“100 personalitetet më të spikatura të Skraparit”

“100 personalitetet më të spikatura të Skraparit”

 

 Roland Qafoku

 

 

Nëse një autor nuk ka shkruar për vendlindjen, librat e tij asnjëherë nuk do marrin vlerë maksimale.

 

 

Pas një pune 3-vjeçare, doli nga shtypi libri im “100 personalitetet më të spikatura të Skraparit”.

 

 

E shtrirë në kohë që nga Mesjeta deri ditët e sotme, përtej të dhënave të reja, profileve për secilin personazh, kërkimeve të mirëfillta shkencore, dokumenteve arkivorë në Shqipëri dhe jashtë saj, arkivit tim personal, qindra intervistave të realizura enkas për këtë botim dhe 1739 referencave të shumta për secilin personazh, ky libër me 990 faqe është njëkohësisht edhe historia e Skraparit e sjellë në një këndvështrim krejt të ri.

 

 

Falenderime pa fund për të gjithë ata që ndihmuan për botimin e këtij libri!

 

 

Për të qenë i saktë, falënderimet nominale i kam bërë në faqet e para. Uroj që libri të pëlqehet!

 

 

 

FALËNDERIME

 

Udhëtimi më i bukur në jetën time ishte ai më 17 gusht 2016. Pasi kisha bërë pothuajse një xhiro të plotë përreth globit, nga SHBA-ja në Kinë, nga Arabia Saudite në Danimarkë, pasi kisha parë mrekullitë e botës që nga Statuja e Lirisë në New York, Kullën Eiffel në Paris, Mekën në Arabinë Saudite, Buckingam Palace në Londër, piramidat e Egjiptit, Manneken Pis në Bruksel, statujën e sirenës në Kopenhagen e shumë e shumë të tjera, kuptova se kthimi në vendin ku kisha lindur nuk krahasohej me asgjë.

 

 

Ndodhesha në folezën time të humbur, Çorovodë, pas 19 vjet mungese, dhe pësova një gravitet që nuk e shpjegoja dot. Edhe sot më kujtohet se më dridheshin duart teksa shtypja butonin e celularit në opsionin “photo selfie”.

 

 

Çuditërisht, ajo Çorovoda, realisht aq e vogël, po më dukej aq e madhe. Madje, shumë, shumë e madhe. Epo, nuk mund të jetë i vogël një qytet, kur në të ke fëmijërinë, dashurinë, mallin, por dhe dhimbjen. Dhe vendosa të fiksoj me foto të gjitha vendet ku kisha kujtimet më të mira, si stacione të jetës.

 

 

 

Ja një foto në maternitetin e vjetër, aty ku pashë për herë të parë dritën e diellit. Ja një foto në kopshtin numër 1.

 

 

Ja një foto tjetër në shkollën “Kahreman Ylli.” Nuk kishte gjurmë të shtëpisë 1 ku kisha jetuar pak vite. Por shprepa një foto te shtëpia 2, te shtëpia 3 dhe ja edhe te shtëpia 4.

 

 

Ja edhe një foto te rruga para pallatit PTT, aty ku dy portat e bëra me zajet e lumit dhe topi i futbollit ishin loja më e preferuar e fëmijërisë. Ja një foto te Pallati i Kulturës, aty ku fantazia ime fëminore u pasurua me veglat muzikore. Ja edhe një tjetër te Shtëpia e Pionierit.

 

 

Ja edhe një foto te fusha e sportit, monument ikonë e qytetit, aty ku im atë më merrte me vete mua dhe tim vëlla, sa herë kishte ndeshje “5 Shtatori”. Kishte bërë nga një stol për secilin dhe të tre uleshim në atë rrëpirën që ndryshe e quanim shkallët e stadiumit.

 

 

Ja një foto te Varishti, ku gjatë verës kridheshim në ujërat e Osumit dhe më tej një foto me kanionet në sfond, e denjë për kartolinë. Ja edhe një foto aty ku takohet Osumi dhe lumi i Çorovodës, ose Lumi i Guhakut, siç i thoshim në fëmijëri, duke e bërë këtë qytetin e vetëm në Shqipëri që laget nga dy lumenj të cilët takohen në qendër të qytetit dhe krijojnë një si deltë, pamje që nuk e ka asnjë lumë tjetër në Shqipëri.

