Ciganët, njerëz perëndie, por, fatkeqësisht, të diskriminuar kudo në botë dhe akoma më keq te ne

Ciganët, njerëz perëndie, por, fatkeqësisht, të diskriminuar kudo në botë dhe akoma më keq te ne

Jovan Jano

 

Gjithnjë i kam kaluar në mend këta njerëz të mrekullueshëm, që s’ia prishnin qejfin kurrkujt. Pse u bien më qafë  këtyre njerëzve perëndie që s’trazojnë as mizën. Këta njerëz që kanë mbushur botën, por që nuk kanë ngatërruar asnjë qeveri, përkundrazi me jetën e tyre modeste, të çliruar nga streset, nga ankthet dhe nga problemet e një qytetërimi  ua kanë lehtësuar punët.

 

 

 

Ashtu siç ia kanë lehtësuar kësaj qeverie që i ka në llogari vetëm për votat dhe jo për jetët e tyre.  Dhe që t’u vish në ndihmë këtyre njerëzve, që lindin ashtu si dhe vdesin, pa strehë, nën qiellin e hapur kur për shtrojë kanë tokën, duhet, që ai, që merr përsipër të bëjë diçka njerëzore për ta, të jetë një njeri fisnik dhe i përkryer, por jo si politikanët tanë të pashpirt e të pangopur.   

 

 

Përiudhën socialiste sot e shajnë dhe e anatemojnë, jo vetëm politikanët, por edhe njerëz që në atë sistem kanë qenë të privilegjuar. Por le të dalë një njeri i vetëm dhe të thotë se romët në atë sistem jetonin më keq se sa sot. Në atë kohë të gjithë u bënë me shtëpi dhe të gjithë ishin në punë.

 

Ndërsa fëmijët, me ndonjë përjashtim, shkonin në të gjitha kategoritë e shkollës. Romët ishin pjesë integrale e asaj shoqërie si gjithë të tjerët. Pas vitit 1991 shkolla për romët mbeti fakultative. Pak shkojnë, por dhe të tjerë, për shkaqe që dihen, nuk arrijnë të shkollohen. Dhe jo vetëm nuk shkollohen por edhe diskriminohen që fëmijë, duke u detyruar të lypin apo të nxjerrin bukën e gojës duke mbledhur mbeturina.

 

 

 

Ciganët në artin botëror

 

 

Mahat’ma Gandi, është një nga ata njërëz të mëdhenj, i cili ka shkruar për ciganët apo harixhinjtë. Ai thotë se fjala “arixhi” vjen nga gjuha sanskrite që do të thotë “fëmijët e zotit”dhe në gjuhën arabe u quajtën “arixhen”, fjalë që mori kuptimin e endacakut. Kështu që hidhet poshtë idea dhe thënia, që ekziston ndër ne se ky emër e ka origjinën nga zbutja e arinjëve. Për harixhinjtë (ciganët), Gandi nxori edhe një revistë që e quajti “Harixhan”, duke iu kushtuar atyreve vëndin më të madh në këtë revistë ai shkruante për bashkëpunumin e ngushtë me këtë kastë të poshtruar nga politikat reaksionare të atyreve që i krijuan këto kasta dhe për çrrënjosjen përfundimtare të tyre.

 

 

 

Prospjer Merime ka shkruar novelën e famshme “Karmen”, mbi përmbajtjen e së cilës është mbështetur kompozitori Zhorzh Bize, kur kompozoi operën me të njëjtën titull. Një kompozitor i madh gjerman ka kompozuar një vepër muzikore të titulluar “Cigania”.Çardashet hungareze dhe vallet e famshme të Andaluzisë shprehin më së miri karakterin e gjallë dhe shpirtin lirik të ciganëve. Poeti i madh i popullit rus, Aleksandër Pushkin ka shkruar poemën e famshme  “Ciganët”. I paharruari Hozelito ka kënduar këngën e famshme melankolike “Violino cigano”;  Nikola di Bari në fillim të viteve 70-të ka kënduar këngë për cignët.

