Burimi i Kërpicës, një mrekulli e rrallë e Tomorrit
Ing. gjeolog Selim MARISHTA
Është i njohur në trevën e Tomorricës dhe më gjërë për sasinë e madhe të ujit, për mullinjtë që punuan gati një shekull me ujin e tij, për dërstilat e shumta në teknikën tradicionale të përpunimit të prodhimeve të të leshtave.
Uji i burimit të Kërpicës futet në grupin e ujërave të ftohta, me temperaturë në dalje 9 gradë C. Është pa shije, pa erë, pa ngjyrë, dhe i tejdukshëm. Sipas përbërjes fizike, kimike dhe baktereologjike plotëson të gjitha normat si ujë i pijshëm.
Burimi i Kërpicës ka analogji të kushteve të formimit dhe të vetive fiziko-kimike me burimet e tjera që ndodhen në këmbët e malit të Tomorrit. Të gjitha këto burime janë me origjinë karstike dhe lidhen me shkëmbinjtë karbonate të malit të Tomorrit, që janë një kolektor i madh ujëmbledhës.
Në relacion me burimet e Sotirës në perëndim, burimi i Kërpicës ndodhet në kuotë më të ulët, prandaj dhe uji i tij nuk shteron në asnjë stinë. Kjo edhe për faktin tjetër se ai ka një pellg ujëmbledhës nëntokësor shumë të madh, që siguron një furnizim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.
Ndodhet në lindje të malit të Tomorrit, në këmbë të tij. Del në lartësinë 390 m mbi nivelin e detit, rreth 700 m në jugperëndim të fshatit, në të djathtë të rrugës që të çon në Tërrovë të Skraparit.
Buron rrëzë shkëmbinjve gëlqerorë, që bien thiktë në kufi të tyre me shkëmbinjtë flishorë. Shkëmbinjtë gëlqerorë, nga ku del burimi, janë analogë me ata të malit të Tomorrit, por nuk kanë lidhje direkte me ta, janë pa rrënjë, pasi në një periudhë shumë të herëshme mund të kenë rrëshqitur në bllok.
Burimi ka prurje afro 1 m kub në sekondë, me një regjim gati të qendrueshëm. Me këtë ujë furnizohet qyteti i Gramshit dhe rrethinat e tij, me një ujësjellës 17 km të gjatë të ndërtuar në vitin 2000. Një sasi e madhe uji vë në lëvizje turbinate e hidrocentralit të Kërpicës, me një fuqi të instaluar 200 kw/h. Ende një sasi e konsiderueshme uji rrjedh e lirë.
Uji sapo del nga toka, menjëherë gjarpëron tatëpjetë nëpër luginën e ngushtë të përroit që e ka krijuar vetë. Kjo luginë mjaft e pjerrët, me disnivel 50 m, është zhvilluar në drejtim të veriut për 300 m. Prej këndej uji ka zgjeruar më tej luginën dhe ka ndërruar drejtimin e saj, për në lindje, në një shtrat më pak të pjerrët dhe në shkëmbinj të butë, si një lumë i ngushtë, por i plotë, derdhet në lumin e Tomorricës pranë ndërtesës së hidrocentralit.
Me këtë ujë kanë punuar dhe të pesë mullinjtë e famshëm karakteristikë të Kërpicës. Këta mullinj bluajtën për gati një shekull drithin e bukës të këtyre anëve. Barrëtorë të shumtë vinin ngado, sa që nuk gjeje radhë të bluaje shpejtë. Mullinjtë ndodheshin brenda një ndërtese të përbashkët prej guri, në qendër të fshatit.
Uji që merrej nga cfrati në përrua vinte nëpërmjet rrëmbës së vetme ujëplotë dhe ndahej për të pesë grykët e mullinjve me anë të koritave prej druri mjaft të pjerrta. Kur punonin të pesë njëherësh, elikat e drunjta, me një zhurmë shumë karakteristike, shpërndanin ujin me forcë rreth grykave në trajtë të rrathëve koncentrikë e spërklash të bardha. Për rrjedhojë rreth mullinjve krijohej një mjedis i këndshëm dhe ripërtëritës, gjithmonë me një fllad mjaft të ftohtë. Të “hante” era e mullinjve. Sidomos kur rrezet e diellit zbërtheshin në pikëlzat e ujit që shpërndanin të pesë grykat, formoheshin ylbere që kryqëzoheshin me njëri-tjetrin, duke dhënë një pamje sa mahnitëse aq edhe piktoreske.
Mullinjtë ndaluan së punuari, kur hidrocentrali në anën tjetër “u grabiti” ujin për vete. Në këtë mjedis shplodhës qe ngritur edhe spitali rural. Pranë daljes së burimit ka pasur edhe mullinj të tjerë.
Posht burimit, ku uji rrjedh vrullshëm, thuajse çdo shtëpi pat ngritur dërstilat e veta. Në to mjeshtërit kërpicarë kanë përpunuar me një teknikë të përsosur prodhimin e rrobave të leshit. Këtu vinin porosi nga ana e anës. Një ndër mjeshtrit e apasionuar të Kërpicës, Islam Selimi grumbullonte, përpunonte dhe shpërndante me një kalë të bardhë porositë. Kjo traditë vazhdon edhe sot.
Uji i shëndetshëm natyral i këtij burimi, perlë e natyrës, mund të industializohet për treg direkt në vendin e burimit. Gjithashtu ky vend i bukur dhe i gjelbëruar ofron mundësi turistike. Me vendim qeverie, Kërpica është shpallur gjeomonument i natyrës.
Aty mund të shkohet lehtë në një rrugë 18 km nga qyteti i Gramshit.