Bedriu, djali i madh i Lulit të Vocërr

Bedriu, djali i madh i Lulit të Vocërr

 

Sefedin Çela

 

Një rreth i paparë miqsh, në një sallë të mbushur plot për të promovuar romanin “Natë pa të nesërme” i mikut të përbashkët Bedri Islami. Rast fatlum që në këtë vendin tonë të shqiponjave mund të ndodhen njëherësh bashkë në të njëjtin vend miq që mendojnë ndryshe, politikisht kundërshtarë, që në shumicën e rasteve i sheh veç e veç.

 

 

Është një botim i plotësuar i romanit më të hershëm me të njëjtën dramë  “Vrasja e Lulit të vocërr”, ku si asnjëherë autori është objekt e subjekt, është dhe personazh dhe njëri prej nesh në sallë!

 

 

Saga e Zenel Islamit, njohur prej çdo fëmije , para brezit tim, në brezin tim, brezat pas e ata që do të vijnë nga proza brilante e Mjeshtrit të fjalës Migjeni e Lulit të vocër, – Zenelit, luftëtari për liri, një nga figurat e larta të pushtetit të  Pasluftës, idealist e i përkushtuar në gjithçka bënte, vrasja e tij tragjike, në prag të 10 korrikut1961, ditës së përvjetorit të krijimit të UANÇL, tronditja e tërë familjes, gruas Dritës fare të re e fëmijëve fare të vegjël, rrethit të saj të madh e të njohur të Gjylbegëve, janë derdhur në letër, përsëdyti, nga djali i madh i Zenelit, Bedriu!

 

 

Zeneli, “Luli i Vocërr” i Migjenit

 

 

Është kaq e pazakontë të gjesh në letërsi fabula të tilla ku trillimi nuk ndahet nga e vërteta, ku personazhet vetëm për çështje etike nuk emërtohen tërësisht me emrat realë, ku autori është dhe i biri i Zenelit e Dritës, nipi i Gjylbëgëve, por, jashtë këtij libri, edhe një figurë e shquar e përpjekjeve për emancipim mbarëkombëtar, tej e këtej kufijve shtetërorë, edhe një mik i mirë i gjithë të pranishmëve.

 

 

Do të përpiqem të them në mënyrën time dy fjalë për këto që solli kjo e hënë ndryshe në Fundjavë Ndryshe.

 

Ngjarjet rrëfehen në vetën e tretë!

 

Drama është tërësisht e tij, e babait e nënës së tij, edhe pse me rezonancë të thellë për tërë shoqërinë, po ai tregon në vetën e tretë, si një histori të të tjerëve, të ngjashme me të tijën, duke u distancuar në emocione, duke mos u zemëruar, duke mos kërkuar të marrë hak, duke mos urryer, duke mos qarë e mallkuar as vetë e as nëna Dritë!

 

Ia ka dalë: është lexuesi ai që zemërohet, ai që i vë gishtin kokës e tregon me gisht!

 

 

Kam shumë ngjashmëri nga fëmijëria ime me fëmijërinë e Bedriut, ndoshta rrethana të tilla kanë ndikuar në miqësinë tonë. Ndoshta dhe nga i njëjti përkushtim për të bërë mirë atë që na është dashur të bëjmë. Po ato pak gjëra që kam dashur të them për veten  i kam thënë në vetë të parë, si të vërteta të mia, jo për t’u besuar më shumë, por nuk më është dashur të distancohem, qoftë dhe emocionalisht e në kohë, ngaqë jeta ime nuk është përballur me rrethana të jashtëzakonshme, si jeta e Bedriut.

 

 

Ndërkaq Bedriu vetë, edhe pse jo një përjashtim, pa dyshim është një prerje jo e radhës, është, si i thonë, një kokë më lart nga të tjerët!

 

 

 Bedriu

 

Nuk është rastësi që në këtë sallë të mbushur plot kishte personalitete nga të dy krahët e politikës, ish ministra e deputetë nga e majta në të  djathtë. Sigurisht. të ftuar, po me dëshirë e dashuri për të ardhur. Kishte miq nga Kosova, bashkëluftëtarë të UÇK – së, me mirënjohje për bacë shkodranin që për vite me radhë ishte në krye të Lëvizjes Popullore, prej nga lindi UÇK, kishte nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kishte intelektualë.

 

 

Sepse figura si Bedriu bashkojnë e nuk ndajnë. Sepse ajo që ka bërë ai në jetë e ajo që shkruan në letër, letërsi a publicistikë qoftë, çon në kohezion, edhe shpirtëror e moral, bashkon e nuk ndan. Ai gjen të ngjashëm edhe te ata që mendojnë ndryshe. Si dhe unë mendon se kundërshtari politik nuk është armik, me kundërshtarin politik garon, e mund me votë, jo me dhunë.

 

 

E vetmja gjë për të ardhur keq është fakti se vemëndja e institucioneve të shtetit për figura të tilla është inekzistente, qeveri pas qeverie, për dekada me radhë. Një pandjeshmëri totale. Në institucione  duket nuk ka axhenda e strategji, kritere e prioritete.

 

 

Bedriu as këtu nuk është përjashtim: marrin pensione të veçanta e mirënjohje , gati si qoka, sportistë e gaztorë, e mirë bëhet, po figurave të tilla nuk u vjen radha. Dekorohen me mirënjohje presidenciale  deri restorante për ata që dinë ç’të hanë e kanë me ç’të hanë e nuk i ka ardhur radha Zenel Islamit, as të birit, Bedriut, jo për hir të babës, por për hir të asaj që ka bërë e bën vetë!

 

 

Më duket se ka një çoroditje në hierarkinë e vlerave, që vrehet kudo të hedhësh sytë, që vihet re sidomos në media. Vrapohet pas klikimeve, asaj që ofron reklamë, që sjell para!

 

 

Modele  për shoqërinë si Bedriu nuk përputhen  më këdo që Për’puthen banaqeve televizive, ai nuk  vjen nga xhungla e vipave  të Big Brother, të stisur me botoks e flokë e thonj allasoj. Ai nuk është nga ata që midis qindra shënjtorëve zgjedh të festojë vetëm Shën Valentinin.

 

 

Do të desha që atë që pashë e ndjeva atë të hënë ndryshe në Fundjavë Ndryshe, – një  elitë bashkë, si miq, t’a shihja përditë: të shihja që  në këtë vendin tonë të shqiponjave gjërat të jenë në vendin e vet!

 

 

Nuk është shumë.