Çfarë duhet të bëjë më tepër ky njeri?!…
Shtysë për të shkruar këto radhë, u bë një dialog i shkurtër midis një shitësi dhe një blerësi. Në pritje për të blerë mollë, dëgjoj këtë bisedë:
– Ju lutem, më peshoni tre kokrra mollë – i thotë shitësit blerësi që është në radhë para meje.
Shitësi e shikon nga koka tek këmbët dhe, përsëri, nga këmbët tek koka.
– Alamet djali qenke – i thot shitësi blerësit – Po si nuk u lodhe që mbajte radhën për tri kokrra mollë?! – shtoi ai.
– Kaq e kam mundësin për të blerë, duhen edhe katër ditë për të marrë rrogën – thot, me turp, blerësi.
– E pe atë që mori para teje?! Sa gjysma jote ishte, por bleu dhjetë kilogram pa ia bërë syri tërr. Më la dhe bakshish.
Kurse ti … Nuk qenke i zoti për të nxjerrë paranë kur ajo sot është në mes të sheshit! Gjynah prej zotit, alamet djali! – e mbylli ligjërimin shitësi.
Blerësi, para meje, mori tri kokrrat e mollëve, më përshëndeti dhe u largua i skuqur deri në vesh.
Kur më erdhi radha, i them shitësit:
– Ku punon ai djali i ri (megjithëse mustaqet i kishte vesh më vesh) që bleu dhjetë kilogram mollë?
– Faturino autobuzi, i bie unazës rreth e qark për tetë orë në ditë biri i botës – bëri me dije shitësi i mollëve.
– Ë hë, e mora vesh!
Ju lutem, më peshoni katër kokrra mollë dhe jo shumë të mëdha – i them.
Mora mollët dhe u largova nga pazari i zhurmshëm, por në mendje më mbetën fjalët: “… Nuk qenke i zoti …” që shitësi i tha personit, në radhë para meje, të cilin e njihja që kur ishte fëmijë. Në të gjitha vitet e shkollës ka qenë i shkëlqyer, me medalje ari mbaroi shkollën e mesme. Shumë mirë mbaroi edhe universitetin, para pesë vitesh, në një nga degët e Inxhinierisë në Universitetin e Tiranës. Sot është pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës, jemi kolegë. Ka mbaruar të gjitha provimet pasuniversitare dhe përgatitet për mbrojtjen e temës së doktoraturës.
Është i martuar, me një fëmijë të vogël. Shtëpi nuk ka. Banon në konvikt, si shume kolegë të tij.
Ç’duhet të bëjë më tepër… ?!
Shënim:
Këto shënime të vitit 1993 janë shkëputur nga libri im, “Nuk mund të heshtja”, botuar në ato vite. E risolla për lexuesit dhe ndjekësit e “Orakullit të Tomorrit”, për të treguar se, megjithëse kanë kaluar gati 30 vjet nga ajo kohë, çuditërisht, nuk ka ndryshuar asgjë. Dhe më duhet të vë në fund të këtij shënimi po ato shenja pikësimi, po atë pikpytje, po atë atë pikëçuditëse, po ato tri pika si atëhere(?!…)
Hysen Binjaku