Dëshmi e një miqësie të hershme dhe besimi reciprok të kreut të Qeverisë së Vlorës për firmëtarin skraparlli të Pavarësisë
Zylyftar Hoxha
Xhelal Koprëncka (Mançe) ka lindur në Koprënckë në vitin 1876. Mësimet e para fillore i mori në Korçë.
Më pas vazhdoi studimet në Robert-Kolezh të Stambollit. Studimet e larta i kreu po në Stamboll, në shkollë ushtarake, ku edhe u dallua për rezultate të mira dhe cilësi të veçanta të karakterit të tij.
Pas përfundimit të studimeve, shërben në repartet ushtarake të Selanikut. Në vitin 1911 emërohet komandant i qarkut të Janinës.
Edhe pse oficer i lartë, ai përfshihet në lëvizjen kombëtare të Rilindjes. Koordinon që nga Selaniku dhe Janina punët për përhapjen e gjuhës shqipe me vëllezërit e tij, Dulen e Hasanin.
Në këtë kohë ai mban lidhje të ngushta me botuesit e “Kalendarit Kombëtar” dhe gazetës “Liria e Selanikut” si dhe merrte rregullisht gazetën e Jani Vretos, “Rrufeja”.
Më 28 Nëntor të vitit 1912 me kërkesë personale të Ismail Qemalit e gjejmë në Vlorë.
Ai përfaqësonte krahinën e Skraparit, dhe në emër të saj ka firmosur dokumentin përfundimtar dhe historik të Shpalljes së Pavarësisë. Në procesverbalin e Kuvendit për ngritjen e flamurit ai mban numrin rendor 13, ku shkruhet: “Nga Berati mori pjesë Xhelal bej Koprëncka…”
***
Xhelalin e gjejmë në dokumentet e kohës në Vlorë, nga 28 nëntori i 1912-ës deri më 27 dhjetor të 1912-ës, me detyrë specifike nga Qeveria e Vlorës organizimin e ushtrisë përkrah ministrit të Mbrojtjes, Mehmet pash Dërhallës, organizimin e xhandarmërisë në Lushnjë si dhe organizimin e frontit të luftës kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e territoreve që mbaheshin të pushtuara edhe pas formimit të shtetit shqiptar, kryesisht në jug, nga shovinistët grekë.
Gjatë këtyre ditëve, si zëvendësministër i Mbrojtjes, që përgjigjej për kufirin jug-lindor të asaj zone që përfshinte Qeveria e Vlorës në atë kohë, ai mban lidhje me zonat me Mahmut Ali Pashën në Delvinë, Selam Koprënckën në Skrapar, Hazis Vrionin në Berat etj.
Më pas është caktuar për të përgatitur rezervistët për të shkuar në Skrapar për t’u bërë pritë forcave shoviniste greke. Kjo gjë konfirmohet edhe nga korrespondenca e Ismail Qemalit, ku në një telegram dërguar Hazis Pashës në Berat thuhet: “Kështu ju vumë porosi të provoni patriotizmin tuej dhe të forconi e të vini (zini) pozitat e pritat që është nevoja, mbasi kemi biseduar me Xhelal benë e zotërinj të tjerë që do të vijnë aty”.
Dokumenti është nënshkruar nga Ismail Qemali dhe mban datën 14 dhjetor 1912.
Hazis pash Vrioni në atë kohë ishte administrator i Beratit. Xhelali, që prej kohësh nuk shkonte mirë me të, grindet ashpër, pasi Hazizi nuk i jep mbështetje, por kërkon që përballja me grekun të bëhet vetëm nga forcat e Skraparit.
Kjo vërtetohet me telegramin e datës 18 dhjetor 1912, që qeveritari i dërgon Vlorës, ku thuhet: “Xhelal beu erdhi mbrëmë, në ora 4. Po përpiqem me ia imponue që të nisen në Skrapar, por qet shkas mos me shkue…”.
Duke parë amullinë dhe pamundësinë e Qeverisë së Vlorës t’i vinte mirë gjërat në vend, Xhelali detyrohet të shkojë në Skrapar, edhe me kushtin që i vuri Hazizi.
