Dr. Hasan Shkëmbi promovon në Luarasi Universitet librin “Ndikimi i pandemisë, në siguri dhe në policim
Ish-drejtues i Policisë së Shtetit, me më shumë se 40 vjet në strukturat e Sigurisë, Hasan Shkëmbi, pedagog i programit Master për “Sigurinë dhe Rendin Publik” në Universitetin “Luarasi” ka promovuar librin “Ndikimi i pandemisë, në siguri dhe në policim”.
Punimi analizon ndikimet kryesore se si kriza e pandemise ndryshoi botën, nga hiperglobalizimi në deglobalizim, nga funksionimi i qeverisjes globale dhe instrumeneteve shumëpalëshe në cënimin e tyre; nga diplomacia tradicionale në ate virtuale etj.
Pandemia goditi infrastrukturat kritike të sigurisë si: rrëzoi sistemet dhe kapacitetet e shërbimeve shëndetesore publike edhe në vendet me të zhvilluara, kolapsi ekonomik menjë recesion ekonomik global, ndërprerje e zinxhirit të furnizimit ushqimor; dobësim i sistemeve kritike të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, ato kibernetike; aeroportuale etj.
Mes atyre që diskutuan rreth këtij punimi, ishte edhe fjala e ambasadorit Dashnor Dervishi, të cilën po e botojmë më poshtë:
Ndikimi i Pandemisë në Siguri dhe Policim” me autor Hasan Shkëmbin është një libër mjaft interesant që do i shërbente çdo lexuesi të thjeshtë, që do e pajiste me njohuri të thella mbi jetën; çdo studiuesi të shkencave ekzakte dhe ato filozofike; çdo analisti që merret me problemet e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Libri është i plotësuar në mënyrë analitike me statistika skrupuloze, me grafikë dhe tabela të shumta që japin një tablo të plotë mbi shtrirjen dhe efektet e pandemisë në vendin tonë dhe në botë që do e kishte zili çdo studiues i fushës së shëndetësisë.
Profesor Hasani, si një punonjës dhe studiues i vëmendshëm i problemeve të sigurisë, përshkruan në këtë libër nëpërmjet fakteve dhe skanimit si një profesionist i kualifikuar, të gjitha aspektet e jetës së përditshme, që lidhen me problemet e rendit dhe të sigurisë kombëtare që do i shërbente si manual çdo pushtetari në vendin tonë, punonjësi të rendit dhe student në Akademinë e Sigurisë Kombëtare. Libri trajton edhe një aspekt tjetër të ndikimit të krizës së pandemisë, atë të transformimit të thelbit të diplomacisë klasike dhe zbatimit të praktikave të reja në marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërkombëtar. Diplomacia është bërë virtuale ndërsa koronavirusi është viral, thotë autori.
Një “diplomaci hibride” që zëvendëson takimet tradicionale ballë për ballë, me ato virtuale të organizuara në internet, si dhe takimet ad hoc dhe konferencat online, që kanë shënuar një rritje të shpejtë. Nevojën për të kufizuar kontaktet fizike për shkak të pandemisë, duke nxitur një kthesë drejt diplomacisë digjitale, profesor Hasani e ilustron me shembuj të shumtë nga praktika e viteve të fundit.
Tradicionalisht, siguria kombëtare është përcaktuar ngushtë si mbrojtja e shtetit nga kërcënimet fizike ose ndaj sovranitetit, por prof. Hasani tërheq vëmendjen se në dekadat e fundit është vënë re një rritje e mprehtë e kërcënimeve – jo tradicionale, siç janë terrorizmi, ekstremizmi i krahut të majtë apo të djathtë, trafiku i drogës, i qenieve njerëzore, migrimi, spastrimi etnik dhe epidemitë; rritja e mashtrimeve dhe sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturave kritike të sistemeve të informacionit të klasifikuar dhe financiar e bankar. Pandemitë mund të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për të përfituar nga grupet terroriste.
