Çifti vithkuqar, Tatiana dhe Gjikë Kurtiqi: “Na ndante mali, por jo zemra dhe halli”

Çifti vithkuqar, Tatiana dhe Gjikë Kurtiqi: “Na ndante mali, por jo zemra dhe halli”

 

 

Tatiana dhe Gjikë Kurtiqi janë dy personalitete të njohura të kulturës shqiptare, të dy krijues:

 

Gjika, funksionar dhe drejtues në institucionet më të larta të kulturës, në Ministrinë e Kulturës, në Teatrin e Kukullave, fabulist i njohur, botues i gazetës humoristike “Finoku”, kryeredaktor i disa gazetave të pas viteve ’90 dhe së fundi, kryeredaktor i  gazetës së veteranëve të Luftës, “Kushtrim Brezash”;

 

ndërsa Tatajana, gazetare, shkrimtare, aktiviste e shquar shoqërore, e njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe nga disa organizma dhe forume ndërkombëtare.

 

 

Tani, në pension, si shumë shqiptarë të tjerë, ata banojnë jashtë, por asnjë herë nuk i kanë shkëputur lidhjet me miqtë dhe shokët e shumtë në Shqipëri. Nëpërmjet rrjeteve sociale ata jo vetëm flasin çdo ditë, por janë edhe aktivë me botimet dhe shkrimet e tyre në median shqiptare.

 

 

Gjika dhe Tatjana janë edhe miqtë e “Orakujve të Tomorrit”, të cilin e ndjekin çdo ditë, por janë edhe miqtë e mi personalë. Veç shumë gjërave të bukura që kemi bërë bashkë gjatë gjithë miqësisë së hërshme, është edhe privilegji, që Gjika ma besoi mua redaktimin e librit “Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave”.

 

 

Kohët e fundit në “Orakujt…” ribotova një shkrim që e kisha botuar dikur në gazetën “Dita” për Vithkuqin, të cilin e filloja:

 

 

“Zakonisht, kur të parët tanë shkonin nga Skrapari në pazarin e Korçës, rrugën e llogarisnin për katër ditë, dy vajtje, dy ardhje. Ata tregonin itinerarin dhe ne, megjithëse s’kishim kaluar asnjë herë në atë rrugë, nga ato që dëgjonim vazhdimisht dhe tregimet e tyre, na ishte bërë krejt e njohur.

 

 

Aq e sa ne në çdo kohë të ditës të na pyesje, e dinim me saktësi se ku ndodheshin prindërit tanë pazarakë. Ja, tani janë në Sherë të Qafës së Martës, thoshim, pas një ore janë në Shtyllë dhe mbrëmja i zë në Vithkuq; nesër nisen që me natë nga Vithkuqi dhe mëngjesi i zë në Korçë, në pazar. Pasi shisnin ose blinin, në të prishur të pazarit ngarkonin që të ktheheshin në mos në Shtyllë e Çemerricë, të paktën nata t’i zinte në Vithkuq. Dhe kjo ishte e përjavshme.

 

 

 

Pleqtë tanë tregonin për miqtë e vëllamët e bërë nga këto lëvizje. Megjithëse vinin shumë shpesh, ata bujtnin në shtëpitë e vithkuqarëve, se Korça po hyri gushti është e ftohtë dhe nuk gdhihesh dot përjashta. Vithkuqarët, siç na thoshin pleqtë, ishin krishterë, por krishterë nga më të mirët nga të gjithë ata që ishin rreth e rrotull, që nuk bezdiseshin kurrë, por bënin ç’ishte e mundur t’i ndihmonin karvanarët e shkretë. Kishte raste, sidomos ku shisnin rrush e koridha (lloj rrushi), nuk i linin të shkonin deri në Korçë për pakogjë, por ua shkarkonin që aty mallin e ua blinin, më shumë për sadaká se sa u nevojitej. Esnafë të vërtetë.