 

 

Poeti ynë, i ndjeri Pano Taçi k bërë një libër të tërë me poezi për ciganët. Ai i quan ata “zogj nomadë”, që e kanë zemrën në fushë dhe shpirtin në pyll.

Ja si shkruan ai më tej:  Si det e ka shpirtin, zemrën si brengë,/ Cili gaxho i troket në shpirt e nuk hyn?/ Kush ia pa zëmrën të çarë porsi shegë,/ E s’i gjeti brënda qindra rubinë?

Shpirtin si hënë e zëmrën si diell,/ Lyer në bronx lëkurën indiane,/ Nomadë të lirë si zogjtë në qiell,/ Marramënden nëpër këngë cigane.

 

 

Violina e ciganit është metafora më e mrekullueshme dhe më e bukur e kulturës dhe artit të tyre. Fryma e tyre e lirisë, qëndrimi i tyre indiferent ndaj  qytetërimit modern, i bën ata më të shpenguar, më të lumtur dhe pa ngarkesa emocionale.

 

Shumë shkrimtarë të mëdhenjë, kompozitorë dhe piktorë u kanë kushtuar vepra të bukura ciganëve, sepse janë frymëzuar nga shpirti lirik i tyre.  izes, me të njëjtin emër.

 

 

Ciganët në botë

 

 

Romët janë ndër popujt më të stërlashtë të botës; ata e kanë prejardhjen nga vetë djepi i popujve indoeuropjanë. Në Europë, ata janë shpërngulur nëpërmjet udhëtimeve nomade nga India e largët. Pasi u dëbuan nga India ky fis u instalua në një nga vëndet e Azisë Qëndrore dhe pastaj u dyndën drejt Europës.

 

 

Në Europë kanë shkelur për herë të parë në vitin 1417 në Besarabi dhe, duke udhëtuar nëpër luginën e lumit Danub gjer nga viti 1434, u shpërndanë pothuajse nëpër të gjitha shtetet e Europës. Kudo në Europë këto qënie të mjera njërëzore u pritën keq. I vetmi “mëkat” i tyre ishte varfëria dhe mungesa e atdheut. Mbreti Ferdinandi i V-të i Spanjës në vitin 1492, kur ekuistadorët spanjollë të udhëhequr nga Kortesi, nën flamurin e mbretërisë spanjolle thernin e digjnin të gjallë indianët e Amerikës, botoi një dekret për zhdukjen edhe të ciganëve (arixhinjëve) të gjorë, me çfarëdolloj mënyre.

 

 

Në vitin 1545, Provincat e Bashkuara të Holandës, meqënëse ciganët nuk iu bindën urdhrave për t’u larguar, morën masa shumë të rrepta kundër tyre. Ata i rrihnin me kamxhik deri sa nxirrnin gjak dhe ua shponin me gozhdë flegrat e hundës. Në kuvëndin e shteteve të Orleansit, në vitin 1561, qeveritarët morën urdhër që t’i zhduknin duke përdorur mjetet më mizore. Edhe në shekullin e 18 –të kanë vazhduar torturat kundër tyre. Shumë ndër ta janë ngulur nëpër hunjë dhe janë hedhur të gjallë nëpër stiva drush dhe janë djegur.

Doktrinat fashiste, teoritë e racore sociologjike dhe interpretimi i gabuar gjenetik e shtyn nazizmin të interpretoj një nga aktet më të fëlliqura të shkencës së urrejtjes, atë të çfarosjes masive të ciganëve në shekullin e 20-të.

 

 

Ka studiues që mendojnë se në këto troje ata kanë ardhur që para njëmijë vjetësh para Krishtit duke shtegtuar nga Hindustani i largët, nga vendi i adhurimit të Sara Kali-së, të hyjneshës së fatit e të vdekjes. Ciganët janë shpërndarë në të gjithë kontinentin tonë. Kryesisht me shumicë gjenden  në Rumani, Hungari, Spanjë e në vëndet ballkanike.