Ndërsa qeveritë janë të zëna me trajtimin e pandemisë, këto grupe mund të përfitojnë nga situata e dukje se, mungesa e solidaritetit midis vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht gjatë fazave të hershme të pandemisë demonstroi efektet e pafavorshme të qasjes së sloganit “Kombi i Pari”, ashtu si për kontinentin amerikan “Amerika e Para”. Në teorinë e strategjisë së sigurisë ekziston një korrelacion midis sigurisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare e globale. Në këtë kuadër, thotë autori, pandemia Covid-19 paraqet kërcënim serioz ndaj sigurisë ndërkombëtare me pasoja negative për interesat e politikës së jashtme të vendeve e rajoneve te ndryshme.
Kriza e pandemisë koronavirus preku marrëdhëniet ndërkombëtare duke shkaktuar tensione diplomatike, sidomos midis fuqive të mëdha; ajo ka dhënë implikime në bashkësinë ndërkombëtare të shprehur jo vetëm në krizën ekonomike globale, por edhe në rritjen e tendencave nacionaliste, antiglobaliste dhe izolimit të disa vendeve. Implikimet e pandemisë, shkojnë përtej, duke kërcënuar strukturën e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare në të gjithë botën. Duke cituar paralajmërimin e Henry Kissinger se, “Epidemia e koronavirusit do të ndryshojë përgjithmonë rendin botëror”, vihet në dukje pasojat evidente që tashmë pandemia ka sjellë me ndryshime të rëndësishme gjeopolitike.
Duke u thelluar në studimin e tij si një historian me përvojë, prof. Hasani kthehet pas për të na kujtuar se murtaja ka kontribuar në ngritjen dhe rënien e fuqive të mëdha, por edhe për të na tërhequr vëmendjen se historia përsëritet. Kështu, në shekullin e V-para erës së re, Athina ishte një shtet i fortë tregtar dhe fuqi detare, por ajo ra viktimë e një murtaje gjatë Luftës së Peloponezit me rivalin e saj Spartën. Popullsia e saj e shkatërruar nga sëmundja, bëri që Athina të mundej nga spartanët dhe humbi pozicionin e saj si fuqia kryesore në Greqi. Po ashtu, Venecia e hershme moderne ishte një qendër tregtare dhe fuqi detare, një forcë dominuese në Mesdhe.
Murtaja italiane e viteve 1629-31 shkatërroi Venecian, megjithatë, dhe shtetet e Evropës Veriore si Anglia dhe Republika Holandeze plotësuan boshllëkun e lënë nga Republika Veneciane në rënie. Madje edhe termi “karantinë” vjen nga fjala e dialektit venecian për “40 ditë”. Në shekullin e XIV, “Vdekja e Zezë” çoi në shembjen e sistemit feudal britanik, i cili ndihmoi në hedhjen e bazave për ngritjen e sistemit ekonomik modern kapitalist. Në shekujt XV dhe XVI, Perandoria Aztec u shkatërrua nga lia, duke hapur derën e kolonizimit evropian në dy amerikat. Pandemia e fundit, “Gripi Spanjoll” i vitit 1918 vrau 50 milion njerëz, duke shtuar dhjetëra miliona që vdiqën gjatë Luftës së Parë Botërore.
Duke u kthyer në kohën tonë, përhapja e pandemisë COVID19 për një kohë të shkurtër preku pothuajse të gjithë vendet në botë, ndërkohë dhe përgjigjet e qeverive ndaj pandemisë kanë qenë në thelb gjeopolitike, duke përfshirë çështjet e sigurisë kombëtare, lidershipit global, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe konkurrencën e vaksinave. Menaxhimi global i pandemisë Covid-19 ka çuar në një zhvendosje të debatit nga fusha e shëndetësisë në atë gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Ndërsa pandemia COVID-19 është një krizë e shëndetit publik, ajo është gjithashtu një çështje e rrezikut gjeopolitik në shkallë globale, konkludon autori. Shpërthimi i pandemisë dhe mbi të gjitha i fushatave të vaksinimit, ushqyen debatin e gjerë gjeopolitik. Pandemia koronavirus dhe vaksinat kanë përshpejtuar rivalitetin mes fuqive në një botë shumëpolare. Kriza shëndetësore COVID-19, dhe posaçërisht gara e vaksinave ka provuar përsëri se: çështjet e prestigjit, rivalitetit dhe “fuqisë së butë” kanë nxitur fuqitë botërore të konkurrojnë më shumë veç e veç sesa të punojnë së bashku.
