Dita e Mëngjarashëve
Sefedin Çela
Duhet të kem qenë rreth shtatë vjeç kur u mor vesh se isha mëngjarash. Jo se nuk kisha kuptuar se isha ndryshe nga të tjerët, por, mesa duket, diçka që s’thuhet nuk quhet! Loja e përditshme e djemve ishte loja me gracka. Të rriturit me gracka e leqe zinin mëllenja e thëllëza. Në leqet e tyre kish rënë njëherë edhe një kunadhe, madje edhe një dhelpër.
Grackat tona ishin të ngjashme: një rrasë guri e madhe sa një abetare ngrihej pjerrtas e mbahej mbi një këmbëz druri, si këmbëz pushke. Të mëdhenjtë hidhnin fara e thërrime buke poshtë tyre e mëllenjat, thëllëzat, madje dhe grifshat sherrtare, futeshin qorrazi aty, rrëzonin këmbëzën e hollë prej druri e mbeteshin brenda. Grackat tona mund t’i rrëzoje vetëm po t’i qëlloje me gurë! Këmbëzat e tyre ishin si trarë, jo si shtjekëz pushke, me to vetëm mund të luaje.
Qe e shtunë ose e diel, kur nuk kishte shkollë. Ishim bërë bashkë Te Lisat, krah varrezave të fshatit, lëshuam kecat në pyllin e Shkozës sipër e ngritëm grackat, pesë copë, radhë njëra pas tjetrës. Më të mëdhenjtë, d.m.th., shkollarët, që na shihnin nga lart poshtë ne më të vegjlit, qëllonin të parët. Secili kishte të drejtë të qëllonte pesë herë radhas.
Quhej fitues ai që i rrëzonte të pesë grackat. Më erdhi radha në fund fare, kur u kujtova se vetëm unë nuk kisha provuar. Nuk di si ndodhi, me katër të shtëna i rrëzova të pesë grackat! U ngritën zërat. Nga na doli ky qurrsi, që nuk ngre njëherë zërin, t’i rrëzojë grackat me katër të shtëna! Nuk tha njeri qurrs e as qaraman, po mua e kushëririt tim, Xhekes, që vërtet s’e hapnim një herë gojën si më të vegjël që ishim, na dukej se kështu na thoshin. U mor vesh se vetëm unë i rrëzova gjithë grackat.
Loja u përsërit dhe këtë radhë i pari duhet të filloja unë. As tani nuk e di si ndodhi, i mora një nga një, tek e tek, pesë gjuajtje pesë gracka të rëna, si një gjahtar i vjetër! Në vend të gëzohesha, të ngrija kokën e të ngrija zërin, nuk di pse, u mblodha një grusht.
Ky qenka mëngjarash, tha dikush. Në fillim qeshën, po kur askush tjetër nuk i rrëzoi të pesë grackat të gjithëve iu duk tepër të isha unë fituesi. M’u desh të provoj me dorën e djathtë e sa nuk qëllova shokët e mi. Nuk ishte e drejtë! Kisha përdorur dorë tjetër, sikur të kisha përdorur armë tjetër. Edhe mua nuk më erdhi zëri të hap gojën. U mblodha sërish grusht. Po, nuk isha si të tjerët, isha ndryshe, isha mëngjarash!
Më shkoi në mend se nëna, pa më thënë gjë, kur haja, më merrte lugën e ma vinte në dorën tjetër. Nuk i thosha pse e nuk kundërshtoja, po më vinte për mbarë të ulja kokën te luga e jo të çoja lugën në gojë. Kur më kruhej mbrapa veshit të djathtë përdorja të njëjtën dorë duke e shtrirë nga prapa kokës e jo dorën që kisha më afër.
Brenda ditës gjithë të shtëpisë e morën vesh që isha mëngjarash. Ndoshta, edhe e dinin, por kur një gjë thuhet, quhet! Them se e mori vesh dhe gjithë fshati. As dy motrat, as vëllai, as gjyshja e as nëna, asnjë tjetër nuk ishte mëngjarash. As njerëzit e tjerë të shtëpisë, kushëriri Xhekja, motrat, vëllai, prindërit e gjyshërit e tij. Madje, isha i vetmi mëngjarash në fshat!
