karaktere si Bedriu ynë nuk ka rrugë të shkurtra për t’u bërë ky që është bërë. Ai përherë ka zgjedhur të ketë në krah të virtytshmit e jo të pushtetshmit, miqtë e shumtë i ka fituar me atë që ka bërë e ka thënë e kurrë nuk ka blerë e shitur miqësi. Si i thonë, duhet të djersitesh të të duan, kur interesi thjesht vetjak është lënë mënjanë.

 

 

Rrallë ndodh të gjesh në ditët tona një personalitet të përmasave të tilla, me veprimtari të shquar për çështje të mëdha të kombit, si drejtues e organizator për vite me radhë i Lëvizjes Popullore të Kosovës që organizoi luftën deri në çlirimin e Kosovës, po dhe me fjalën e shkruar në disa botime, në prozë, poezi, eseistikë, publicistikë, dy nga të cilat po paraqiten sot.

 

 

Si shkrimtar e publicist ai sjell dëshmi tronditëse nga ato që jo kushdo krijuesi i ndodh t’i përjetojë vet, si historia e rrallë, e dhimbshme dhe e papërsëritshme e të atit, Zenelit, e nanës Dritë, e dajave, e Lladrovcëve të Kosovës, e politikës së ditës në Shqipëri e Kosovë. Raportet që ai ka me personazhet janë të papërsëritshme, e vërteta që vjen si triller artistik është e jashtëzakonshme: kujt krijuesi i ka ndodhur që një personazh si Zeneli të jetë dhe ish nxënës e personazh i Migjenit, edhe babai i autorit? Që Lladrovcët të jenë bashkëluftëtarë e miq të autorit?

 

 

Dëshmitë e tij nuk janë ato të një hulumtuesi të zakonshëm arkivash, të një pjesëmarrësi të rastësishëm në ngjarje, janë dëshmi të birit për atin, janë, në rastin e Lladrovcëve, dëshmi të një bashkëluftëtari me bashkëluftëtarin, apo më mirë, të një drejtuesi me bashkëpunëtorët e vet, në rrethana të jashtëzakonshme.

 

 

E jashtëzakonshme është edhe mënyra si i paraqet dëshmitë e veta: si të vërteta të tij, jo si pronësi e ekskluzive mbi të vërtetën. Ai e fton lexuesin të verë në punë mendjen e vet, të krahasojë opinionet, i fton ata që mendojnë ndryshe të ofrojnë e ballafaqojnë dëshmitë e tyre. Uni i autorit krijon kështu një raport kredibiliteti me lexuesin, një moralitet të lartë, një mall që sot e gjen rrallë ose hiç, sidomos në tregun e politikës e të medias. Sipas tij rruga drejt të vërtetës është me dy kalime, drejt saj shkohet edhe nga drejtime të ndryshme.

 

 

Ky është njeriu që kemi ardhur ta nderojmë sot, që, në fakt, na ka nderuar duke na ftuar. Tërë jetën ka punuar, luftuar e shkruar pa rrahur gjoksin, modestisht, ka dhënë pa kërkuar asgjë në shkëmbim. Ai u rrit duke i parë duart si një mundësi jo vetëm për të ngrënë e mendjen jo si hape sugjestionuese për ta venë në gjumë. Jeta jetohet duke u përpjekur. Edhe vetë Jezusi nuk lindi shpëtimtar. Librat shkruajnë se në rininë e vet bënte stola, ishte marangoz.

 

 

Politika, nga të dy krahët, besoj do të kish dashur ta kishte në radhët e veta, për emrin e nderuar që ka, me ato që ka bërë e me ato që ka thënë. Sigurisht, për veten e tyre. Po ky burrë shërben për çështje e ideale të mëdha, si pasardhës i denjë ; është i politikës së hapur e jo asaj të kulisave. Ai nuk është në rresht me asnjë krah; po ka miq nga të dy krahët.

 

 

Nuk i ndaj dot librat e tij nga vetë ai, prandaj desha të më mirëkuptoni për sa thashë e do të them në mbyllje. Edhe miqësia është rrugë me dy kalime. Miqësitë bashkojnë, e gjej veten në të njëjtën rrugë me Bedriun, kudo që të ndodhet, në Shkodër, Tiranë, Prishtinë apo Gjermani qoftë, në rrugën që bashkon, se ka dhe nga ato që ndajnë.

 

 

Tani dua të bëj një analogji. Majakovski i recitonte poezitë e tij nëpër sheshe të qyteteve të Rusisë, hipur mbi podiume të improvizuar. Një kritik, që nuk e duronte dot poezinë e tij jokonformiste, në formë e në përmbajtje, e ndiqte hap pas hapi edhe në paraqitjet e tij publike, e kritikonte rregullisht në shtyp si thyes të rregullave, rimave e ritmeve të vargut, deri në përmbysje të shpirtit të poezisë ruse. Ishte bërë aq i pranishëm në këtë mani sa Majakovski, sa fillonte takimi, pyeste: “Është Jermillovi këtu”? Jermillovi ngrihej nga cepi ku qëndronte e thoshte: “Këtu më ke”!

 

 

Biografët e Majakovskit shkruajnë se në një rast, në një shesh të Moskës, ai i tha Jermillovit: “Një ditë, këtu ku po flas do të ngrihet monumenti im. Kurse ti do të përmendesh vetëm po të flitet për poezinë time”! Biografët shënojnë se Majakovski gaboi vetëm disa metra.

 

 

Kombet janë bërë e janë rimëkëmbur nga figura të mëdha që kanë ditur ç’kanë bërë e kanë dashur t’ua dinë ç’kanë bërë, po sidomos nga armata të tëra njerëzish, që brez pas brezi, kanë dhenë gjithçka, deri jetën, pa kërkuar asgjë në kthim. Ka ndodhur shpesh që njerëz te të cilët askujt s’i ka shkuar mendja bëjnë gjera që mendja e askujt s’i bën. Ndërgjegjia e kombit nuk fle, mban shënim, kujtesa ngre monumente mirënjohjeje. Rruga e gjatë për t’u bërë burrë e Bedri Islamit ka lënë gjithandej dëshmi, historia shënon.

 

 

Desha t’u vë një titull këtyre dy fjalëve, por u mjaftova me emrin që flet vetë: Bedri Zenel Islami! Nuk dua të jem patetik, as parashikues e zëdhënës i ndërgjegjes së kombit, po them se këtu ku jemi, në Shkodër, ky burrë dikur do të ketë një monument.

 

Do të desha që të gaboja në pak metra.

 

Korrik, 2023