Gjeopolitika e pandemisë koronavirus formoi mjedisin global operues për kompanitë e prodhimeve farmaceutike dhe vaksinave në vitin 2021. Pandemia e Covid-19 dhe fushatat e vaksinimit janë pika e parë e hyrjes për të kuptuar sesi shëndeti kalon në qendër të debatit dhe veprimit gjeopolitik. Pandemia ka përforcuar rolin e shtetit dhe në veçanti të qeverive qendrore si protagonistë të përgjigjes ndaj kësaj krize dhe të strategjive të rindërtimit ekonomik dhe social. Vaksina nuk vret (si raketat), por parandalon vdekjet dhe, në këtë kuptim, nuk është aq larg nga burimet ushtarake ose ekonomike të fuqisë së fortë. Shteti që fiton garën e vaksinave ka gjasa të marrë një ngritje në pozicionin gjeopolitik dhe reputacionin e saj ndërkombëtar. Disa nga kufizimet që krijuan ose përkeqësuan tensionet gjeopolitike midis disa vendeve, përfshinë vendosjen e kufizimeve të përkohshme të eksportit për furnizime kritike për pajisje mjekësore dhe farmaceutike për sa kohë që pandemia vazhdonte.
Gjeopolitika e vaksinave nxori në pah një rivalitet të ri botëror dhe shfaqjen e një konkurrence që mendohej se i përkisnin të kaluarës. Nga njëra anë, vendet perëndimore betoheshin për cilësinë e lartë të vaksinave të tyre. Nga ana tjetër, Kina dhe Rusia filluan dhe vazhduan të konkurrojnë me fuqitë perëndimore me patentat e tyre të vaksinave. Si një vëzhgues i kujdesshëm, prof. Hasani, ve në dukje se problemi kryesor në muajt e parë të vitit 2020 ishte prodhimi dhe shpërndarja e një sasie të mjaftueshme dozash vaksinash. Midis kaosit të vaksinave dhe nacionalizmit të vaksinave, u duk rrëmujë politike. Gara e vaksinave vuri në provë Bashkimin Evropian që ndërmori një blerje të përbashkët të maskave dhe vaksinave, të cilat ndihmuan në ruajtjen e unitetit të bllokut.
Por, BE-ja “harroi” familjen e saj më të ngushtë, Ballkanin Perëndimor, duke hapur derën për Rusinë dhe Kinën për ndikimet e tyre me dhurimin e vaksinave. Prof. Hasani, në librin e tij, nuk mbetet vetëm në evidentimin e zhvillimeve historike dhe dinamikës së ndryshimeve cilësore në marrëdhëniet ndërkombëtare që solli pandemia e koronavirus, por ai nxjerr edhe disa konkluzione dhe parashikime për të ardhmen, për sa kohë që kriza e pandemisë solli disa praktika të reja diplomatike, duke ndikuar edhe në reflekset e bashkëpunimit dypalësh drejt një procesi metamorfoze të komunikimit diplomatik.
Dhe shqetësimit të tij për këtë ndryshim drastik në komunikimin ndërkombëtar, kur konferencat dhe takimet online përmes platformave të ndryshme sot janë bërë më se të zakonshme, duke u zhvendosur nga sallat e mbyllura drejt hapësirave virtuale në internet dhe diplomacisë digjitale, prof. Hasani i jep vetë përgjigjen: Nëse duhet të përdorim takime virtuale pavarësisht nga të metat e tyre, ne mund t’i përdorim takimet online në mënyrë efektive dhe mund të përfshihemi në internet me takime virtuale ballë për ballë. Për këtë, ai kërkon tri ndryshime të mëdha: – Platformat në internet duhet të përmirësohen për të ofruar stabilitetin dhe sigurinë e kërkuar në diplomaci; – Dinamikat sociale ballë për ballë duhet të përshtaten me dinamikat e reja në internet; – Shumë nga rregullat shekullore të protokollit të takimeve duhet të rishikohen.