 

 

Pasi mbarova me veten time, aparatin e ktheva nga një rrugë që të çon drejt Vërzhezhës, atje ku janë rrënjët e të parëve të mi dhe ku kishte lindur im atë, Ryfeti.

 

 

Aty ku gjyshi im, Muharrem, nga Skrapari dhe gjyshja Nazike nga Berati ndërtuan fortesën e

 

 

familjes së madhe Qafoku që do shërbente si pikë orientimi për çdo djalë e vajzë, nip e mbesë e deri stërnip dhe stërmbesë. Dhe sot pirgun e madh të diplomave të marra nga të gjitha degëzimet e kësaj familjeje mund ta kenë zili edhe familjet e mëdha në Tiranë e gjetkë.

 

 

Ja dhe një foto nga rruga për në Vëndreshë, atje ku kishte lindur dhe qe mëkuar ime më, Hysnija. Atje ku gjyshi im, Riza Meslani, nga Skrapari dhe gjyshja Dylbere nga Përmeti ndërtuan jetën e tyre me aq dinjitet, saqë kushdo që i njohu i mban mend si njerëz punëtorë, të kamur dhe me një higjienë e pastërti të paimagjinueshme për kohën kur jetuan. Në fund, disa pika lot.

 

 

Në fakt, ajo për të cilën ndjeva mall nuk ishte as shtëpia ku kisha lindur, as kopshti, as shkolla, as rrugica e lagjes, por qenë vitet e fëmijërisë në Çorovodën dhe në Skraparin tim. Pikërisht në atë çast më feksi ideja se gjithçka që kisha arritur në karrierën time nuk do të vlente, nëse nuk do të bëja diçka për Skraparin tim.

 

 

Për muaj të tërë e shtrydha mendjen se si mund ta konceptoja një libër; një botim jo si të tjerët; me një veçanti, me një strukturë ndryshe, por me qëllimin që aty të përfshihej e gjithë historia e asaj krahine. Më ngecte herë pas here tastiera, teksa ravijëzoja një listë me emra.

 

 

 

Njerëzit e përzgjedhur herë më dukeshin të vegjël dhe herë mesatarë. Por një gjë nuk ua mohoje dot, që dashuria për Skraparin nuk u kishte shteruar kurrë. Dhe kështu nisi skicimi i librit. Një ide për të cilën kanë ndihmesën e tyre një grusht njerëzish pa të cilët ky libër nuk do ta kishte parë dritën e botimit.

 

 

Një libër i përgatitur me shumë energji dhe pasion nuk mund të gjenerohej nga një njeri i vetëm.

 

 

 

Së pari falënderoj kryetarin e Bashkisë së Skraparit, zotin Adriatik Mema, që teksa e kisha konturuar librin dhe ia paraqita si projekt, nuk e bëri dy. E pëlqeu pa masë dhe më inkurajoi e më mbështeti në të gjitha drejtimet.

 

 

Po ashtu, falënderoj të gjithë stafin e tij, i cili dha miratimin që ky libër të mbështetej nga Bashkia.

 

 

Një falënderim shkon për mikun tim të vjetër, Niko Kotherja, çdo diskutim me të cilin dhe çdo detaj që ai zbulon është një ndihmesë speciale për mua, ndërsa vetë ai vijon ta rrisë formatin e vet si një aset për studimin e histories së Shqipërisë.

 

 

Më pas falënderoj bashkëpunëtorët e mi të afërt, Rudin Jankun, dizajner, mikun dhe bashkëpunëtorin tim që nga koha kur drejtoja gazetën “Panorama”, me të cilin kam bashkëpunuar në të gjithë librat që kam botuar;

 

 

falënderoj profesorin e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, Ardian Dokën, për redaktimin me sqimë të këtij libri.

