Botanisti italian me famë botërore, Antonio Baldaçi, në Tomorr

Botanisti italian me famë botërore, Antonio Baldaçi, në Tomorr

 

Profesor Antonio Bldaçi e ka përshkuar Tomorrin dhe zonat për rreth tij mëse një herë. Hera e parë ka qenë në vitin 1892, ndërsa më pas, për mundësitë që pati me punën e gjatë që bëri në Shqipëri, ai erdhi edhe disa herë të tjera këtu.

 

 

Në zonën rreth Tomorrit ai zbuloi një bimë endemike të veçantë, e cila, në vitin 1928 është futur në regjistrin botëror të botanikës me emrin e vendit ku është gjetur, Nepenthes Tomoriana Sulovasi (Zambaku i Tomorrit).

 

Por nuk është vetëm Zambaku i Tomorrit zbulim i Baldaçit, janë edhe shumë bimë të tjera endemike në Shqipëri, sidomos në Alpet e Veriut, që janë zbuluar dhe emërtuar nga Baldaçi.

 

 

Ai ka shumë shënime dhe përshkrime për Tomorrin, por në këtë rast ne po përmendim vetëm një, mbylljen e një kapitulli me frazat:

 

 

 

 

“Lamtumirë Berat, o qytet i bardhë, lamtumirë, o Tomorr i përjetshëm e krenar”!…

 

 

 

 Zambaku i Tomorrit (Nepenthis Tomorriana Sulovasi)

 

 

 

Po kush ishte Antonio Baldaçi

 

 

Antonio Baldaçi ishte një botanist dhe gjeograf italian, një pasionant i studimeve etnografike, politike dhe socio-ekonomike që bëri një jetë të tërë shkencore mes shqiptarëve.

 

 

U lind më 3 tetor të vitit 1867 në Bolonjë. Ende pa kryer shkollën e mesme, më 1884 u nis në rrugë drejt Ballkanit. Duke vazhduar studimet universitare, nën drejtimin e botanistit dhe fitogjeografit të madh Federiko Delpino, filloi të shtrijë udhëtimet e veta botanike në Shqipëri.

 

 

Ai i kushtoi jetën shkencës dhe Shqipërisë dhe krijoi plot 118 vepra nga të gjitha fushat. Një institucion i vërtetë shkencor qe vetëm herbariumi i përbërë nga 100.000 bimë të mbledhura në malet e fushat e Shqipërisë tregon për një heroizëm të vërtetë shkencor.

 

 

 

Nga këto bimë, dyzetë prej tyre janë bimë të rralla, ku mund të kujtojmë “Zambakun e Tomorrit”. Shumë bimë të rralla të zbuluara nga A. Baldaçi janë emëruar me emrin e tij. Puna e përkushtuar ndaj shkencës dhe si mik i veçantë i një vendi krejtësisht të paeksploruar deri atë herë, e bënë anëtar të pesë akademive, anëtar i Akademisë së Bolonjës, Athinës, Vienës, Bukureshtit, Budapestit, Syllogos Parnassos i Athinës dhe Shoqërisë Gjeografike të Vienës.

 

 

Këtë vit mbushen 120 vjet nga dita kur A. Baldaçi hyri për herë të parë në Shqipëri. Deri tani janë përkthyer dhe botuar disa punime të Baldaçit në Shqipëri.

 

 

Pavarësisht botimeve, fatkeqësisht deri tani kjo figurë kaq shumë poliedrike ka qenë në heshtje të plotë në Shqipëri, megjithëse ka shumë dekorata e vlerësime nga vendi i tij, nga vendet evropiane dhe ato ballkanike.

 

 

Antonio Baldaçi, botanist e gjeograf, kulturor i studimeve etnografike, politike e socio-ekonomike vjen në Shqipëri dhe vit pas viti rrit numrin e miqësive, e njohjeve, që më tej konsiderohen të dobishme për interesat ekonomike, politike dhe ushtarake të qeverisë italiane të asaj kohe në zonën e Ballkanit.

 

 

Artikujt e Baldaçit për Shqipërinë, të realizuara në autonomi ngjallin interes dhe publikime në revistat më të lexuara të kohës në Itali, falë edhe bashkëpunimeve me institute shkencore.