Me njëherë pas kësaj Vrionasi shpejton të lajmërojë me telegramin e datës 21 dhetor Vlorën se “…sot u nisën për në Skrapar e Tomorricë…z. Myftar sheh Hasani dhe kapitan Tajar beu (Vëndresha). Me të mbërrit Xhelal beu. Do të mendohet veçanërisht ç’duhet ba”.
Detyrën e ngarkuar nga Qeveria e Vlorës për ndalimin andartëve grek në territoret e Korçës, Kolonjës dhe Skraparit në vitët 1913-14 Xhelali e kreu më së miri. Ai bashkoi çetat e Skraparit dhe zuri shtigjet më të rëndësishme.
Krahas detyrave ushtarake, Xhelali në këtë kohë caktohet merret edhe me organizimin e administrates në Skrapar Ai gëzonte respekt të veçantë dhe shihej me besim nga Ismail Qemali.
Kjo gjë vërtetohet me letërkëmbimin dhe korrespondencën e tyre të pasur. Në një telegram të qershorit të vitit 1913, Xhelali e gëzon plakun e Vlorës kur informon se 1500 vullnetarë bashkë me ushtarët e vendit “janë tue kontrollue grykat e qafat e Skraparit”.
Rezistenca zgjati mbi pesë muaj, megjithatë ajo ngeli në kuadrin lokal dhe greket arritën kohë pas kohe deri në Berat.
Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore zhvillimet politike në Shqipëri morën rrjedha të tjera. Në këto rrjedha historike, të pandarë asnjë ditë gjejmë Xhelal Koprënckën.
Kështu në këtë periudhë ka tërhequr vëmendjen e forcave patriotike veprimtaria antikombëtare e Esat pash Toptanit. Ai në këtë kohë shtriu pushtetin e tij deri në Skrapar. Xhelali organizon në shtëpinë e tij një mbledhje me të gjithë krerët e Sraparit, ku vendoset organizimi i një kryengritjeje antiesadiste.
Kryengritja filloi më 27 dhjetor 1915 dhe forcat esadiste u shtynë deri matanë lumit Devoll. Atje forcat kryengritëse u thyenë. Në duart e Esatit ranë robër Sokoll Radëshi, Adil Satka, po nga Radëshi dhe Asllan Vëseshta. Sokolli dhe Asllani u ekzekutuan me varje në Shijak, ndërsa Adili u dënua me burg në Shkodër, por që u pushkatua më vonë.
Ndaj kryengritësve një qëndrim të poshtër dhe ekstremist mbajti prefekti i asaj kohe i Beratit, Sami Vrioni, duke e quajtur lëvizjen donkishoteske dhe Xhelalin, Ali Koprënckën dhe Sakoll Radëshin, tradhtarë të kombit.
Xhelal Koprëncka ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Durrësit, ku më 25 dhjetor të vitit 1918, kryeministër u zgjodh Turhan Pasha. Ky i fundit u ngarkua edhe me detyrën e kryetarit të delegacionit që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Por, krahas Turhan Pashës, pa mandat përfaqësimi shkoi edhe Esat pashë Toptani, i cili, duke shfrytëzuar dobësitë, mori atribute të vetëpërfaqësimit.
Kjo e revoltoi shumë Xhelalin, ndaj në fillim të janarit të vitit 1919, nga Berati ai i dërgon një protestë telegrafike Konferencës së Paqes në Paris për të mos e pranuar Esatin si përfaqësues të Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon atribute përfaqësimi.
Pas 10 ditësh organizohet një miting në Çorovodë ku marrin pjesë mbi 2000 vetë për të kundërshtuar përfaqësimin e Esat pash Toptanit. Pas mitingut, 100 burra nga paria e Skraparit, midis tyre Rakip, Rustem e Ali Gostëncka, Sinan e Taulla Leshnja, Riza Vëlusha, Riza Gradeci, Mehmet Radëshi, Mahmut Zaloshnja, Hasan Gërmënji, Baba Meleq Staravecka etj., firmosin një peticion dhe e dërgojnë me postë në Paris. (AQSH, dosja nr. 28, fleta 13, 14, viti 1919).
