Bogova piktoreske e Skraparit, atraksion për vendasit e të huajt, por me rrugë të amortizuar

Bogova piktoreske e Skraparit, atraksion për vendasit e të huajt, por me rrugë të amortizuar

 

 

Bogova është një ndër qendrat e vogla turistike dhe natyrore nga  më të bukur në Skrapar, që njihet për ujëvarën me të njëjtin emër.

Edhe pse janë hapur bujtina e restorante, zhvillimin e turizmit e pengon infrastruktura. Sidomos rruga nacionale Berat-Skrapar, e cila është tejet e amortizuar.

 

 

Mimoza Sinanaj

 

Kushdo që udhëton nga Berati në Skrapar këto ditë të nxehta korriku, nuk largohet pa u ndalur tek uji i ftohte i Bogovës. Fshati piktoresk shtrihet në rrëzë të malit të Tomorrit dhe është i rrethuar me gjelbërim e burime të shumta ujore. Uji që buron nga mali mblidhet në një rezervat natyral i cili quhet Bogë, prej nga ka marrë emrin fshati.

 

 

Një shekull më parë familja Qama ndërtoi mullirin e parë artizanal, ku fshatarët bluajnë grurin e misrin. Ky mulli bloje është funksional edhe sot dhe për këtu punon mullixhiu Fatmir Qama.

 

 

Fatmir Qama tregon se “ishim familja e parë që zbritën në këtë zonë dhe më pas erdhën edhe familje të tjera”. Sakaq thotë se “dëshiron ta rindërtojë mullirin siç ka qënë dikur me rrasa guri”.

 

 

Kujtim Bakiu, banor i zonës tregon gjatë dy dekadave të fundit fshati turistik është prekur nga shpopullimi edhe pse ka resurse natyrore. Shkak është mungesa e infrastrukturës, sidmos rruga nacionale Berat-Skrapar tejet e amortizuar. Po kështu në fshat nuk ka qendër shëndetësore dhe shkolla ka mbetur me pak nxënës. Banorët e mbetur në Bogovë merren me bujqësi dhe disa prej tyre me turizëm, ku janë hapur 20 biznese, restorante dhe bujtina.

 

 

Ata që vizitojnë Bogovën janë kryesisht eksplorues të natyrës që vijnë në këtë vend për Ujëvarën e Bogovës, me ujë të ftohtë dhe të kristaltë. E pozicionuar në anën e majtë të luginës së Osumit, kjo perlë natyrore gjendet e fshehur mes pyjeve dhe izolimi i saj përbën pikën e fortë të këtij destinacioni mbresëlënës.