 

 

Falënderoj gjithashtu të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë që më ndihmuan me kërkime, bashkërendime dhe sistemime materialesh, çka për mua ka qenë një punë e vyer. Një falënderim special kam për profesorin dhe doktorin Ajli Alushani; një nga mendjet më të bukura që ka nxjerrë Skrapari, i cili më nderoi mua me këshilla, mendime, vërejtje aq të vyera, por edhe duke shkruar parathënien. Ma përcaktoi që në fillim këtë libër si një ndërmarrje të mirë, të përgjegjshme, por edhe të vështirë, ngaqë mund të harroja ndonjë emër dhe ‘na mërziteshin skraparlinjtë’.

 

 

Për galerinë e 100 personazheve, me statusin e mjekut, profesor Alushani më tha se duhet të kisha parasysh që njerëzit janë po aq të ndërlikuar, sa ç’është truri, prandaj duhet të tregohesha i paanshëm. Por inkurajimi tij ishte i madh kur më tha se ky libër mund të dilte mirë vetëm, nëse e doja shumë Skraparin. Unë këtë e kisha në xhep. Për pjesën tjetër më duhej të shtrydhja shtatë këmishë.

 

 

 

 

 

 

 

Nuk mjaftojnë fjalët për t’i falënderuar ata që më kanë ndihmuar me shumë detaje dhe informacione, por, veçanërisht, me verifkime. I pari mbetet Zylyftar Hoxha, që për mua është një sinomim i Skraparit në të gjithë kuptimin e fjalës. Nuk e ndaj dot këtë njeri nga fjala Skrapar. Madje, nëse do të më lejonte, në libër nuk do t’ia shkruaja emrin Zylyftar Hoxha, por Zylyftar Skrapari.

 

 

Për të shkuar më tej te Nuri Çuni, një muze shëtitës dhe një burrë punëtor e zemërbardhë, të cilit I shkon aq shumë lidhja e ngushtë me bektashizmin për ato cilësi pozitive që i lëvron kjo fe.

 

 

Falënderoj pa masë Sefedin Çelën, një skraparli që sqimën për cilësinë në gazetari e ruan edhe sot, që është afro 80 vjeç.

 

 

Bashkim Koçin e falënderoj nga zemra për çdo fjalë dhe mendim që më dha, dhe mua më ngjan se ende është ai burri 40-vjeçar që kur shkruante te “Zëri i Popullit” e trondiste shtetin me faktet që sillte në shkrime.

 

 

Nga më të rinjtë falënderoj Zylyftar Bregun, pse bëri që lista e 100 emrave të ishte më e plotë dhe që detajet të ishin më të sakta.

 

 

Një falënderim shkon për Asqeri Dikon, i cili, nga Stambolli ku jeton, më ndihmoi për ato figura që kanë gjurmë në arkivat e shtetit turk.

 

 

Pas falënderimeve për skraparlinjtë kam plot e plot edhe për ata që nuk janë nga ajo zonë, por që më kanë ndihmuar shumë për këtë libër.

 

 

Falënderoj Ilir Ikonomin, ish-gazetarin e “Zërit të Amerikës”, tashmë autor i sa e sa librave cilësorë, që më ndihmoi jo pak për një figurë “high profile”, të cilën Skrapari nuk e ka ditur që e ka pasur.

 

 

Një falënderim shkon pë të gjitha personazhet që janë në libër dhe që bashkëpunuan.

 

 

Falënderoj gjithashtu edhe të afërmit, fëmijët, nipërit dhe mbesat e atyre që nuk jetojnë më, të cilët u treguan të gatshëm të më jepnin të dhëna për paraardhësit e tyre.

 

 

Si përherë në fund, por jo për nga rëndësia, falënderoj familjen time, të shenjtën time të bekuar, si për shumicën e skraparlinjve. Frenkit dhe Ketës u kam borxh orët dhe ditët që u kam marrë, duke punuar me këtë libër.

 

 

 

Unë e di që më mirëkuptuan, edhe për faktin se po shkruaja për Skraparin.

 

 

Jam munduar të sjell jo thjesht një libër, por shumatoren e vlerave të 100 personaliteteve. Për këtë arsye, mezi pres që lexuesit të ma thonë çfarë mendojnë.

 

 

E nëse ia kam dalë, kjo do të më lumturonte pa masë.