 

 

Pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste, Baldaçi vazhdon interesin e tij për punën shkencore në Shqipëri. Në vitin 1942, ai konsiderohet ekspert, njohës i vendit tonë dhe e ftojnë të bëhet pjesë e institucioneve, si Këshilli drejtues i studimeve shqiptare pranë Akademisë së Italisë, Instituti i studimeve shqiptare në Tiranë dhe emërohet këshilltar kulturor i Lungotenenzës së përgjithshme në Shqipëri, deri në vitin 1943, kur Shqipëria pushtohet nga trupat gjermane.

 

 

Nga publikimet e Baldaçit, sot kanë mbetur rreth 250 artikuj dhe vëllime, të cilat kujtojnë itineraret shqiptare. Pasioni ballkanik i Baldaçit shpjegohet me faktin, që para se të ishte politikan, ai ishte studiues: interesi për të panjohurën dhe kërkimi për njohje të thelluar ishin baza e jetës së tij.

 

 

 

 

Kërkimet e Baldaçit në Shqipëri

 

 

  • Në vitin 1888 bëri kërkime ndërmjet Vlorës dhe Prevezës.

 

  • Më 1889, me francezin Bertrand,  eksploroi botanikën e Sazanit.

 

  • Më 1890, me Mileliren, bëri udhëtimin prej Prevezës në Janinë, duke kërkuar e mbledhur bimët e zonës.

 

  • Më 1892 bëri një koleksion botanik, duke shëtitur në krahinën e Tomorrit.

 

 

  • Tashmë kishte vënë re se flora shqiptare lidhej në mënyrë të çuditshme me atë të Kaukazit dhe të Azisë edhe më të largët, dhe për të gjetur urën e lidhjes në vitin 1893 bëri një ekskursion në Kretë.

 

  • Më 1894, 1895 dhe 1896 përsëri në Shqipëri duke mbledhur bimë.

 

 

  • Më 1897 ia kushtoi udhëtimin e tij të tetë në Shqipëri eksplorimit të Alpeve Shqiptare; u nis bashkë me mikun e tij të përzemërt gjeografin gjerman Kurt Hassert.

 

  • Më 1898, pa u lodhur dhe pa u trembur, bëri një koleksion tjetër botanik.

 

 

  • Më 1899 e ndjeu të nevojshme të vizitojë Kretën edhe një herë, dhe po në atë periudhë edhe Kirenaikën, që paraqiste po atë interes.

 

  • Më 1900, 1901, 1902, 1903 vazhdon kërkimet në malësitë e veriut. Më 1901, bashkë me Kurt Hassertin, filloi punën  për një hartë etnografike të Ballkanit, mbi baza shkencore dhe të paanëshme, por me qëllim që të delte në shesh përhapja e vërtetë e popullsisë shqiptare.

 

 

  • Më 1902 dhe 1903, tashmë eksplorator dhe dijetar i njohur, kryesoi një mision shkencor në mbarë krahinën e Cemit, me përfundime të çmueshme.

 

  • Në vitin 1906 iu ngarkua nga Drejtoria e Hekurudhave shtetërore italiane një mision për studimin e pyjeve shqiptare dhe prodhimeve të tyre. Njëkohësisht kreu një studim mbi peshkimin në brigjet e Shqipërisë, që i duhej Ministrisë së Bujqësisë, Industrisë dhe Tregtisë për të për të rritur traktatin tregtar me Austrinë.

 

 

  • Ministria e Luftës e dërgoi një vit më pas për të hartuar statistikën e kuajve dhe të mushkave të Shqipërisë dhe për të parë nëse mund të eksportoheshin ato në shërbim të ushtrisë. Njëkohësisht Ministria e Bujqësisë, e Industrisë dhe Tregtisë i kërkoi një studim mbi pasurinë zooteknike shqiptare, për të blerë mish për Puljen.

 

  • Në vitet 1908-1910 studioi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjendjen politike të Malit të Zi, të Shqipërisë, të Serbisë dhe të Kosovës.

 

 

  • Më 1914 organizator të shërbimeve publike dhe pak më vonë u emërua këshilltar civil  pranë Komandës së Përgjithshme Detare të Vlorës, zyrë ku punoi deri në mbarim të luftës.

 

  • Me të mbaruar lufta u mor në shërbim të Zyrës Historike të Mobilizimit, ku punoi deri më 1921.

 

 

  • Vitet e fundit filloi të kujdesej për studimet dhe ristudimet e veta, si dhe për zyrën si Kryekonsull nderi i Shqipërisë në Bolonjë.