Besnik L. Caka: Shtëpia jonë, që “ka frikë” të na presë!…

Besnik L. Caka: Shtëpia jonë, që “ka frikë” të na presë!…

Shënime që s’më bënte dora t’i shkruaja

 

Benik L. Caka

 

“Nuk ka kuptim, të vij në Korçë dhe të mos ngjitem një copë herë në Vithkuq, – vazhdon im vëlla, – qoftë edhe sa t’u ndez nga një qiri të vdekurve…!”

 

 

Këmbëngulja ime deri atë çast se ështe e vështirë të gjendet makinë për t’u kthyer, nuk ka më vend…Aq më tepër që e shoh shumë të vendosur. Dhe, ka të drejtë,  ka vite pa u ngjitur në fshat, me të cilin e lidhin po aq fije malli e dhembshurie sa edhe mua. Por, ndryshe nga unë, që jam afër dhe shkoj sa herë më krijohet rasti, vëllai banon larg dhe nuk e ka këtë mundësi.

 

 

Natyrshëm, pra, vizitën e parë ua bëjmë  të fjeturve, gjyshërve tanë, të cilët, si gjithnjë, prej vitesh tashmë, na presin e përcjellin në heshtje. Jo si dikur, kur mbërritjen tonë në fshat e merrte vesh lagjja mbarë, madje edhe gjithë fshati!

 

 

Ndërsa nuk është e vështirë të dalloj tek vëllai një lloj çlirimi apo shenjë kënaqësie, që duket se buron nga përmbushja e një boshllëku shkaktuar prej kohësh brenda tij, ndjej sikur ajo zbrazëtirë transferohet tashmë brenda meje…

 

 

Viteve të fundit, sa herë vij në Vithkuq, më kaplon shpesh kjo ndjesi, sidomos kur hedh sytë rreth e rrotull varrezës. Sa shumë njerëz ! Dhe pothuaj të njohur, të gjithë…

 

 

Ja, xhaxhi Vangjo, që e kishim komshi…Ja, Lirika…Ja, xhaxhi Ropi, postieri i fshatit…Ja, Cici dhe teta Liri, që punonte në furrë…Teta Giqe kjo më tutje, motra e gjyshit… Ja dhe xhaxhi Marko me tetën Polë, së cilës i pëlqenin cironkat…Ja dhe… Ja dhe…!

 

 

Por sa pak, sa pak të gjallët që njohim dhe përshëndesim në rrugë!…

 

 

Ndonëse verë dhe dita është e gjatë, duket se kjo nuk mjafton që të mbushë zbrazëtinë time. Asgjë nuk ndryshon edhe kur pasdite ca nga qejfi që kemi ardhur këtu, ca nga derti që nuk po gjejmë atë që kërkojmë, rrëkëllisim disa gota raki kumbulle, ndoshta po aq të mirë sa e ziente gjyshja jonë dikur.

 

 

Ndërsa kur në mbrëmje zemë dhomë për të fjetur në hotel, boshllëku ndihet edhe më i madh. Hoteli thuajse ndodhet mes shtëpisë së gjyshërve dhe “banesës” së përjetshme të tyre… Shtëpia, thuajse e rrënuar tashmë, ka “frikë” të na presë.

 

 

Sigurisht, është ende herët  t’iu bashkohemi gjyshërve në “banesën e re”…

 

 

Jemi  “të dënuar” ta gdhijmë aty, në mes…

 

 

Ndërsa im vëlla ka nisur të gërrhasë, më duket krejt absurde dhe e padrejtë që, në fshatin e Nënës sime, domethënë në fshatin tim, të fle në  hotel!…

 

 

Njësoj si të jem një udhëtar i zakonshëm, që nata e zë në udhë…

 

 

Kuptoj se fshati po vdes për ne, pak e nga pak. E di dhe kur zë fill vdekja e tij.

 

 

Si sot, plot 28 vite më parë…!