Borova martire dhe një akt thellësisht njerëzor 70 vjet më vonë

Borova martire dhe një akt thellësisht njerëzor 70 vjet më vonë

Më 6 gusht 1943 forcat gjermane, duke hyrë nga Greqia, bëjnë një nga maskrat më të mëdha që njihet në Shqipëri, Maskrën e e Borovës

 

Veprimin barbar që kryen nazistët gjermanë më 6 korrik 1943, në fshatin Borovë të Kolonjës, ishte hakmarrje për pritën që organizuan në Barmash ato ditë forcat partizane kundër divizionit gjerman që hyri në tokën shqiptare nga Greqia.

 

Është masakra më e madhe që kryen gjermanët në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ata rrafshuan dhe dogjën fshatin Borovë dhe vranë 107 veta, gra, fëmijë, pleq dhe njerëz të tjerë të pafajshëm dhe të pambrojtur.

 

Masakra e Borovës ngjalli një urrejtje të madhe në mbarë popullin shqiptar ndaj pushtuesve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve vendas. Dhimbja u kthye në forcë, bijtë dhe bijat e Borovës dhe mbarë populli synë u hodhën më me vendosmëri në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

***

70 vjet më vonë, në vitin 2013, Markus Burger, djali i ushtarit gjerman Anton Burger, një nga autorët e masakrës, vjen në përkujtimin e ngjarjes në Shqipëri dhe iu kërkon falje banorëve të Borovës për krimet monstruoze të të atit.

“Babai im nuk më tregoi kurrë për Borovën. Tani që zbulova aktet çnjerëzore, figura e tij më është kthyer përmbys”, u shpreh Markus Burger para pasardhësve të viktimave. Burger kishte ardhur apostafat  në homazhet me rastin e 70-vjetorit të të rënëve në këtë fshat, dhe pasi ka takuar të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, u ka kërkuar atyre falje publike.

 

Nuk doja të isha i biri i një vrasësi

 

Pas vdekjes së të atit, Markus Burger ka shfletuar ditarin ku Anton Burger kishte përshkruar lëvizjet e trupave gjermane gjatë luftës. Në rreshtat e lexuar ai ka mundur të kuptojë se babai i tij ka qenë pjesë e atyre ushtarëve që masakruan fëmijë, gra e burra. Pasi është lidhur me ambasadën, ai ka mundur të kontaktojë me përfaqësuesit e zonës dhe më pas të vijë në Shqipëri. “Unë asnjëherë nuk kisha dëgjuar për Borovën.

 

Babai im gjatë gjithë jetës së tij nuk më ka folur për veprimet që kishte kryer gjatë luftës. Ai kishte disa shënime, të cilat i mbante me kujdes të madh. Pas vdekjes së tij, rreth dy vjet më parë, pata mundësinë t’i shoh. Atje nuk mund të zbulohet thuajse asgjë, pasi ngjan më tepër me një kalendar.

 

Rreth një vit më parë u botua një libër për këtë masakër dhe unë e mora nga kureshtja për të mësuar çfarë kishte ndodhur, pasi dija që babai im kishte qenë në Shqipëri gjatë luftës. Teksa e lexoja m’u kujtua që emrin Borovë e kisha hasur edhe në ditarin e tim ati.

 

Nisa të pyes, të kërkoj më tepër, dhe arrita në përfundimin se një prej ushtarëve që kishte marrë jetë në këtë fshat ishte edhe im atë…Doja që babai im të mos ishte një ndër personat që drejtoi armën ndaj atyre fëmijëve, grave dhe burrave, por ja që kështu ishte. Pas luftës babai im kishte marrë vendimin që të mos fliste për të. Ndoshta donte të mos rikthente në mendje këto kujtime, por kjo ka ndodhur.

 

Detyrimi im moral: Falje për gjithçka ka ndodhur

 

Pasi mësova të vërtetën, ndjeva detyrimin moral të jem këtu dhe t’u kërkoj falje këtyre njerëzve. Përmes Ambasadës Austriake (jeton në Austri), m’u mundësuan kontaktet me autoritetet dhe njerëzit këtu. Doja shumë të vija, pasi 70 vjet më parë babai im ka qenë në këtë vend dhe ajo që ka ndodhur më 6 korrik të vitit 1943 në Borovë më sjell pamjen e babait, ma përmbys imazhin e tij. Ai nuk tregoi kurrë rreth Borovës, nuk fliste zakonisht për luftën shkatërruese e cila kishte sjellë shumë dhimbje, dëshpërim dhe urrejtje për shumë njerëz në Europë. Vetëm një vit më parë dhe dy vjet pasi babai kishte vdekur, munda të gjej ditarin e tij, i cili fliste për Borovën.

 

Më pas gjeta dhe një libër dedikuar njësisë në të cilën babai im kishte shërbyer. Ishte një keqardhje shumë e thellë dhe nuk mund të përshkruaj ndjenjat e mia nga ajo ditë, dhe veçanërisht sot. Nuk jam këtu të zvogëloj dhimbjen dhe keqardhjen. E vetmja gjë që unë jam i aftë të bëj, është që ta ndaj këtë përkujtimore me ju dhe t’ju kërkoj falje për atë që ka bërë babai im këtu.

 

Markus Burger është mirëpritur nga banorët dhe familjarët e viktimave. Pasi dëgjuan ndjesën për krimet e babait të tij, ata e mbështetën dhe vlerësuan veprimin e tij.