“Bukuri nën ferexhe”

“Bukuri nën ferexhe”

 

 

Kur thua Kavaja, mendja menjëherë të shkon te lidhja e këtij qyteti me fenë islame, me numrin e madh të xhamive dhe minareve, por edhe me numrin akoma edhe më të madh të besimtarëve të kësaj feje. Historikisht kështu ka qenë Kavaja, qytet i kultit, zemra e besimit islam shqiptar, një qytet i qetë, me njerëz të mirë, patriotë në luftë dhe punëtorë në paqe.

 

 

Nëse do ta ktheje në një simbolikë, në konvencion a metaforë besimin e thekshëm dhe shpirtin e butë të banorëve të këtij qyteti dhe fshatrave rreth tij, do të mahniteshe nga një bukuri e ndrojtur, e fshehur, disi ekzotike, një bukuri nën ferexhé. Hiq nja 30-40 vjet të regjimit komunist, kur, më dhimbshëm se kushdo, Kavaja e ndjeu prishjen e brutale të objekteve fetare (të besimit shpirtëror-jo!), dhe Kavajën mund ta quash “kryeqytetin” islam shqiptar.

 

 

Kalo vetëm në magjistralin kryesor, në autostradën që shkon drejt Jugut, dhe syri të zë një pyll minaresh, 10 janë vetëm në qytet, ndërsa me gjithë të fshatrave bëhen 30 të tilla, që i bie 3500 veta (jo të gjithë besimtarë myslimanë) për xhami, si në asnjë qytet tjetër në Shqipëri(!).

 

 

Kavaja në shekuj

 

Kavaja, si gjithë territori shqiptar, ka qenë banuar qysh në lashtësi. Këtu, paralel me bregdetin nga Durrësi deri tek Shkëmbi i Kavajës (Petra) kalonte Via Egnatia, e cila, pastaj vazhdonte në vijë të drejtë për në Kavajë e me pas merrte drejtim për në Harizaj dhe Rrogozhinë. Në kohën e Principatës së Muzakajve fusha e Kavajës deri te Shkëmbi i Kavajës konsiderohej si pjesë e fushës së Myzeqesë dhe quhej Tomonishte.

 

 

Kavaja për herë të parë përmendet në dokumentet osmane në vitin 1431 si fshati Kavalia (nga latinishtja: kali, kuaj; mund të ketë ngelur ky emër që nga beteja e Qezarit me Pompeun te Mali i Robit, Shkëmbi i Kavajës, ku mund të ketë qenë kavaleria, kalorësit). Në atë kohë ky fshat kishte 16 shtëpi, të gjithë të krishterë. Pas një shekulli, në mesin e shekullit XVI Kavaja kishte rreth 750 banorë, pothuajse mbi gjysma e tyre ishin myslimanë.

 

 

Kavaja ishte e njohur për përpunimin e poçerisë, qilimave dhe bakrit. Para çlirimit ishte qytet me dyqane zejtarie, rrugë të ngushta dhe shtëpi të vogla.

 

 

Në vitet e socializmit u kthye në një qendër industriale dhe bujqësore. U hapën rrugë të reja, u ndërtuan shumë ndërtesa banimi, social-kulturore dhe industriale. Kavaja kishte disa fabrika që prodhonin për të gjithë vendin, fabrikën e qelqit dhe të xhamit, fabrikën e letrës, uzinën e gozhdë-bulonave, ndërmarrjen e prodhimit të qilimave, ndërmarrjen bujqësore etj.

 

 

Fabrika e qelqit dhe e xhamit në Kavajë ka qenë qendra më e madhe e industrisë së qelqit në Shqipëri. U ngrit në vitin 1970 dhe përdorte vetëm lëndë të parë të vendit. Kishte disa linja për prodhimin xhamit, të ambalazheve dhe prodhimeve prej qelqi për përdorim të gjerë. Prodhonte me proces teknologjik të përparuar xham fletë me trashësi 2-8 mm, xham të thjeshtë e të kurbëzuar me kalitje, enë qelqi laboratorike, pasqyra, sende zbukurimi etj.