 

 

Me gjithëse kanë pësuar shumë persekutime makabre, raca e tyre nuk është zhdukur, por ka mundur të mbijetojë, të shpëtojë e të ruajë disa nga traditat e hershme të origjinës.

 

 

 

…dhe në Shqipëri

 

 

Për ardhjen e tyre në Shqipëri mësojmë nga një regjistër i perandorisë otomane i vitit 1523, ku thuhet se fillimisht erdhën 374 familje të tilla. Ndërsa një autor italian, si fillimin e kohës së popullimit cigan në Shqipëri jep vitin 1635. Ciganët njihen me disa emra në Shqipëri si, psh, në jug të Shqipërisë i quajnë gabelë apo arixhinjë, në zonën e Korçës i quajnë kurbatë. Por përgjithësisht quhen ciganë apo romë.

 

 

“Në Myzeqe ka patur shumë ciganë, të cilët kryesisht vendoseshin brigjeve të lumenjëve. Kur lumenjtë ndryshonin drejtimin çvendoseshin edhe ciganët. Në periudhën e sundimit osman ciganët ishin skllevër të Sulltanit dhe shërbimet e tyre jepeshin në sipërmarrje si të gjitha të ardhurat e shtetit.

 

Ata përdoreshin si lajmëtarë, si argatë në stinën e korrjeve, për të shitur drithin, për të shkoqur misrin etj. Shumë prej tyre liroheshin nga këto shërbime duke i paguar sipërmarrësit disa të holla. Veç kësaj ata paguanin 60 pjastra për çdo çadër dhe çdo djalë në moshën ligjore paguante edhe 6 pjastra taksë (haraç).

 

Fare pak prej tyre punonin si kovaçë, shumica merrej me tregëtinë e kuajve. Nuk qëndrojnë në një vend dhe nganjëherë bien  në kontakt me hajdutë kuajësh…”- shkruan Johan Georg fon Hahn, i konsideruar si dekani i studimeve shqiptare të shekullit të 19-të

 

 

 

Ritet, gjuha dhe këngët cigane

 

 

Njihen si popull nomad e janë të dhënë pas këngëve e valleve, kan edhe gjuhën e tyre, të cilën e flasin duke e trashëguar brez pas brezi me gojë, nëpërmjet këngëve, por që nuk shkruhet. Nga ritet që manifestojnë me njeri tjetrin janë më shumë paganë se sa fetarë që besojnë në një zot. E duan shumë zjarrin, gjë që tregon se besojnë në perëndinë e zjarrit.

 

 

Edhe shën Gjergjin e festojnë, gjë që duhet të ketë lidhje me ndonjë perëndi pagane në vëndin e origjinës së tyre. Ciganëve iu pëlqen natyra dhe marrin çdo lëmoshë prej saj. Kjo përbën një dukuri negative për ta, sepse Ivan Miçurini duke iu kundërvënë këtij qëndrimi pasiv ndaj natyrës, thoshte: “Asnjëherë nuk duhet të pranojmë lëmosha nga natyra, por duhet ta transformojmë atë”.

 

 

Ata kanë një organizim të përsosur dhe të fshehtë brënda përbrënda komunitetit dhe i binden kryetarit të tyre pamëdyshje. Është i njohur tek ciganët zakoni i mungesës së varreve. Ciganët vdesin siç vdesin dhe erërat, pa shënja, mbishkrime e altare përkujtimi. Vdekja e tyre analfabete në shekuj është si shtëpia pa mobilie.

 

 

 

Vetë ciganët tregojnë se kjo vjen nga një rit i lashtë, sipas të cilit të parët e tyre i varrosnin të vdekurit nëpër pyje në orët e vona të natës. Kjo vinte si pasojë e dëshirës për të harruar varret që të mos ktheheshin më aty, sepse sipas tyre, varret të lidhin këmbët dhe nuk të lënë të shtegëtosh.