Bledar Koçi/ Guri i vendit tim (cikël me poezi)
Bledar Koçi. Ndoshta nuk ishte nevoja për ta prezantuar, pasi ai tashmë është një poet i formuar, i konsoliduar në origjinalitetin dhe stilin e vet krijues, pasi ka botuar dy vëllime poetikë, “Pyesni zogjtë” dhe “Stina e qeshive” dhe ka po kaq poezi të tjera të hedhura në rrjetet sociale që presin të botohen për një lexues më të gjerë.
Por po e prezantojmë për dy arsye të tjera: E para, se vjen për herë të parë në kategoritë dhe rubrikat e e gazetës online “Orakujt e Tomorrit” dhe, e dyta, sepse ai është me origjinë nga ato treva (nga Prishta) që ka si objekt dhe operon gazeta “Orakujt e Tomorrit”.
Bledar Koçi është një poet lirik. E nisi rrugëtimin poetik shumë i ndrojtur, me disa poezi të shkurtra me tematikë plagën e kohës, emigracionin, të cilat u bënë tekste këngësh, gjithësesi të sukseshme dhe që zunë vend mirë.
Ishin këto shkëndijat e para, por edhe ndihma dhe inkurajimi i poetit të ndjerë, Demir Gjergji, të cilit i kishte rënë në sy prirja dhe talenti i djaloshit të ri, që ai të gjente rrugën e tij.
Më poshtë, duke i uruar Bledarit suksese në rrugën e gjatë poetike, po paraqesim, “ç’na ka zënë dora”, një tufë poezish të tij:
GUR I VENDIT TIM
Kryet ulur fshatit zbrita
e kaptoj të fundit mur,
te burimi ndanë përroit,
hodha çantës dhe një gur.
Një barrë plumb preu gjunjët
teksa pret një rrugë e gjatë,
përshëndet atij mëngjesi,
vesënjomur një lofatë.
Peshon malli dhe jo guri
të kërrus e shpinës ther,
ç’dhimbje kokën të kthesh pas
të vështrosh edhe një herë…
……
Çaj përmes autostradash
guri im ndihet i huaj
e prek lehtë, e ledhatoj
një Vendlindje, me të vuaj..
Je besnik e të ndjej timin
dhe i heshtur, me ty flas,
flet dhe ti tregon pareshtur
larg atje.. ku shpirtin ngas.
Si me lutje diç më thuaj,
(kaq i rëndë, sa ty, premtimi.)
“ Mbamë, por çomë sërish atje,
ndanë përroit te burimi… “
DOLLIA
Tek zjente një káde, dëng me bërsi
Deriçkës prej lisi ku zgjatej hardhia,
Filxhanët kercisnin, e derdhej raki,
Se zemrat e miqve i mbushte dollia.
“Gëzuar, të paça, .. pije me fund”
Shëndetin e mikut, nget zot’ i shtëpisë.
Një erë vjeshtake deriçkën përkund,
E lehur e Balos gëzohej avllisë.
Dhe nata hedh yje kur mali u mardh’
Këngën me iso kasollja s’e nxë,
Agimit të purpurt, ja.. dita po zbardh
Thërret dollibashi: “T’a pijmë edhe një.”
U pinë të fundit filxhanë me raki
Mbështetur një káde ku zjente bërsia,
Dhe era e vjeshtës, përplot dashuri..
La pas në kasolle ku mbeti dollia.
SHTJELLË STUHIE
– Xhevahir Spahiut –
Një vrundull er’ e marrosur
Ulet, ngrihet furishëm,
Fryrë, shfryn e xhindosur
Me shkulm uragani fuqishëm.
Humnerash ngjitet përpjetë
Mbi majën e majës-Tomorr,
Atje trazohet me retë
E zbret ortekut dëborë.
Vërshon poshtë në luginë
Përrenjve zajesh e gurë,
Mes strumbujsh rrufesh.. gjëmim,
Ngjizet, gatitet një Burrë.
Lartuar, derdhur gjigant
Një zëri, një fjale-tërmet,
Si shtjellë stuhie më ngjan
Flokshprishur i madhi Poet.
ERËMIM
Ç’aromë…
Ç’aromë atyre mureve!
Erëmójnë myshqet gurëve..
Erëmón portë e drunjtë.
Erëmójnë duart e nanásë mbi perde peróndave mbetur…
Erëmón dhe baltë e trëndafilit të vdekur.
(Ah, trëndafili.. që më ndiqte avllisë e gajasej me mua)…
Erëmón tmerrësisht dhe një mën gjysmë prerë, dimrash i mardhur.
Dhe kashtë e kasolles me thupra bri hënës varur.
Ç’aromë…
Ç’aromë atje!
Dhe unë erëmój…
Në çapa fëmije,
Mes tyre përmallur.
TRE YJE, TRE FRASHËRLLINJ
Rrëzë Kokojkës thosh një nënëz
Një ninullë për tre kërthinj,
T’i lartojë me një këngëz
Tre të mençur frashërllinj.
…
Ç’i rrëmbeu stuhi e marrë,
E trishtoi Dangëllinë..
Kur tre yje mërgimtarë
Hoqën udhët për Janinë.
Pendëngjyer diell e lotë,
Ja, Naim’ i vjershërisë,
Një Abdyl shkëlqen mbi botë
Nëpër mall të Shqipërisë.
Dritëmbytur fle Stambolli
Njëqind vjet që ndrin e nxin
Njëmijë zjarre qiellit mblodhi
Prapë ska dritë…pa Shemsedin*.
…
Feks Kokojka në tre yje
Udhët mori në mërgim,
Ndizen netësh male, pyje,
Nga tre burra frashërllinj.
* Shemsedin – Sami Frashëri
VAJZA ARVANITE
Më derdhte qepallës
Vështrimin prej drite
Atje në ugare
Një vajzë arvanite.
Trup-vogla zeshkane
Avitej si ngjalë
Me buzë çuçuriste
“Ç’u bëshe vre djalë?
E unë kuqëloja
Në faqet si zjarri,
Ashtu si shalqijtë
Sërë-sërë te ugari.
Ajo, dhelpërushe,
Rrëshqanas mbi dhè,
Rrëzë veshit më fliste
“Sa vitra i ke?
Çalltisur mendoja
E druaja një frike
Si puthej, s’e dija..
Një vajzë arvanite.
Ç’të bëja, ç’ti thosha,
Se s’doja gjë tjetër.
Veç puthjes tek rendja
I verdhur si pjepër.
…
Dhe ika me vjeshtën
Ugarit, kaq vite
Me pengun që s’putha
Një vajzë arvanite.
Bledar Koçi
-Ç’u bëshe – Ç’u bëre
Sa vitra – Sa vite
SHKËMBI I SHERRIT
Gjigand.
Hijerëndë…
Nën supet ngrehur
Ti vetëm hedh vallen i ngrysur
Se s’flet me askënd.
Në sherr me erën?
Me shiun?
Me Zotat?
Me njerëzit?
….Currila argjend të rrjedhin
mbi gjoksin e heshtur.
Vigan.
Misterioz…
Në shekuj sherrxhi.
Fustanellës së gurtë,
veç gurët të flasin.
Me gjurmë stuhish.
Që përplasen me klithma,
dhe vdesin të ngrira
Tek ti.
KALAJA
Një currilëz të tharë dhe një mërmërimë dielli gjeta atje,
Dhe një xhind i etur që thekej pas murit..
U nguta t’a kap, më shkau përtej
Aty, n’ato mure
Legjenda e fundit.