 

 

Fabrika e gozhdë-bulonave e ngritur në Kavajë pas vitit 1970 ishte prodhuesi ekskluziv i të gjitha llojeve të gozhdëve që përdoreshin në ndërtim dhe në industrinë e drurit. Po kështu, ishte prodhuesi më i madh i bulonave që përdoreshin në industrinë mekanike, të prodhimit të makinave dhe traktorëve, si dhe të SMT – ve.

 

 

Fabrika e letrës në Kavajë ka qenë më e madhja për prodhimin e letrës ambalazh që përdorej për thasët e çimentos, në industrinë ushqimore etj. Një nga ndërmarrjet më të fuqishme, ku ishin punësuar qindra gra ishte ndërmarrja e qilimave dhe e sixhadeve, e krijuar edhe kjo në vitet 1970. Kjo ndërmarrje prodhonte kuverta leshi, qilima artistikë e, më vonë, edhe sixhade ,të cilat eksportoheshin. Pas vitit 1991 të gjitha këto fabrika dhe punishte u shkatërruan.

 

 

 

Sot rolin kryesor në të ardhurat e luan turizmi, sidomos gjatë periudhës së verës, kur mendohet se atë e vizitojnë rreth 400.000 turistë. Të ardhurat e tjera vijnë kryesisht nga bujqësia, kjo e ndikuar shumë nga relievi (fusha e Myzeqesë dhe fusha e Shkumbinit të Poshtëm). Industria është pak e zhvilluar dhe është e përqendruar vetëm në nxjerrjen e gazit natyror në Sinaballaj. Të ardhurat e tjera këtu vijnë nga emigrantët, të vendosur së shumti në Itali.

 

 

Religjioni islam në Kavajë

 

Sipas studiuesve, kontaktet e Kavajës me Islamin kanë qenë të hershme, madje edhe para ardhjes së osmanëve, ku misionarë islamë, jo vetëm në Kavajë, por edhe në shumë rajone të tjerë të Shqipërisë ngritën objekte kulti, xhami (historia shqiptare njeh shumë të tilla). Pas gjysmës së parë të shekullit XVI myslimanët do të bëheshin një komunitet jo i vogël, që domosdo kërkonte të plotësonteedhe nevojat shpirtërore. Kështu, u ndërtua edhe xhamia e parë në Kavajë.

 

 

Sipas kronikanit osman EvlijaÇelebiut,  Kavaja gjatë viteve 1660 – 1670 ishte një qytet i lulëzuar me 400 shtëpi banimi një dhe dy kate, dhe kishte 4 xhami me minare të vogla dhe 4 mesxhide, 2 medrese, 3 shkolla fillore dhe 2 teqe. Dy shekuj më pas, në vitin 1867 Kavaja u bë qendër kazaje, me hane, mullinj, furra, dyqane, punishte zejtarie dhe me një treg të njohur për drithërat. Sipas një statistiketurke të vitit 1897, Kavaja kishte 3 245 shtëpi, 415 dyqane, 22 magazina, 12 hane, 110 mullinj, 10 furra tjegullash, 1 postë xhandarmërie, 1 farmaci, 37 xhami dhe mesxhide, 42 teqe, 1 medrese, 1 shkollë ruzhdie, 10 shkolla fillore, 1 shkolle rume (greke) dhe 4 kisha.

 

 

Sami Frashëri, në “Kamus – ul alam” në po të njëjtën periudhë kohore na thotë, se Kazaja e Kavajës në fund të shek. XIX,kishte 57 fshatra, me popullsi totale rreth 30.000 banorë, nga të cilët 5.500 banorë kishte vetëm qyteti. Për raporte gjithnjë e më të distancuar mes myslimanëve dhe të krishterëve flet edhe një e dhënë e vitit 1918, ku myslimanë ishin 16.253 frymë, ndërsa të krishterë 1.525, dmth, dhjetëfish më pak ose 9 për qind e popullsisë ishte ortodokse.

 

 

Nga regjistrimi i parë i bërë nga Teki Selenica në vitin 1923, në rrethin e Kavajës rezulton se kishte 55 fshatra, me 3.354 shtëpi, 20.159 banorë, prej të cilëve 18.015 myslimanë dhe 2144 ortodoksë, ku vetëm në qytet kishte mbi 6.000 banorë. Regjistrime të tjera të popullsisë në Shqipëri më pas, deri në ato të fundit, rezulton se s’ka më luhatje të madhe, gjithmonë shumicë e theksuar me gati 90 për qind janë myslimanë të sektit halveti dhe fare pak bektashi.

