Berat – Çorovodë: Mllef politik në 40 km rrugë

Berat – Çorovodë: Mllef politik në 40 km rrugë

Sa lë Çesmën e Thatë, pak në të dalë të Beratit, rruga që të çon nga Tirana në Skrapar, i ngjan atyre të viteve ’90 të shekullit të kaluar.

 

Jo i ngjan, por është e atyre viteve, e bërë “me tender nderi” nga Koço Kokëdhima dhe që çuditërisht ngjan edhe me Koçon, me çapitjet e rrëgjuara, të dështuara dhe mashtruese të tij.

 

E bërë ashtu, shkel e shko, pa asnjë parametër bashkëkohor, pa standard e cilësi, po t’i shtosh edhe se në këtë rrugë “ka kaluar dhe kalon” ende mali i Tomorrit dhe i Ramijes me makineritë e rënda me gurë, mermer dhe pllaka, kuptohet se në ç’ gjendje katastrofale është ajo. S’besoj të ketë rrugë tjetër në Shqipëri në gjendjen e saj. Për 50 km rrugë nga Berati në Skrapar do një orë e gjysmë të arrish në destinacion.

 

Duket se kjo copë rrugë është lënë enkas kështu për t’u thënë skraparllinjve të urtë e të mirë se shakatë me qeverinë dhe politikën janë dëm i kokës. Ato jo që të lënë pa rrugë, por, po të duan, të lënë edhe pa bukë edhe pa ujë, të rrethojnë edhe me tela me gjemba…Me një fjalë, të bëjnë atë që s’ta pret mendja.

 

Rruga Berat-Çorovodë është rruga me historinë nga më interesantet, por më të hidhurat nga të gjitha rrugët e vendit tonë, ku politika ashiqare këtu e tridhjetë vjet nxjerr dhëmbët dhe kërcënon: “O me mua, o s’ka rrugë, zgjidh e merr”!…

 

A nuk ndodhi kështu kur pushtetin e kishin demokratët para ’97-ës; a nuk ndodhi kështu me Nanon para 4-5 vjetëve, kur tha: “Doni Ilirin? Bërrylin rrugë”! Kur qe në pushtet Saliu jo që jo, s’donte që t’i dëgjonte emrin Skraparit. Kur përsëri qe ai që krenohej se “ishte i bir atyre maleve trimërore”, i bëri skraparllinjtë copë-copë, siç thonë ata, “perrende-perrende”, për t’ua marrë votën me një thes miell.

 

Ndësa këtij “të gjatit”, dihet, “nuk i hyjnë në sy” rrugët provinciale, e ka syrin te tunelet, superstradat, portet, aeroportet dhe satelitët e hapësirës.

 

Edhe në buxetin e vitit që vjen dhe që pritet të miratohet së afërmi, asnjë qindarkë, asnjë metër rrugë s’ka për Skraparin as për rrugën e Përmetit.

 

Kështu të shkretët skraparllinj, qytetarë të këtij shteti inatçor, do të kollotumben akoma, do shajnë e do të shfryjnë, por s’do t’ua vërë kush veshin, si deri tani.

 

Megjithatë ata s’e vrasin mendjen e s’e shesin veten për një copë rrugë. Do të shkojnë “krenarë” në votime!

Janë mësuar me karshillëqe e inate, madje edhe me lavde e miklime lufte dhe elektorale. Por  çdo gjë ka kufi! Skrapari po thahet, po vyshket, po mpaket dhe plaket çdo ditë. Mos politika do që ta zhdukë nga edhe harta pasi e voli dhe e moli mirë dhe s’i duhet më!?…(Z.H)