 

 

Por edhe pleqtë tanë, kur vithkuqarët shkonin ndër ne me bagëti për në Vlorë a Myzeqe, u nxirrnin qelqet me raki e pekmez. Shpesh kisha parë gjyshin tim, Rushanin, të ngarkonte pelën me rrush e t’ua çonte në stan ku kishin ndaluar për të kaluar natën që ata “të lagnin gojën”, siç thoshte ai.

 

 

Veç kësaj nga të gjitha pikat e horizontit për ne, Qafa e Martës, në lindje, ishte më e rëndësishmja nga të gjitha, dhe ne andej na ngeleshin sytë në pritje të pazarakëve, pasi nga andej vinin pajat e nuseve, nga andej vinte kumtria e dasmës, vinin opingat tona prej meshini, andej vinte, mbi të gjitha, buka dhe kripa…

 

 

Këto m’u kujtuan ndërsa po bisedoja në një kafe mëngjesi me mikun tim të vjetër, vithkuqarin e thekur, Gjikë Kurtiqin, fabulistin e njohur”.

 

 

Pastaj vazhdoja të tregoja për Vithkuqin, një nga perlat e rralla shqiptare të turizmit, por pak të njohur dhe pak të publikuar.

 

 

Pas botimit të shkrimit më erdhi komenti i mëposhtëm që, unë, më shumë se në rreshta, lexova dhe ndjeva një mall dhe një dashuri të madhe mes rreshtave.

 

 

Ja çfarë shkruajnë Kuritiqët në rreshta dhe mes rreshtave si përgjigje të shkrimit:

 

 

 

Na solle shumë mbresa me këtë shkrim, i dashur mik e kolegu ynë skraparlli, Zylyftar Hoxha!

 

Përshkuam përmes mbresave ato rrugë e vende plot madhështi, ku thjeshtësia, miqësia, fisnikëria e banorëve kultivonin virtutin njerëzor.

 

Banorët e të dy anëve që ndante Qafa e Martës ishin të ngjashëm në tradita e zakone, atdhetari, trimëri, bujari e mikpritje. Ndaj miqësitë e të gjitha kohërave, ngritur në përballje me sfidat dhe sakrificat e jetës, kanë rezistuar e gjallojnë edhe sot.

 

 

 Na bashkojnë këto lidhje edhe ne me miqtë e penës, të artit e të punës që i kemi me shumicë nga Skrapari.

 

Duke shprehur njëherësh edhe dëshirën e pamunguar të vithkuqarëve, gjejmë rastin t’i përshëndesim të tërë përzemërsisht, që nga emrat e përveçëm deri tek shtëpitë më të thjeshta të skraparllinjve. Urojmë mbarësi e përparim për të dy palët!

 

 

Po përmendim vetëm disa nga miqtë tanë skraparllinj, si akademikun dhe poetin e shquar Xhevahir Spahiu, të paharruarin e penës së humorit e satirës Iljaz Kapxhiu, intelektualin dhe publicistin Sefedin Çela, vëllezërit shkrimtarë Luman dhe Enver Caka, juristin, politikanin e publiçistin Spartak Braho, skluptorin dhe poetin Haxhi Kalluçi, gazetarin dhe përkthyesin Astrit Ibro, botuesin Naim Zoto, ish-ushtarakun e publicistin Ilmi Qazimi, veprimtarët veteranë Rushit Kuçi, Sejdine Carkanji e Tatjana Bregu, gazetarët Riza Bregu e Partizan Myftari etj.

 

 

 Përshëndetjet tona shkojnë edhe për mjaft të tjerë që nuk mundëm t’i përmendim në kaq pak rrjeshta.

 

 

Të gjithë së bashku pasurojnë faktet e këtij shkrimi. Urojmë mbarësi e sukses për “Orakujt e Tomorrit”!

 

 

Me dashuri

 

Tatiana dhe Gjikë Kurtiqi

 

Shënim:

Pikturat ja të piktorit të mirënjour Pashk Përvathi