Nuk isha si gjithë të tjerët. Nuk isha as si babai. Gjyshes, që mbante mënd si qeshte ai, që nga e qeshura e parë tek e fundit, nuk i kujtohej t’i kishte marrë lugën nga një dorë e t’ia kishte venë në dorën tjetër. Në fshat thoshin se i ngjaja sikur të më kish nxjerrë nga hundët. Tani do të thoshin: “Tersi! I mori emrin e fatin e i hëngri kokën t’atit! La dy gra qyqe”!
Në ditën e parë të shkollës, vetëm dy muaj më vonë nga loja me gracka, më dukej se të gjithë e kishin mendjen te unë, se isha ndryshe nga ata, si ai që ka qere. U kujdesa që torbën prej pëlhure të zezë ta hidhja në qafë nga krahu i djathtë në të majtë e jo nga e majta në të djathtë. Sa nisa të eci u pengova, se harrova hapin e parë me të djathtën. Dhe nuk më eci mbarë. Lapsin nuk munda ta kaloj në dorën e mirë as për ta mbajtur. Nuk ishte nevoja të shihte mësuesi se me ç’dorë shkruaja; që në orën e parë moshatarët e mi, them pa të keq, treguan se jam mëngjarash, si t’i thoshin se kemi një allasoj në klasë.
Dy javë më pas mësuesi më kapi “në krim e sipër”; po vizatoja me dorën e majtë! Më dënoi të qëndroj me një këmbë te dërrasa e zezë, para klasës. Unë isha mësuar ta pranoj fatin e dola t’i nënshtrohem, po u ngatërrova me këmbët e mia: nuk mbështetesha dot mbi këmbën e mirë dhe i bëra të gjithë për të qeshur.
Mësuesin e parë, Mehmet Qafën, e mbaj mend jo se i pari për këdo është i paharruar, po se kishte shkrim shumë të bukur e thoshte se shkrimi i bukur të bën të ditur. E mbaj mend për “notën” e parë në fletoren time, pak a shumë Qafmmmmm, të lidhura me njëra tjetrën, që unë e merrja si zero me xhufkë, më keq se dysh, kur ishte thjesht firmë.
E mbaj mend edhe se kur, në një orë vizatimi duhej të bënim një mollë me një gjethe te bishti, unë bëra dhe një dorë sipër saj. Ai më pa se vura në punë dorën e keqe, po nuk më dënoi të qëndroj me një këmbë te dërrasa e zezë. Prej asaj dite as vërente më me ç’dorë bëja detyrat e mia: ai vinte notën e firmën e tij të gjatë mbi çka isha i zoti të bëja.
Nga klasa e tretë mësova të shkruaj me dorën e mirë, por, për qejfin tim vazhdoja të vizatoja si mëngjarash. Në mesin e viteve gjashtëdhjetë, pas pedagogjikes, për dy vjet kam bërë mësuesin në tetëvjeçaren e fshatit Potom, afër Helmësit, ku në gusht 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është bërë Kongresi i të Rinjve Antifashistë. Për mungesë mësuesish duhej të bëja disa lëndë e mësoja vetë si nxënës: fizikë, biologji e gjeografi. Për vesin e vjetër të mëngjarashit, kërkova të bëj dhe vizatim.
I fusja shkumësat në bojë shkrimi e në tretësirën e lëvoreve të zjera të arrave e u shpjegoja nxënësve me ngjyra atë që doja të bënin, kur ata ende mund ta vizatonin botën për rreth vetëm me laps plumbi.
I bëra magji inspektorit të arsimit, ai e ndërroi programin e kontrollit, nuk shkoi te një koleg tjetër po më ndoqi dhe në një orë vizatimi: pa pikë zori vizatova me të majtën një pemë në një breg lumi dhe ujin e ngjyrosa me shkumësin me bojë shkrimi. Punët mund të bëhen më mirë e më shpejt kur përdor herë njërën dorë e herë tjetrën, ose të dyja bashkë, si kisha mësuar nga mësuesi i parë, Mehmet Qafa.
