
Çifti Faik dhe Adelina Guri, shembulli i një pune të dallueshme dhe të admirueshme në arsim
Nga viti 1936, që u çel, e deri në vitet 2000, që u mbyll, në shkollën e Qafës në Skrapar shërbeu një aradhë e tërë mësuesish vendas, por edhe të ardhur nga fshatra dhe disa vise të të tjerë të Shqipërisë, nga Shkodra, Lushnja, Fieri, Elbasani, Berati, Gjirokastra, që lanë gjurmë të pashlyera në jetën e banorëve të këtij fshati të vogël, por më tepër te breza nxënësish që kaluan nëpër duar.
Meritojnë të shkruhet për secilin prej tyre, për heroizmin, ështirësitë dhe sakrificat që ata kaluan në ato kohë të vështira, larg shtëpive dhe njerëzve të dashur të tyre. Por këtë radhë, në këtë 7 Mars, kam zgjedhur të kujtoj njërin prej tyre, Faik Gurin, një mësues që gjithë jetën e tij ia kushtoi arsimit, pedagogjisë dhe mësimdhënies, jo vetëm si profesion, por më tepër si mision.
Themi kështu se ai shklëqeu si mësidhënës që në fillimet e tij, kur erdhi në shkollën e Qafës. Ra në sy të specialistëve të arsimit si një metodist i talentuar, shefi i Arsimit të asaj kohe, Zenel Hysi, nuk linte rast pa e përmendur emrin e tij nëpër mbledhjet apo seminarët që zhvilloheshin në atë kohë për për futjen e metodave të reja të mësimdhënies në shkollë.
“Shkoni, u thoshte ai inspektorëve dhe mësuesve të tjerë, dhe ndiqni një orë mësimi te ai, do të shihni një spektakël të vërtetë, do të shihni një orë harmonioze si muzikë, megjithëse është thjesht një orë biologjie”.
S’kaloi shumë, si për çudi edhe Zeneli, që fliste aq bukur për punën dhe shembullin e Faikut, heshti. Dikush i kishte tërhequr veshin, i kishte thënë që të mos e mburrte më se Faiku ishte me “kleçkë” në biografi.
Nga Qafa Faiku u transferua në Osojë dhe më pas në Radësh. Çdo ditë nga Gradeci në Radësh bënte dy orë në ditë më këmbë dimër a behar të ishte, në shi, diell e dëborë. Për shumë vite ai u bë këtu drejtori i shkollës 8-vjeçare të Radëshit. Ishte i pari që hapte derën e shkollës dhe i fundit që largohej nga ajo. Ishte një drejtues dhe metodist model, që dalëngadalë po kthehej në një figurë të dallueshme e arsimit në Skrapar.
Në vitet ’90 të shekullit të kaluar u transferua në Tiranë. Edhe këtu spikati dhe u bë i dallueshëm me punën e tij, veçanërisht me artin e drejtimit dhe të menaxhimit të punëve në shkolla. E çonin në shkollat më problematike, për t’i nxjerrë nga prapambetja, sepse ku shkelte ai ishte suksesi.
Qe drejtor e nëndrejtor në shkollat periferike si në Farkë, në Baldushk, në Pezë e gjetkë. Kurrë nuk nuk tha “jo” për transferimet e shpeshta.
Familja e Faikut ishte një familje mësuesish. Që kur ishte në Osojë ai ishte njohur me Adelina Mukën nga Vlusha, mësuese filloreje. Si dhe Faiku, ajo ishte një mësuese shembullore. Bisedat e tyre të punës dhe të profesionit në prani të fëmijëve, bëri që edhe fëmijët të ecnin në gjurmët e tyre.
Vajza është mësuese matematike në një nga shkollat 9 – vjeçare të kryeqytetit, ndërsa nusja e djalit, mësuese në shkollën e mesme të Farkës në Tiranë.
Sot, në mbrëmje, mësuesit e Skraparit me banim në Tiranë e në Durrës, sipas traditës që kanë krijuar për çdo 7 Mars, do të mblidhen në gjigandin turistik Blue Fafa Resort. Do të festojnë, por edhe do të kujtojnë shokët dhe kolegët që nuk janë më.
Ndërmjet tyre, edhe Faik dhe Adelina Gurin, të cilët fatkeqësisht, të dy ikën shpejtë nga kjo jetë, pa gëzuar vitet e pensionit, pa gëzuar fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre. Në fillim iku Faiku dhe tre vjet pas tij, edhe Adelina, duke lënë pas kujtimin e tyre të mirë në breza të tërë nxënësish, studentësh, kolegësh dhe të gjithë atyre që i kanë njohur, kudo që ata kanë punuar e jetuar, në Skrapar dhe në Tiranë. (Z. Hoxha)