Dumreja, një “Kopsht Edeni” në mes të Shqipërisë së sotme

Dumreja, një “Kopsht Edeni” në mes të Shqipërisë së sotme

 

Reportazhi i mëposhtshëm është pjesë e rubrikës “Udhëtime nëpër Shqipëri”, shkëputur nga libri me të njëjtin titull 

Autori

 

 

Një ditë të bukur vjeshte bashkë me disa shokë, prof. Fetah Elezin, pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës; Shyqo Peshtanakun, biznesmen, Jovan Janon dhe Dhimitër Shtëmbarin, gazetarë, u nisëm drejt Dumresë.

 

 

Qejfi ha kumbulla të tharta e jo më mjaltë që në pikë të mëngjesit. Sa kalojmë Urën e Peshkatarit në Mullet dhe ecim goxhá, nuk e mbajmë mend emrin e vendit, por ishte afër grykës së tuneleve në autostradën Tiranë-Elbasan, Shyqoja, një biznesmen i shkathët, që e njeh shoqërinë dhe që bën shumë gjëra nga ato që nuk i bëjnë dot kolegët e tij, na kthen në  parkun e bletëve, që e ka ngritur thjesht dhe vetëm për pasionin e tij prej fshatari.

 

 

Jo si shumë të tjerë, që e kanë për turp origjinën dhe nuk e zënë kurrë në gojë vendlindjen e tyre, Shyqoja është ndryshe!… Në park sa kanë rënë rrezet e para dhe bujitja sinfonike karakteristike e bletëve është në kulmin e saj, ndërsa ne, në tonën, me oreshka mjalti përpara, por edhe me një ndjesi ngazëlluese që të jep një mëngjes i tillë, larg zhurmës së qytetit, me këtë ajër të pastër dhe gjelbërim të pamatë.

 

 

Është vjeshtë dhe, siç ka shkruar në një poezi, miku ynë i vjetër, poeti Koçi Petriti: ”…në stinët e bukura as pleqtë nuk kërrusen”!…

 

 

Në Qafë-Kërrabë, aty ku Eduard Lir pikturoi Tomorrin Në Qafë-Kërrabë u themi miqve të ndalonim në një vend ku Tomorri duket për herë të parë kur shkon nga Tirana, ose të fundit kur vjen nga Elbasani. Miqtë e tanë u habitën me këtë farë rebusi fjalësh, por u qetësuan dhe na erdhën në ndihmë menjëherë kur u thamë se donim të gjenim pikën nga ku piktori i madh anglez, Eduard Lir, ka pikturuar Tomorrin dhe, më pas, ka shkruar në ditarin e tij se “ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”.

 

 

Pasi kërkuam, më në fund e gjetëm. Ishte në një qafë mbi fshatin Gracen. Një shesh i bukur në anë të një shkëmbi, ku ai ka pikturuar disa luftëtarë shqiptarë, ndoshta shoqëruesit e tij, është edhe sot me po atë formë, pavarësisht se aty është hapur rruga automobilistike. Në sfond, në një hirnosje mëngjesore të hapësirave të Darsisë, Dumresë, Sulovës, Nahijes së Beratit, në mes mezi shquhet ravijëzimi i Tomorrit legjendar, që në këtë rast, deri sa e kërkojmë, na duket si një personazh i gjallë.

 

 

 

 

Hije Biçakçinjësh në Cerrik

 

 

Pas një kafeje në Elbasan, vetëm e vetëm për të na tregur vendet dhe sektorët ku kishte punuar si specialist e drejtor ferme, Fetahu na çon nëpërmjet rrugës së Paprit në Cerrik. Në Cerrik ndenjëm shumë pak, sa për një cigare.

 

 

Ikëm shpejt që këtej drejt Dumresë. Fusha e Cerrikut, pjesë e çifligut të Biçakçinjve të Elbasanit, është e vendosur midis dy lumenjve Shkumbin dhe Devoll. Ajo ka një veçanësi strukturore aluvinare që e bën shumë të lehtë në kullim dhe vaditje, por edhe në pjellori.

