Caush Carkanji: Të kishe një mik të tillë si Demir Zyko!
Në këtë fotografi jam me “Artistin e Popullit”, Demir Zyko, përpara Shtëpisë së Kulturës në Gjerbës, në tetor të vitit 1979.
Por kjo fotografi, për mua, nuk është thjesht një kujtim i një dite të largët. Ajo më sjell ndër mend një miqësi të veçantë, një njeri të madh të këngës dhe, mbi të gjitha, një njeri të mirë, me të cilin fati më dha mundësinë të njihesha që kur isha i vogël.
Demirin e kam njohur që në fëmijëri. Ai vinte shpesh në Carkan, tek e motra, Hatixheja, e martuar me Mazllëm Carkanin. Sa herë që vinte, para se të largohej, kthehej edhe një herë në shtëpitë tona. Ulej me prindërit e mi, pinte një kafe a një gotë raki me ta dhe bisedonte gjatë. I respektonte shumë prindërit e mi dhe gjithmonë gjente fjalë të mira për ta.
Në dasma e gosti, prania e Demirit i jepte tjetër ngjyrë muhabetit. Ishte njeri i shtruar, i qartë në mendime, me një fjalë që peshonte. Fliste me logjikë dhe e mbështeste çdo mendim te traditat, zakonet dhe virtytet e mira të Skraparit. Nuk fliste për të bërë zhurmë; fliste sepse kishte ç’të thoshte. Dhe pastaj vinte kënga…
Kur ia merrte këngës, çfarëdo kënge të ishte, zëri i tij merrte një tjetër përmasë. E logariste, e zbukuronte dhe e ngrinte lart, aq sa ne, fëmijët e vegjël, mbeteshim të mahnitur duke e dëgjuar. Këngën shpesh ia mbante i nipi i tij, Islam Carkanji, i cili, për nga zëri, ishte si një kopje e Demirit.
Një nga kujtimet që nuk më është shuar kurrë është 17 janari i vitit 1968, në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në Festivalin Folklorik të Lezhës, Demir Zyko këndoi këngën e njohur “Mbeç, more shokë, mbeçë” dhe zëri i tij ngriti peshë gjithë Shqipërinë.
Ajo nuk ishte më vetëm këngë. Ishte histori, ishte dhimbje, ishte krenari. Ishte zëri i një treve dhe i një populli që e kishte ruajtur këngën siç ruan një kujtim të shenjtë. Në ato vite, kënga e Demirit u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë.
Për të u fol e u shkrua gjerësisht dhe zëri i tij u cilësua si një nga zërat më të veçantë të polifonisë shqiptare. Ai ishte bërë tashmë një emër i madh, por për ne, në Carkan e Gjerbës, mbetej po ai xha Demiri, njeriu i thjeshtë, i afërt dhe i dashur, që hynte në shtëpi, ulej pranë të mëdhenjve dhe e zbukuronte muhabetin me fjalë e këngë.
Kur fillova punën në Gjerbës, si drejtor i zonës së Tomoricës, në janar të vitit 1970, mendova se zëri dhe përvoja e Demir Zykos nuk duhej të mbeteshin vetëm në skenat e festivaleve. Ato duhej t’u përcilleshin edhe fëmijëve, brezit që do të vinte pas tij.
Kështu, mora përsipër që nxënësit e shkollës tetëvjeçare të Gjerbësit të mësonin nga ai mjeshtëri të këngës polifonike. Demiri u tregua menjëherë i gatshëm. Sa herë që e ftoja në orën e muzikës, vinte me dëshirë e me pasion dhe u mësonte fëmijëve, ndër të tjerë Petrit Çinarit, Neim Zykos e të tjerëve, mënyrën e interpretimit të këngës polifonike. Nuk vinte si një artist i madh që u mësonte të tjerëve. Vinte si një mësues i këngës, si një njeri që e dinte se ajo që kishte marrë nga të parët duhej t’ua linte të rinjve.
Një ditë, gjatë një ore mësimi ku ishte i ftuar edhe Demiri, erdhi në Gjerbës edhe poeti Xhevahir Spahiu, i cili në atë kohë punonte në gazetën “Zëri i Popullit”. Ai e pa nga afër Demirin me nxënësit, dëgjoi këngën dhe u njoh me punën që po bëhej për transmetimin e kësaj pasurie te brezi i ri.
Më pas, Xhevahir Spahiu botoi një reportazh të gjatë në faqet e gazetës, me titullin domethënës “Plaku i këngës”. Ishte një vlerësim për zërin e jashtëzakonshëm të Demirit, por edhe për punën e tij të palodhur për ta mbajtur gjallë dhe për t’ua përcjellë brezave këngën polifonike.
Por jeta, përveç miqësive, di të sjellë edhe lidhje më të forta. Krahas miqësisë së vjetër që familja jonë kishte me xha Demirin, familjet tona u lidhën edhe më ngushtë. Vëllai im i vogël, Kapllani, u martua me vajzën e Demirit, Naxhien. Të gjithë u gëzuam për këtë lidhje. Ishte një martesë që na afroi edhe më shumë me familjen e tij, një familje e nderuar, por mbi të gjitha na solli në shtëpi një njeri që ne e kishim dashur prej kohësh.
Dhe kështu, sa herë që Demiri vinte tek ne, shtëpia sikur ndryshonte. Hynte me atë thjeshtësinë e tij, ulej mes nesh dhe, pas pak, niste muhabeti. Pastaj, ndonjëherë, vinte edhe kënga. Dhe atëherë shtëpia mbushej me një zë që nuk ishte thjesht zëri i një këngëtari.
Ishte zëri i Tomoricës. Ishte zëri i Skraparit. Ishte zëri i një brezi që kishte mësuar të ruante kujtesën e vet përmes këngës.
Sot, kur e shoh këtë fotografi të vitit 1979, më duket sikur ajo kohë nuk është aq larg. Shoh pranë vetes Demir Zykon dhe më vijnë ndër mend shtëpitë tona, prindërit, dasmat, gostitë, fëmijët që mësonin këngën, Gjerbësin, Carkanin dhe gjithë atë botë të thjeshtë e të bukur që sot na duket gjithnjë e më e largët.
Të kishe një mik si Demir Zyko, nuk do të thoshte vetëm të kishe pranë një artist të madh. Do të thoshte të kishe pranë një njeri që dinte të nderonte miqësinë, familjen, traditën dhe këngën. Dhe për këtë, edhe sot, pas kaq vitesh, ndihem me fat që e njoha, e pata mik dhe e pata pjesë të familjes sime.
Demiri iku nga kjo botë, por zëri i tij nuk iku. Ai mbeti në këngë, në kujtesën e njerëzve dhe në ato shtëpi ku dikur ulej, pinte një gotë raki, bisedonte gjatë dhe, kur i vinte radha këngës, e ngrinte zërin drejt Tomorrit.
