Çuka e Çerricës, motra e vogël e Tomorrit të madh

Çuka e Çerricës, motra e vogël e Tomorrit të madh

Hysen Binjaku

 

 

Krahina e Tomorricës është një ndër krahinat më të mëdha malore në Shqipëri. Ajo shtrihet në të dy brigjet e Lumit të Tomorricës, gjatësia e të cilit është rreth 45 kilometër (nga burimet në fshatrat Gjogovicë, Krushovë fare pranë Ostrovicës deri në derdhje në Devoll në fshatin Nartë pranë Grëmshit).

 

 

Janë mbi 40 fshatrat që formojnë këtë njësi gjeografike të lashtë sa vetë Mali Tomorr (nga i cili ka marrë emërin). Fshatrat janë vendosur rrëzë maleve që rrethojnë krahinën dhe në të dy brigjet e lumit të Tomorricës.

Në bregun e djathtë të rrjedhës janë vendosur fshatrat: Gjogovicë, Grëmsh, Kuç, Barç, Floq, Rehovë, Straficë, Vishanj, Kovoçanj, Grevë, Postenë, Leskovë, Zhepë, Gurrazes, Çerricë, Çorrotat, Burranj, Dobrenj, Sqimar, Ermënj, Vidhan, Shëmbërdhenj, Nartë.

 

Në të majtë të rrjedhës janë vendosur: Përrenjas, Mëlovë, Zaloshje, Sojat, Gjerbës, Davidh, Ujanik, Gradec, Shpatanj, Luadh, Trebël, Dunckë, Tërrovë, Rromas, Osnat, Kërpicë, Sotirë.

Tomorrica (me tokë të paktë, por me shumë pyje dhe kullota) rrethohet nga disa male (që i japin asajë formën e një govate gjigante në natyrë).

 

I pari i maleve është “Mali Simbol i Shqiptarëve”, është vetë “Baba Tomorri”. Gjithë faqa lindore e Tomorrit (padyshim faqa më e bukur, më e pyllëzuar, me faunë të rrallë, me burime  të shumta ujore) i përket Tomorricës.

 

Në vijim të Tomorrit (më në jugperëndim) vijon Qafa e Kulmakut, Mali i Gjerbësit-Zaloshnjes-Mëlovës deri në Qafën e Dëvrisë.

Më tej (në jug) vijon Mali i Gostënckës, Turbohovës, Krushovës.

 

Në lindje Mali i Gjogovicës (pranë Ostrovicës) Qafa e Gjarpërit, Guri i Prerë, Mali i Koshnicës.

 

Veriu është “gryka” e hapur e Tomorricës (aty ku lumi i Tomorricës bashkon ujrat me Devollin) dhe “dritarja” nga ku tomorricarët mund të “shikojnë” pjesën tjetër të Shqipërisë.

Vendndodhja e fshatrave lejon që nga njëri apo tjetri fshat, me sy të lirë, mund të shikosh një pjesë të madhe të krahinës dhe mjaft prej fshatrave të saj.

 

Po vetë Tomorrica, nga ku mund të shikohet e gjitha, nga Lindja në Perëndim, nga Jugu në Veri dhe me gjithë madhështinë e sajë?!

 

Cili vend (mal, kodër apo fshat) mund të quhet pikvrojtimi apo “Ballkon i Tomorricës”?!

 

Është e natyrshme që çdo tomorricar (nëse pyetet) do të thotë se vendlindja e tij është “syri i madh nga ku shikohet Tomorrica”. Edhe unë nuk bëj përjashtim, por mendoj se do më japin të drejtë të gjithë ata që e njohin Tomorricën cep më cep të saj.

 

Së pari, biem dakord që “Ballkoni i Tomorricës” duhet të plotësojë  kushtin që prej asaj pike të shikohet (mundësisht) sa më shumë Tomorricë (ka edhe vende që me sy të lirë nuk duken) dhe jasht saj.

 

Unë them dhe kam bindjen se ky vend gjendet në fshatin tim të lindjes, në Çerricë. Vendi quhet “Maja e Çukës”.

 

Çerrica është në mesin e Lumit të Tomorricës, është në breg të lumit si asnjë fshat tjetër në krahinë. Kujtoj se në Konak (lagje e Çerricës, në breg të lumit) ka qenë Pazari dhe Qendra Administrative e Krahinës që në zanafillë e deri në mezin e shekullit të kaluar.

Çerrica (aq më shumë Çuka e saj) është përballë asajë që quhet “Çuka e Tomorrit” apo “Baba Tomorri” (mos u ngatërroni me Qafën e Kulmakut, nuk është aty “Baba Tomorri” dhe Dodona).  Ndërsa Çuka e Tomorrit zotëron një horizont më të gjerë që shikon dhe shikojnë nga më shumë se gjysma e Shqipërisë; Çuka e Çerricës, nga hapësira dhe horizonti zotëron gjithë luginën e Tomorricës dhe më tej.

Nëse ngjitesh në majën e kësaj kodre, shikon me sy të lirë gjithçka që quhet Tomorricë, deri në Qafën e Krrabës apo në Tiranë. Kjo është e mundur.

 

Duke qenë përballë dhe fare afër, të dy çukat, sa shpërndahen retë, komunikojnë me njëra-tjetrën si motra e madhe me motërzën më të vogël.

Dhe, së fundi, Çerrica, “Ballkon i Tomorricës” nuk e them vetëm unë, e pranon edhe  vetë profesor Viktor Bakillari (Greva), ai që na ka treguar ne skraparllinjve (një më një) gjithë “Visaret e Skraparit”.