 

 

Jo më kot italianët në kohën e Zogut ia vunë sytë kësaj fushe për të ndërtuar një fermë të madhe kuajsh, më e madhja në Ballkan që do të furnizonte ushtrinë italiane, por edhe do të mbushte tregun botëror me kuaj race të të gjitha llojeve. Italianët nuk arritën ta realizonin dot projektin e tyre. Ata lanë aty vetëm disa godina që janë edhe sot. Më parë, në periudhën e socializmit, ka qenë e mirënjohura si ferma e Cërrikut.

 

 

 

 

Edhe natyra mbajtka hatër!

 

 

Sa mbaron fusha e Cerikut, merr paksa më të djathtë dhe të del Shalësi, një fshat goxha i madh, fshati i parë I Dumresë, si të thuash porta për të hyrë në të. Që para gati 30 vjetësh, kur më ra rasti të kaloja një herë këtej kam shkruar se është një gjë tepër e rrallë, hatër i natyrës, që në një sipërfaqe prej 21 500 hektarësh, të ketë 85 liqene me sipërfaqe 770 hektarësh, që mbajnë rreth 30 milionë m3 ujë. I qëndroj edhe sot asaj që kam thënë duke shtuar se si nuk paska sy njeriu, kuptohet nga ata lartë, që ta shikojë këtë mrekulli shqiptare e të bëjë diçka për të.

 

 

Një vend tjetër i botës do të krenohej me këtë kopsht të Edenit dhe do të rivinte në vend atë që është prishur dhe shkatërruar aq barbarisht. Se Dumreja, simotra më e madhe e Lurës, ka qenë po aq e bukur sa dhe Lura, madje, më e bukur. Pyjet e saj të lartë prej dushku, frashri e shkoze, kanë qenë një xhungël e vërtetë, sa nuk i dilte dot njeri matanë. Shtoji këtij peizazhi edhe kaltërsinë e format e çuditshme të liqeneve dhe mundohu të përfytyrosh çfarë mrekullie të del përpara.

 

 

Një përrallë! Se si ka qenë Dumreja më parë, vetëm të vjetrit e dinë dhe vetëm atyre u dhemb. Mjafton të shikosh lisat e shekullorë të mbetur aty-këtu majë ndonjë kodrine, si fjala vjen, në varrezat e fshatit Hardhizë, që të përfytyrosh mrekullinë e dikurshme.

 

 

 

Këtu gjen “edhe qumësht dallëndysheje”!…

 

Dumreja me gjithë ata liqene ku njëri është më i bukur se tjetri me ato kodra të rrumbullakosura me lartësi të njëjtë që ndahen nga njëra-tjetra nga lugina të vogla, qafa e gropa që i japin pllajës pamje të mahnitëse.

 

 

Toka e Dumresë rrit një florë të pasur me shumëllojshmëri bimësh të egra, por edhe të kultivuara. “Edhe qumësht dallëndysheje bën ky vend”, të thonë me një fare krenarie vendësit. Ndaj dhe bujqit meraklinj kanë ngritur plantacione të tëra me vreshta, të cilat të ekspozuara nga dielli, japin shumë prodhim, por edhe një prodhim cilësor. Që e pranon rrushin toka e Dumresë, e dëshmon edhe një fakt i thjeshtë, që një fshat këtu quhet Hardhizë.

 

 

Ndërsa ndër bimët e egra, këtu rritet një lule e veçantë, që quhet Lekoi i Bardhë, që është një nga lulet më të bukura që rritet në ujërat e liqeneve të Dumresë. Kjo lloj bime kryesisht rritet në gjolin e Turbullt të Rrafmanit dhe në atë të Seferanit. Po kështu në këto liqene rritet edhe Lekoi i Verdhë. Të huajt marrosen pas tyre dhe liqeneve, dhe gjithnjë e më shumë po sulen drejt tyre për të shijuar këto mrekulli të natyrës.

