
Dua ta rrah “Vëllanë e Madh”!…
Veledin Durmishi
Ngre supet i hutuar. Përplas pultin pa menduar se më duhet ta blej përsëri. Një spektakël i përmasave ndërkombëtare është dëshmia më e qartë e më e plotë se ku po shkon shoqëria jonë e demonizuar. Shoh mashtrues që i paraqisin si udhuj, diku ndjek një delirant që kërkon të të imponohet.
Spektakël me një paraqitje marramendëse, hapësira moderne ku shkëlqimi është fasadë e cila shitet sikur është vlerë. Para pa fund të shpenzuara aty dhe qindra syresh rrinë si mumje para një spektakli me emrin “Vëllai i madh”. Kush ma gjen këtë “vëllain e madh” se dua ta rrah, nëse do të mundesha!
Hapësira të gjëra, por që unë ndihem i asfiksuar. Aty mungon dlirësia, dashuria, sinqeriteti, modeli. Të padurueshëm, haluçinantë, jo edukativë, shkreti shoqërore a më keq një kulturë e formim i sëmurë. Individë që kanë një etje të shfrenuar për vëmendje, protagonizëm. “Lavdia i largohet atij që e ndjek, dhe ndjek atë që e lë pas dore.”
Kush e kërkon famën e ka gjetur edhe formulën: dil tej vetes, normales, njerëzores, bëj diçka ndryshe, zbulo ca shalë e gjokse, martohu me një femër, nëse je edhe ti femër e me një mashkull nëse edhe ti je mashkull. Dhe ja ky është VIP-i.
Me rradhë e pa rradhë, ulërima, të çjerra, ngacmues të padurueshëm, britma histerike; një program farsë që na serviret si vlerë e zhvillimt tonë kulturor.
Gjithçka më ngacmon dhe më irriton. Të gjithë flasin, thonë e ç’nuk thonë- një program televiziv farsë, i degraduar. Kjo është kriza jonë e vlerave, e intelektit, e kohës sonë, e shekullit tonë. Pështjellim ndjenjash dhe fjalësh. Njeriu demon i vetes. Lehje të ikurish nga mendja. Një shfaqje teatrore pa kurrfarë vlere artistike e kulturore. Një çorbë e idhët që për 4-5 orë okupon një nga televizionet më me emër të Shqipërisë. Fasadë, shkëlqim i rremë, program apokrif.
I shtrenjtë tregu i imazhit dhe imazhi shitet si vlerë superiore. Mjedis kaq pjellor i së keqes dhe i antivlerës. Nervatendosur të bëjnë të shtrëngosh edhe nofullat duke ruajtur fytyrën nga ndonjë ndërç deformues. Dikush ngatërron alfabetin me analfabetin, tjetri, Naimin e bën vëlla më Ismail Qemalin. Liri pa kufi, por abuzimi me lirinë është vrastar. Lirinë e mendimit e kemi, po mendimi ku është?
Manometri i nervave më lëvis si i çmendur! I jemi dorëzuar kotësisë e po zgjojmë e armatosim demonët brenda vetes. Një program që mbjell në truallin shterpë të padijes. Sekush nxiton të jetë i pari, të flasë më shumë, të imponohet, të jetë protagonist që ta shohë ai, “vëllai i mdh”, qoftë edhe sikur të mbështesë brrylat mbi supe shokësh.
Vini në provë dijet e tyre! U siguroj se të gjithë do të mbeten për në vjeshtë. Dëshpëruese janë duartrokitjet për këto modele të deformuara që nuk ke dëshirë t’i shohësh kund. Kjo është modernja! Mjerë ne që nuk e kuptojmë!