Çuka e Frëngut, një mrekulli natyrore nga ku kundrohet pjesa më e madhe e Shqipërisë jugore

Çuka e Frëngut, një mrekulli natyrore nga ku kundrohet pjesa më e madhe e Shqipërisë jugore

 

 

50 e ca vjet më parë, kur  kam qenë me punë në Kapinovë të Skraparit, më ka ngelur në mendje një ngjitje në Çukën e Frëngut, më kanë ngelur në mendje bukuritë magjepsëse të atij mali e, veçanërisht të majës (çukës), 1937 m mbi nivelin e detit, që çuditërisht në atë hapësirë të qiellit të qelqtë i ngjante  “Titanikut”, ku ngjiteshe nëpërmjet një rruge tepër të vështirë vetëm nga drejtimi i veriut.

 

 

Në majën me gurët e bardhë gëlqerorë, si një tortë e prerë me thikë, me një shesh sa një lëmë gruri e mbushur me çakëll, dukeshin gjurmët e vetëtimave, ca si kanale gjarpërushë, ndoshta ato e kishin thërrmuar ashtu majën.

 

 

Është e vetmja majë në Skrapar, veç Tomorrit, me horizont më të gjerë dhe një pikë që të jep një ndjesi të çuditshme kënaqësie, sidomos kur shikon piruetet e nazet e kalit të qyqes, jo sipër, por poshtë teje. Sa herë, kur ishim fëmijë, vinim bast kush do ta mundte kalin e qyqes duke i parë shpinën, po këtu e kishe të mundur.

 

Nuk dihet pse i thonë Çuka e Frëngut. Diku kam gjetur të shkruar që në Luftën e Parë Botërore në këtë vend ka ngrirë nga të ftohtët më shumë se gjysma e një batalioni ushtarësh francezë të Republikës Autonome së Korçës. Por nuk është e vërtetë, pasi kjo çukë kështu është quajtur përpara kësaj kohe.

 

 

Një ngjarje tjetër për këtë majë, është që, në vitet 1970, kur u hodh parrulla e Partisë së Punës “T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë pjellore si dhe fushat” , çifti Sadik dhe Fiqirete Bakiasi ngjitën traktorin në kurrizin e malit në lartësinë  1850 metra mbi nivelin e detit dhe hapën  toka të reja për patate.  Fundi i këtij aksioni, pavarësisht sakrificës ishte dëshmi, u prish kullota mijëravjeçare. Bimësia që doli ishte shpendra dhe gjemba.

 

Mes Çukës së Frëngut dhe Ostrovicës, mbi fshatin Faqekuq, ndodhet një luginë e bukur qindra hektarëshe me kullota alpine. Këtu në tradicionalisht veronin tufa të mëdha delesh që nga Vlora,  Mallakastra, Myzeqeja deri dhe nga Saranda, ndërsa në dimër shkonin me kontratë (turqisht, qinosje) në këto vende, blegtorë nga Backa, Faqekuqi dhe Krasta, fshatra nën Çukën e Frëngut.

 

Si Ostrovica përballë ashtu edhe Çuka e Frëngut janë atraksione të mrekullueshme turistike dhe sportive, por fatkeqësisht të pashfrytëzuar.

 

Rreth të dy vargmaleve ka burime me ujë të ftohtë brisk, më i famshmi i tyre, Kroji Mbret mbi fshatin Backë. Në vitet 1970 u bë një projekt që ky ujë të shpërndahej në gjysmën e fshatrave të Skraparit, zonën e Potomit deri në Prishtë dhe Çepan, por që nuk u realizua.

 

Tani ky ujë “ka gjetur një rrugë tjetër” më të shkurtër, është futur në hidrocentral duke lënë Backën pa ujë.

 

Kapinova, Faqekuqi dhe Backa kanë një klimë malore të mrekullueshme, njëlloj si Voskopoja.

 

 

Sot këta fshatra janë braktisur keq. Nëse do të kishin një infrastrukturë rrugore, sot ndoshta ata do të ishin një Voskopojë apo Dardhë tjetër këtej nga ana e Skraparit. (Z. Hoxha)