Inspektori, para konkluzioneve të kontrollit, që dërgoheshin me shkrim nga seksioni, tha faqe të gjithëve: “Ky djali e bëri amebën në dërrasë me shkumës me ngjyra. Gjithë jetën kam dhënë mësim, po nuk kam bërë një orë më të bukur mësimi se kjo. Mjafton të duash, gjithçka arrin të bësh nëse do”! Isha 19 vjeç, ishte vlerësimi i parë për atë që bëja e që nuk isha i sigurtë se ishte ajo që duhej të bëja. U mblodha e u skuqa prej ndrojtjes, por ndjeva se tani nuk isha më ndryshe, u ndjeva njësh me të tjerët! Ai inspektori, Skënder Myftari quhej, që nuk mund ta harroj kurrë, duket se qe hajmalia ime. Nuk di çfarë raporti kishte bërë në rreth, po pas disa muajsh u emërova drejtor në atë shkollë
Ndoshta qe një rastësi, nuk thuhet kot rasti është mbreti i botës, vitin tjetër, në shtator 1967 përfitova bursë e fillova studimet në universitet. Ai vit “drejtor” në CV-në time, që në atë moshë, ishte si dhjeta e parë në librezën e studentit, që vë në mendime çdo pedagog për notën e provimit të radhës. Si një provë zjarri që krijon besim edhe te të tjerët se mund të përballosh prova të tjera. Duket fati kishte trokitur në derën time pa iu lodhur gishtat e unë e kisha rrokur me të dyja duart, tashmë i çliruar nga kompleksi i mëngjarashit, i të qenit ndryshe.
***
Kisha shkruar në një postim të fundit në profilin tim në facebook se burrat janë pak mëngjarashë, duke futur dhe veten: s’para u vjen ndoresh për shumë gjëra, ndoshta edhe nga dembelosja e mendjes, kur nuk e vënë në punë për asgjë. U hap një debat me miqtë në kafe, aty ku thuajse gjithë moshatarët vrasin kohën, se kuptimi leksikor i fjalës mëngjarash tregon një veprim të ngathët po edhe një individ ndryshe, jo si të tjerë, që ca gjëra i bën ndryshe, ose nuk i bën dot fare!
Kam vite me të njëjtët miq; kemi folur shumë herë gjepura, po këto të fundit nuk desha t’i gëlltis. Unë jam mëngjarash, u thashë; kur qenkam ndryshe e i bëj gjërat ndryshe ose nuk i bëj dot fare, si nuk kini vënë re se jam mëngjarash? Shoqëria jonë e kafes është diplomuar në fakultetin e fjalëve, si i themi midis nesh filologjikut, po thamë se nuk kemi kohë për t’u grindur, as të improvizojmë, pa u thelluar në argumente e dëshmi të provuara. I vumë pikë duke thënë se po ia vishnim me top, si politika e ditës. Shkurt, po rrihnim ujë në havan.
Në kërkim të dëshmive, ky “debat” më ktheu mbi gjysmë shekulli pas, në fëmijërinë e rininë time, me episodet e rrëfyera më sipër. Të qenit mëngjarash e ndryshe, gjykoj sot, më veçonin nga fëmijët e fshatit jo se i rrëzoja grackat me të majtën, po them se më shumë prej emrit e fatit tim të veçantë. Tani atë kohë e kujtoj me mall, madje, atë vetëmbyllje prej mëngjarashi si një pasuri e fat që e kisha vetëm unë.
Kërkova në Google e zbulova çudira. Në harkun e disa dekadave qëndrimi ndaj kësaj shfaqjeje te individë të veçantë ka ndryshuar, nuk quhet më një “ves” që duhet korrigjuar. Jo shumë kohë më parë llogaritej se mëngjarashët nuk përbënin as 3-4 për qind të popullsisë së botës; sot studimet përcaktojnë se kjo shifër ka mbërritur te 13 për qind. Psikologët thonë se kjo patologji ndodh gjatë shtatzënisë së nënave në stres, po nuk cenon aftësinë e tyre intelektuale.