Nga mesi i vitit 1919 Korçës iu hoq statusi i Republikës Autonome, dhënë nga gjenerali francez që komandonte trupat ndërluftuese në këtë rajon. Mirëpo Korçës iu shfaq një rrezik tjetër, ai i pushtimit nga shovinistët grekë. Në këtë kohë patriotët dhanë alarmin për të mbrojtur Korçën.
Xhelali vihet në krye të forcave të Skraparit dhe niset për atje. Para se të shkojnë në Korçë, bëhet një takim edhe me forcat e tjera në Gjergjevicë. Duke u kthyer prej andej, në vendin e quajtur Dëllinjë, në lindje të Qafës së Martës, më 21 tetor 1919, Xhelali vritet në pritë për arsye të pa motivuar, siç quhen sot, për motive të dobëta.
Xhelali u varros në Gostënckë pranë shtëpisë së dajallarëve, pas një vrasjeje tepër të dyshimtë se, qenë vërtet motivet e mësipërme apo ndonjë plan tjetër nga kundërshtarët e tij. Misteri i vdekjes së tij ende nuk është zbardhur.
Kështu u mbyll jeta e Xhelal bej Koprënckës, po ajo që ndodhi më tej ishte edhe më e rëndë se fundi i tij tragjik. Emri i u harrua shpejt, veprat aq të guximshme patriotike u injoruan.
Mosmirënjohja arriti deri atje sa t’i fshihej emri nga faqet e historisë dhe t’i retushohej firma në dokumentin historik të Shpalljes së Pavarësisë. Argumenti: “U bashkua me forcat reaksionare të Ahmet Zogut dhe i shërbeu atij me besnikëri”.
Nuk e dihet se kush e sajoi këtë alibi, por Xhelali kishte 5 vjet që kish vdekur, kur erdhi Zogu në pushtet(!). Për më tej Zogu nuk i afroi pranë vetes pasardhësit e Xhelalit dhe nuk dihet të ketë bashkëpunuar njeri me të.
Një ”argument” tjetër që paraqitet në formën e një dokumenti “të rëndësishëm historik”, është një letër e shkruar nga një skraparlli, që me siguri ka pasur probleme personale me Xhelalin.
Në letër thuhet se Xhelal beu ka qenë vegël e ambicieve të Esat Pashës, që kur ky ishte në Janinë komandant xhandarmërie(!).
Po, a nuk ishte ai Xhelal që u vu në krye të kryengritjes kundër Esat pash Toptanit dhe la në brigjet e Shkumbinit shokët e tij më të mirë, a nuk ishte ai Xhelal që mblodhi gjithë Skraparin dhe i bëri peticion Konferencës së Paqes në Paris për të mos njohur përfaqësimin atje të Esat pash Toptanit, kur bashkëpunoi ky Xhelal me Esatin kur ishte komandant xhandarmërie në Janinë më 1911, nga ku braktisi detyrën për të ardhur në Vlorë, në Shpalljen e Pavarësisë!?
Këto janë pyetje që e kanë përgjigjen brenda. Në këtë rast shtrembërimet historike janë të qëllimshme dhe dashakeqe. Por shteti shqiptar me institucionet e tij shkencore, si Akademinë e Shkencave, nuk duhet të harrojnë ata që çanë themelet e tij.
Duhet thëne se vetëm pas viteve 1990 u rivlerësua plotësisht roli i tij historik.
Ai është nderuar me dekoratën “Nderi i Kombit”, dekorata më e lartë civile e Republikës së Shqipërisë, e akorduar nga Presidenti i Republikës, në vlerësim të kontributit të tij si:
firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912;
zëvendësministër i parë i Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit;
organizator i forcave të para ushtarake të shtetit shqiptar.
Këshilli Bashkiak i Skraparit para një viti mori vendim që në një nga sheshet më të dukshme publike të qytetit të vendoset përmendorja e tij.
