Drejt realizimit të një ëndërre shekullore të lidhjes së Skraparit me Korçën: Fillon së shpejti ndërtimi i rrugës Backë – Qafa e Martës

Drejt realizimit të një ëndërre shekullore të lidhjes së Skraparit me Korçën: Fillon së shpejti ndërtimi i rrugës Backë – Qafa e Martës

 

Lajm i gëzuar dhe i shumëpritur jepet nga kryetari i Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema

 

Qe një rast fatlum, ai i para pak viteve kur gazësjellsi TAP kaloi tubacionet në Qafën e Martës dhe premtoi se do të lidhte me asfalt dy zonat, Korçën dhe Skraparin, premtim që nuk u mbajt nga ai, natyrisht sepse prekeshin interesat e veta, por edhe sepse marrëveshja që u bë, nuk u ndoq dhe nuk u këmbëngul për t’u zbatuar si nga qeveria ashtu edhe nga pushteti lokal i të dy rretheve.

 

 

Qe vërtet një zhgënjim që zemëroi banorët e të dy anëve. Por si duket, shpresa vdes e fundit.

 

 

Ka qenë një lajm i kryetarit të Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, që rikthyer shpresat se kjo rrugë do të ndërtohet.

 

 

Ja si shkruan ai në statusin e vetë të Facebook-ut”

 

 

“Sapo kam nënshkruar marrëveshjen e investimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për realizimin e punimeve në segmentin rrugor Backë – Qafa e Martës, të cilat do të nisin së shpejti. 

 

Ndërtimi i këtij segmenti rrugor do të shkurtojë ndjeshëm distancën midis Skraparit dhe Korçës, si dhe do të sjellë avantazhe të shumta sa i takon zhvillimit ekonomik, turizmit, lehtësisë së lëvizjes, e parë kjo edhe në një kontekst rajonal.

 

 Ndërtimi i këtij segmenti përben, po ashtu, një arritje me një impakt të jashtëzakonshëm, ekonomik dhe social për Skraparin, Korçën, madje dhe me gjerë.

Kurorezim i një përpjekje të bashkërenduar me deputetin e Skraparit, zotin Nasip Naço”.

 

 

***

 

 

Korça. Aq afër dhe aq larg!…

 

Një ëndër për skraparllinjtë që dikur bënin pazarin në Korçë edhe pse për shkak të terrenit të vështirë malor, iu duheshni vjatje –  ardhje katër ditë rrugë!…

 

 

Po nuk ishte vetëm pazari që i lidhte këto dy krahina. Lidhjet e Skraparit me Korçën janë të shumëfishta, janë historike:

 

kujtoni luftërat e përbashkëta kundër pushtimit osman, kundër andartëve, kujtoni çetat luftëtare për liri e pavarësi, kujtoni Luftën Nacionalçlirimtre me përbërje luftëtarësh nga të dy krahinat;

 

kujtoni Lace Backën, Qamil e Qazim Panaritin, Kajo Babienin, Riza Kodhelin që luftonin bashkë dhe mos shkoni më tutje.

 

kujtoni se se jemi dy krahina etnokulturore të njëjta në zakone, në folklor, në kulturë jetese, në këngë, në dolli, në gjuhë deri në akcente të saj.

 

Kujtoni se kemi  lidhje shumë të thella miqësore dhe familjare për shkak se disa krahina periferike të Korçës, si Lenia, Moglica, Opari, Vakëfet  janë një çap larg Zhepës, Grevës, Kuçit, Krushovës, Faqekuqit, Backës, Nikollarës, që i ndajnë Qafa e Gjarpërit, Qafa e Beçit, Qafa e Veshit, Qafa e Martës, Lirëza e Helmësi, Rripat e Staraveckës etj.

 

 

Këto krahina për shkak të martesave, janë nip e dajo, siç thotë populli. Ato kanë lidhje të hershme gjaku me njëra-tjetrën.

 

 

Provoni t’i hiqni veshin njërit në Backë, “Oh, do të thërresë tjetri në Çemerricë, Panarit apo Grabockë”!

 

Po kështu “Oh, do të thërresë njëri në Krushovë apo Faqekuq, po t’i heqësh veshin tjetrit në Zerec apo Dushar.

 

E njëjta gjë do të ndodhë  me Zhepën, Kuçin, Grevën këtej në Tomorricë me ata të fshatrave të Moglicës matanë.  (Orakujt e Tomorrit)