Në Amerikë katër mëngjarashë, bashkëkohësit tanë, Karter, Regan, Klinton e Obama, kanë qenë presidentë e i kemi parë të firmosin dekrete presidenciale me dorën e majtë. Tenisti Rafael Nadal, disa herë Numri 1 në botë, është mëngjarash. Xhimi Hendriks, nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve në kitarë, luan me dorën e majtë. Nuk them se të qenit mëngjarash i ka bërë të tillë të mëdhenj, po dora e majtë, të qenët ndryshe, nuk i ka penguar e ndarë, më e pakta nuk i ka shmangur nga gara. Unë vetë, Nr. 1 një herë të vetme kam qenë; vetëm në lojën me gracka!
Në historinë e njerëzimit, të qenit ndryshe, për shkak të kombësisë, fesë, racës, seksit, madje dhe bindjes e të drejtave themelore njerëzore, kanë pasur pasoja katastrofike; njihen pogromet kundër çifutëve në Mesjetë nga kisha e deri në shekullin e njëzetë nga nazistët, inkuizicioni e turra e druve për mendje të mëdha të dijes si Koperniku e Galileo Galilei, që guxuan ta shohin gjithësinë ndryshe. Janë përmbysur sot mendësi e sjellje deri dje tabu, që ndanin e diskriminonin të ndryshmit.
Është dashur kohë e luftë për të arritur deri këtu. Sot ka ditë ndërkombëtare për të drejtat e shurdhmemecëve, të të verbërve, të autikëve, si ka ditë të grave e nënave, madje dhe të baballarëve. Ka ditë të individëve LGBT me orientim seksual ndryshe.
Për mua në shumë drejtime, këto kanë qenë beteja të të tjerëve e fitore të të tjerëve. Fjala vjen, nuk di a do ta doja veten sikur t’i përkisja komunitetit gei, ose një nga të afërmit e mi të ishte i tillë, po them se e kam mundur veten e quaj fitore timen që njoh të drejtën e tyre për të mos u diskriminuar, për të mos u përçmuar e mënjanuar, për të qenë ata që janë.
Kjo botë ka probleme të mëdha sociale, të varfërisë ekstreme e të ndasive që vijnë prej saj deri në nëpërkëmbjen e dinjitetit njerëzor, që në shifra kapin miliona e miliona njerëz. Tingëllon cinike të merresh me hallet e mëngjarashëve, po them se po aq cinike është t’i shkelësh me këmbë ato; çdo individ ka të drejtën për të gëzuar diellin mbi tokë.
Paska dhe një Ditë Ndërkombëtare të Mëngjarashëve, në 13 gusht! Nuk di ç’ bën “dora ime” në botë këtë ditë, mua më duket e tepërt t’ua përplas këtë miqve e t’u kërkoj të më qerasin kafen. Do të na bëhej kafja zeher nga politika: ajo edhe duart duket sikur t’i vë njërën kundër tjetrës. Njëra bën vetëm keq e tjetra bën vetëm mirë. Si në legjendën e Kalasë së Rozafës, njëra ndërton ditën e tjetra prish natën.
Nuk është punë mëngjarashësh e djathtashësh këtu, është një sindromë e së keqes ku njëra palë e sheh të keqen vetëm te tjetri. E kujt mund t’i thuash: pa prit njëherë, jemi gishta të së njëjtës dorë, jemi krahë të të njëjtit trup. “Jemi një fis e një farë. Jemi të gjithë shqiptarë!” Një nga mendjendriturit tanë e ka thënë këtë para se të kishim shtet. Pas një shekulli e ca që jemi shtet, u dashka ta kujtojmë këtë.
Do t’u them miqve se ka një Ditë të Mëngjarashëve, po për mua është thjesht një konvencion. Më dallon po nuk më ndan prej tyre. U plakëm bashkë se i zgjatim dorën njëri tjetrit e jo se shtyjmë njëri tjetrin e as i shkelim hijen tjetrit. Nuk kemi kohë të mos duam.