Çezma e Tarikos, një ndër monumentet më mbresëlënës natyrorë dhe historikë të Tomorrit

 Çezma e Tarikos, një ndër monumentet më mbresëlënës natyrorë dhe historikë të Tomorrit

 

Zona e Dardhës rrëzë Tomorrit ka potenciale natyrore dhe vlera të patjetërsueshme historike, pasi këtu dikur përshkruhej e ashtuquajtura Vrromi i Madh, degëzim i rrugës Egnatia.  Ajo lidhte  Vlorën me Beratin, me  Voskopojën, Maqedoninë e përfundonte deri në Bizant.

 

 

Tek kjo rrugë, veç një natyre mahnitëse dhe historive të të lashta të çuditshme, vlerë të veçntë kanë pasuritë monumentale ujore si Ujëvara e Sotirës, Çuruqet e Bezgës, Çezma e Tarikos etj.

 

 

 

Këtë radhë do të ndalemi pak te Çezma e Tarikos

 

 

Me ujin e ftohtë akull, që buronte nga zemra e malit të Tomorit, ndodhet ndanë rrugës iliro-romake, në fshatin Qafë Dardhë, një nga fshatrat e përfshirë në projektin “100 fshatrat” turistikë.

 

 

Kjo çezmë është ndërtuar rreth vitit 1923, nga një nënë që kishte patur një djalë të vetëm, por që ia kishte vrarë hasmi. Në kujtim të djalit të saj të vrarë, e mbetur e vetme kjo nënë, me të hollat që kishte kursyer ndërtoi një çezmë, në pllakën e të cilës është shkruar:

 

“Ju udhetar që këtej kaloni

 

Pini ujë dhe uroni

 

Tarikon ta kujtoni

 

Tariko e ëma e Demirit,

 

Vrarë nga dora e qafirit!”

 

 

Në këtë çesmë ktheheshin udhëtarët, karvanakët dhe pazarakët e lodhur, zaptije dhe kaçakë e malit, të mirë dhe të liq, që grabisnin karvanet. Aty ziheshin e griheshin, por edhe pajtoheshin gjaqet. Ndanin plaçkën e grabitur, por edhe territoret ku do të vepronin. Aty ktheheshin krushqit e dasmave, shlodheshin, siç thotë një këngë popullore, “turq e kaurë, të shëndoshë e të sëmurë”.

 

 

Kështu bëjnë dhe turistët e sotëm që udhëtojnë drejt Tomorrit. Kjo çezëm tashmë është kthyer në një vend shlodhjeje, freskimi, por edhe pelegrinazhi për të mësuar më shumë prej historisë së saj.