Dita Botërore e Përshëndetjes dhe “Tungjatjeta” shqiptare
Dita Botërore e Përshëndetjes u krijua për herë të parë në vitin 1973 nga 31 fituesit e Çmimit Nobel për Paqen me qëllim që njerëzit në gjithë botën, veçanërisht njerëzit nga vendet e konflikteve të zgjedhin problemet përmes komunikimit dhe jo dhunës.
Ideja e kësaj dite qëndron në faktin që komunikimi i qartë, i qetë sjell paqe dhe pikënisja e kësaj është përshëndetja, me të cilën nis një bisedë më e gjatë.
Për këtë ditë, shumë njerëz nuk kishin dëgjuar më parë. E tillë ishte edhe dëgjuesja e Radio KFOR-it, Nora Kasneci, e cila tregoi se rëndësia e përshëndetjes ndoshta është simbolikisht e vogël, por për dikë mund të ketë rëndësi: “Një përshëndetje me një buzëqeshje kur shihni një të afërm, mik apo kolegë mund të jetë një gjest i zakonshëm për ju, por nganjëherë vetëm një buzëqeshje dhe një përshëndetje mund të thotë shumë për dikë. Nuk e kam ditur që shënohet një ditë e tillë, por gjithmonë kur komunikoj apo përshëndes dikë, mundohem të jem sa më e afërt dhe të ofroj ndihmë nëse dikush ka nevojë për një mik apo dikë të flasë.”
Ka shumë lloje dhe mënyra përshëndetje në botë, shumë prej të cilave edhe të veçanta. Dhe në këto të veçanta, është edhe përshëndetja jonë tradicionale “TUNGJATJETA” (T’u zgjatët jeta), e cila fatkeqësisht, po zbehet dhe po harrohet!
Sot është rasti më fatlum që gazeta “Orakujtetomorrit.al” të urojë të gjithë shqiptarët, të gjithë miqtë dhe ndjekësit e saj kudo që janë: Tungjatjeta dhe Gëzuar, paqe në botë dhe lumturi në çdo familje!