
“Dale pak!… Po këndon Dule Malindi”!
Është ndër të parët, që ka marrë guximin të ndërhyjë në këngën popullore të Skraparit për ta përpunuar, por edhe orkestruar atë. Dhe i ka dalë mbanë duke sjellë risi në këngën e krahinës sonë, pa thyer dhe cenuar tabunë që kënga e Skraparit shoqërohet vetëm me iso dhe jo me instrumenta muzikorë.
Jo, ai shkon paralel sa në një krah, si pjesëtar i grupit të mirëfilltë folklorik, ashtu dhe në krahun tjetër, shoqërimin e këngës popullore me orkestër, këngën solo dhe duet.
“Kënga popullore më ka pëlqyer që i vogël, në Malind, thotë Dulja. Mbaj mënd në dasma, ne çunat rrinim pas derës ose në fund të odës dhe dëgjonim kur këndoni burrat, por më shumë prisnim deri sa t’ia merrte valles Njazi Spahiu.
Hajde të kënduar, hajde të kërcyer, sidomos këngën e Dados, që më vonë u çua edhe në festivalin e Gjirokastrës. Të nesërmen, kur lëshonim kecërrit ose përcillnim dhitë, në ndonjë bregore ia merrnim valles me radhë, dridheshim e spërdridheshim që t’ia arrinim Njaziut, por jo, ai seç kishte ca lëvizje të papritura dhe bënte një mimikë në fytyrë që të linin pa mend.
Nejse, ja kështu, -vazhdon Dulja, – kur shkuam në shkollë, aty bëhej një punë më e organizuar, unë që në fillore kam qenë në grupin artistik të shkollës. Në moshën 16 vjeç i bija fizarmonikës, ku s’kam shkuar me të në krah në aktivitetet që organizoheshin, në fshatrat e zonës së Çepanit po e po, por edhe në shumë fshatra të Përmetit. Vinim e gjithë rinia, si atëhere. Mbrëmjet e dëfrimit mbylleshin ndaj të gdhirë, orkestër, dixhej, ishte fizarmonika ime.
Megjithëse isha i privilegjuar si orkestrant, me një vegël bazë si fizarmonika, s’më linte haseti, sidomos kur shkonim andej nga fshatrat e Përmetit dhe shikoja se në grupet e tyre kishte hyrë klarineta. Nuk e zgjata, u nisa në një kurs 6-mujor për klarrietë në Tiranë. Kur u ktheva, tani “ishte bërë Muçua me dyfek”, vazhdova të shkoja edhe nëpër dasma, kur shkova në ushtri, po prapë zanatin.
Dhe kështu pak nga pak, njeriu s’ngelet në vend, rritet”, – mbyll bisedën duke qeshur Dulja.
Vitet ’90 e gjetën Dulen në Turqi, ku ndenji 11 vjet me radhë. Domosdo që mori me vete edhe klarinetën e tij të dashur.
“T’i bie kur të mërzitem”, kishte menduar me vete.
Por jo, edhe atje i doli punë, merrte pjesë herë pas here në veprimtaritë e konsullatës sonë atje, në aktivitetet e shoqatës së shqiptarëve të Stambollit, por edhe në dasma të shqiptarëve të vjetër, dasma të bukura, me ato zakonet e para.
Por veprimtarinë më të plotë dhe më të organizuar muzikore, Dulja e ka këto vitet e fundit në Tiranë, në grupet artistike, por edhe me disa albume të nxjerrë. Hyr në Yotube, kërko “Dule Malindi” dhe të dalin me dhjetra këngë të tij.
Dulja ka patur një bashkëpunim të ngushtë me poetët Xhevahir Spahiu, Jorgo Papingji si dhe me Bledar Koçin, për orkestrimin me kompozitorin Klodian Qafoku, ndërsa është shoqëruar nga këngëtarja përmetare, Evgjeni Çuli, nga grupi “Demir Zyko”, grupi i valleve të Skraparit etj.
Videoklipet ai ka qejf t’i regjistrojë në vendlindjen e tij, Malind, ku ka bërë edhe shtëpi të reja për të shkuar në raste të veçanta, në Kanionet e Osumit, Mullirin e Babait, Urën e Kasabashit, në Çorovodë, Bogovë etj., ku këngët e bukura harmonizohen me natyrën e mrekullueshme.
Dulja ka marrë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, por, më shumë se titullin ai vlerëson ovacionet dhe duartrokitjet e publikut kudo që i jepet rasti të këndojë, si jashtë ashtu dhe brenda Shqipërisë, si në koncerte zyrtare ashtu edhe në dasmat e thjeshta fshatare.
Një jetë me këngë, te kënga dhe për këngën. Urime, Dule! (Z. Hoxha)