 

 

 

Oxhakët e fabrikave, minare xhamie (!)

 

Që oxhakët e fabrikave në vend të tymit, të nxjerrin zë, kjo mund të ndodhë dhe të duket normale vetëm në Kavajë. Disa nga oxhakët e ish-fabrikave të kohës së komunizmit, ka vite që janë shndërruar në minare, si një sfidë dhe ironi e kohës së komunizmit, kur predikimi i fesë ka qenë i ndaluar.

 

 

Është një rast unikal, ndoshta edhe në botë, që një oxhak industrial fabrike i bërë për tjetër gjë, të kthehet në minare xhamie, por në Kavajë, në “qytetin islam” të Shqipërisë, rasti është i justifikueshëm, madje dhe i përligjur.

 

 

Ideatori i tjetërsimit të këtyre objekteve 50 – 55 metra të lartë, ka qenë Haxhi Xhafë Shkodra. Ai ka shndërruar tri të tilla, që nuk janë punë e xhamisë së Kavajës, as e Komunitetit Mysliman, por e një besimtari të vetëm, të përkushtuar si Shkodra.

 

 

Askush nuk është tallur me këtë “shpikje”, përkundrazi banorët e zonës falënderojnë për këtë iniciativë të bukur, të metamorfozës së oxhakut në minare, aq më tepër kur këto plotësojnë kushtet akustike për dëgjimin e ezanit. “Kur ezani thërret, qyteti shndërrohet si një lagje e Stambollit sepse xhamitë janë në distancë të afërt me njëra-tjetrën” – thonë banorët tepër të kënaqur.

 

 

“Pesë hapa” larg detit

 

Për shkak të infrastrukturës rrugore të keqe, si dhe të uzurpimit nga ushtria të një pjesë të mirë të territorit  bregdetar, Kavaja në periudhën komuniste nuk quhej qytet bregdetar. Sot me rrugët e asfaltuara që shkojnë drejt perëndimit, ajo është vetëm “pesë hapa” larg detit dhe ka nën juridiksionin e saj shumë plazhe të bukur dhe të frekuentuar nga turistë vendas dhe të huaj.

 

Të tillë janë plazhet e Shkëmbit të Kavajës, Malit të Robit, të Golemit, Karpenit, plazhit të Gjeneralit, të Spillesë, plazhet e Carinës, Kepit të Lagjit, Gjirit të Forsilukut, plazhi i Gurit të Lëmuar, etj.

 

 

Me fshatrat e saj buzë detit Kavaja ka një vijë bregdetare prej 30 km. Karakteristikë e këtyre plazheve, veç atyre të Shkëmbit të Kavajës, Malit të Robit, të Golemit, është se ata janë të rinj, të virgjër, të qetë dhe të pastër.

 

Nuk është vetëm bregdeti i Kavajës ai që të tërheq, por edhe rruga që të çon atje, një rrugë jo më shumë se 10-15 km që përshkon disa fshatra. Duke ecur në këtë rrugë vetja të duket si në një sallë filmi tredimensionalë. Në të dy anët e saj të shpaloset një panoramë e bukur, me shtëpi të reja, me parcela, kopshtije e oborre me pemë nga të gjitha llojet.

 

 

Fshatrat e Kavajës janë të veçantë, në ta duket dora e njeriut. Bollëku dhe pastërtia janë në rezultat i një pune të palodhur që bëjnë banorët e këtyre anëve që e duan punën. Megjithëse tani janë shtuar udhëtarët që e bëjnë këtë rrugë, fshatarë zemërmirë e zemërbutë nuk kanë hequr dorë nga tradita, të dalin në rrugë e të ftojnë në shtëpi. “As ka, as mbarohet”, – thonë ata një fjalë të urtë. Dhe e ngarkojnë plot tavolinën me fruta, me verë e raki, dhe po pate nge, edhe me bulmetra, me mish pule, gici apo viçi.

 

Banorët e këtyre anëve janë të ndjeshëm, të sinqertë dhe miqësorë, dinë t’i çmojnë gjërat, dinë të bëjnë miq dhe shoqëri.

 

 

Nga libri:

“Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, faqe 567,  Zylyftar Hoxha, Tiranë 2020