Tomorr Celibashi/Djepi i trimave

Tomorr Celibashi/Djepi i trimave

Tomorr Celibashi

 

Mal Baba, o kryethinjur,

Më i moçëm se vetë jeta!

Të sodis e s’kam të nginjur,

O i mirë si e vërteta!

 

O i urti ynë shenjtor,

Dritë e jetë si diell pa hije,

Kryelartë e mjekërborë

Që flet gjuhë perëndie!

 

Ti që mban në gji aq derte

Dhe na fal neve gëzim,

Urtësinë që ke për vete

I ke dhënë popullit tim

 

Punëtorit zemëbardhë,

Çobanit të bagëtisë

Bujkut që zbukuron arën,

Nikoqires së shtëpisë

 

Që rrit jetën posi bleta,

Gojëmjaltë, dritë mirësie,

Si gonxhe fshehur ndër fleta,

Plot aromë dashurie.

 

Pleqtë në viset e tua

Fjalëpakë e mendjeshumë,

Burra bese të dëgjuar,

Për lirinë të pagjumë.

 

Turku si lepur në ferrë,

Strukur frikur nga llahtari,

Nën goditje si përherë,

– Moj ane’, na griu Skrapari!

 

Greku kockat la ndër shkrepa,

Dridhen italo – gjermanë:

-Ç’djem kanë rritur këta djepa

S’qënkan djem, qënkan luanë!

 

Ti linde Dervish Iljazë

Që qe shenjt përmbi shenjtorë,

Shqiptarinë kish besim bazë,

Dhe shpirtin e bardhë dëborë.

 

Ti i rrite burrat me zemër,

Lace Backë, Riza Kodheli,

Burrat “Zaloshnja” me emër,

Baba Fejzo Therepelin.

 

Riza Cerovë bukurinë,

Trim me ideale drite,

Zylyftarin, trimërinë,

Estref Cakën vetë e rrite…

 

Kë të të përmend më pare?

Trimat majë Ostrovicës?

Fajkonjtë e Lace Backës?

Bijtë fisnikë të Tomiricës?

 

Të flas për Baba Meleqin,

Që si bilbil ligjëroi,

Librat shqipe sjell me vete,

Gjuhën mjaltë djemtë të mësojnë?

 

Xhelal Koprenckë patriotin,

Firmëtar i pavarësisë,

Burrë i pushkës, burrë i gojës,

Nga ajka e Shqipërisë?

 

Për Tajarin nga Vendresha,

Që me trima rreth rrethuar

Në beteja e shkoi jetën

Për liri duke luftuar?

 

Xhevairë Arap Spathara,

Riza Valën e pathyer,

Sokoll Radësh i dëgjuar

E të tjerë gjokse shpërthyer?

 

Mestani nga Ujaniku

Që ngriti çetën i pari,

Me luanë, shporri armikun

Dhe u çlirua Skrapari?

 

Kahreman Ylli me dritë,

Burrë për pushkë,burrë për mend,

Nderin tënd më lart e ngriti,

Se u shkri për këtë vend.

 

Xhevair Spahiu i vargut,

I thesarit poetik,

Që në shekuj s’humbet vlagun

Shpirti i tij bardhë lirik.

 

Xha Demir bilbil i këngës,

Me oi-oi-në e rrallë,

Tundi vendin, mbushi zemrat

Herë me brengë e here me mall?

 

Nuk mbarohen historitë,

As trimat e tu legjenda,

Flakën tënde kanë në shpirt,

Zjarri yt u vlon në rremba.

 

Balli i trimave të heshtur

I ke bijtë, Tomorr i lartë,

Sa të flaktë, aq të thjeshtë,

Sa sypushkë, aq zemër artë.

 

Yje linde, yje rrite,

Shkëmb i shenjtë, me dritë e nure

Nderin vetes lart ia ngrite,

Në ballë yje drite vure.

 

Ti mbi supe porsi zogjtë

I mban bijtë dhe gëzon,

Tek ta sheh ti vetë heronjtë,

Që betejat i dallojnë.

 

Mikun ,siç na ke mësuar,

Në pëllëmbë të dorës, mbajmë,

Për armikun, pa përtuar,

Barutin me grusht do të hamë.

 

Përmbi plumba ,vallen tonë

Si me raki ballë kazani,

Do ndezim , të bubullojë,

Të përvëlohet dushmani!

 

Mal Baba, Baba Tomorr,

Mbaje ballin lart përherë!

Ty të puthim këmbë e dorë,

Gjithmonë lart do ta mbajmë nderë