Diskutimi, 1920 / Çorovoda apo Vërzhezha, qendër administrative e Skraparit? Tomorrica, “me të dyja duart”: Vërzhezha!…
Në Arkivin Qendror të Shqipërisë, fondi 427/1, dosja 3, viti 1920, gjenden dy dokumente, të cilat bëjnë fjalë për të marrë mendimin se cila do të jetë qendra administrative e Skraparit, Çorovoda apo Vërzhezha?
Në njërin dokument jepet një raport i Nënprefekturës së Skraparit, dërguar Prefekturës së Beratit, ku shkruhet:
“…Sa për themelin e qendrës që thuhet se shumica e dëshiron në Çorovodë, përpos popullit të Tomorricës, që asht’ drejtuar me shkresën e bashkangjitur q’i cili dëshiron në Vërzhezhë, mendimi i i popullsisë së katundeve nuk diihet zyrtarisht”…
Dokumenti i dytë është një listë e fshatrave, që në atë kohë konsideroheshin Tomorricë e Skraparit, me të dhëna të detajuara me numër shtëpish dhe banorësh.
Sipas saj:
Dardha kishte 88 shtëpi dhe 363 banorë; Brasniku, 12 shtëpi dhe 58 banorë; Dumberas, 12 shtëpi dhe 45 banorë; Shëmtira, 19 shtëpi dhe 58 banorë; Bregasi, 20 shtëpi dhe 55 banorë; Krushova 18 shtëpi dhe 40 banorë; Sotira, 23 shtëpi 127 banorë; Kërpica, 22 shtëpi, 103 banorë; Tërrova, 12 shtëpi, 65 banorë; Rromasi 26 shtëpi, 112 banorë; Duncka 10 shtëpi, 50 banorë; Trebla 21 shtëpi, 128 banorë; Shpatanji 14 shtëpi, 80 banorë; Gradeci, 18 shtëpi, 95 banorë; Ujaniku, 11 shtëpi, 95 banorë; Davidhi, 11 shtëpi, 53 banorë; Gjernbësi 40 shtëpi, 196 banorë; Zaloshnja 37 shtëpi, 214 banorë; Milova, 40 shtëpi 222 banorë; Përrenjasi 8 shtëpi, 50 banorë.
Lista është përpiluar në datën 10 prill 1920.
Është interesant fakti që në këtë listë mungojnë shumë fshatra të Tomorricës së përtejme, nga Gurazezi deri në Gjokovicë, pasi në atë kohë është menduar që këta fshatra të bënin pjesë në hartën administrative të zonës së Oparit të Korçës.