 

 

Banorët e zonës tani janë të motivuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe nuk po tentojnë të largohen më nga zona, e cila dikur thahej për një pikë ujë. Në gjendjen e tanishme, Dumreja ka vetëm një rrugëzgjidhje të shpejtë e të përkohshme. Atë e shpëtojnë vetëm investimet.

 

 

 

 

Liqenet e Dumresë: 85, nuk janë pak!…

 

Sipërfaqja e përgjithshme e liqeneve, këtu shkon në 770 hektarë(!). Vëllimin më të madh të ujit në këto liqene e ka ai Merhojes me 11.3 milionë metra kub. Po kështu, të mëdhenj konsiderohen edhe liqeni i Çestinjës me 97 hektarë; Seferani 87.5 hektarë; i Degës 37.5 hektarë, ndërsa më i vogli është liqeni i Çartallozit, me 0.5 hektarë. Ndërsa më të thellë janë: Merhoja 61 metra; Çërraga 29 metra; Seferani 20.8 metra etj.

 

 

Thellësia më e vogël zbret në 10 metra. Karakteristikë e liqeneve karstike të Dumresë, është se ata janë liqene me regjim shiu dhe mbushja me ujë e gropave të tyre përgjithësisht bëhet nga rrjedhja e përkohshme sipërfaqësore.

 

Gjatë stinës së verës ndodh që afro 20 liqene të thahen përkohësisht. Këta liqene kanë tejdukshmëri të vogël dhe në thellësinë 15 metra, në disa prej tyre vihen re shenja të acidit sulfhidrik.

 

 

Në liqenet e Dumresë gjendet me shumicë krapi, ballëgjeri, por edhe peshqë të tjerë kënetorë. Ndërkohë që të gjithë këta liqene janë shumë të përshtatshëm për zhvillimin e florës dhe faunës ujore e bregliqenore.

 

 

 

 

…Edhe pse fle mbi flori!…

 

 

Mahmut Hidri, xhaxhai i Sul Hidrit, një figure komplekse e të njohur në Dumre, oficer i lartë i ushtrisë turke, ka qenë ai që ka mbrojtur Kongresin e Lushnjes dhe e ka shoqëruar qeverinë e ngritur aty për në Tiranë. Po kaq e njohur është edhe figura e Nebi Balit, zëvendësit të Haxhi Qamilit, të torturuar nga Esat Pasha në Peqin.

 

 

Në luftë Dumreja ka qenë një nga vatrat më të zjarrta me formacionet e saj partizane, batalionin e saj të famshëm që bashkëpunonte ngusht me Grupin e Parë partizan të Myzeqesë.

 

 

Megjithëse Dumreja me 40 fshatrat dhe me 40 mijë banorët e saj fle mbi thesare, askush nuk e di, madje sa vetë ata që ngrysen e gdhihen aty, le të tjerët. Por do të vijë një ditë që ajo do të bëhet siç e përfytyronte “gjenerali” i mendimit të Rilindjes sonë Kombëtare, mendjendrituri Sami Frashëri. Qofshim gjallë deri atëhere!

 

 

 

 

Gradishta, “Tomorri” i Dumresë

 

 

Nga tepèja e Gradishtës, i vetmi “mal” që mburret me 180 e ca metrat lartësi, Dumrea duket si në pëllëmbë të dorës. Gradishta ka një vlerë monumentale jo vetëm natyrore, por edhe arkeologjike. Aty është akropoli i Dumresë, Tomorri i Dumresë, siç e ka quajtur poeti ynë i mirënjohur, Xhevahir Spahiu.

 

 

Jo më kot të parët e kanë zgjedhur këtë vend dominant, këtë belvedere, si qendër banimi dhe administrative. Gërmimet arkeologjike më 1969, 1973-74 në Gradishtë dëshmojnë si vendbanim ilir të periudhës së mesme të bronzit, që u zhvillua pa ndërprerje në fazat e hershme të epokës së hekurit. Në shek. VI p.es. ishte qendër protourbane, ndërsa në shek IV-I p.e.s. u kthye në qytezë të fortifikuar të krahinës së fisit ilir të parthinëve.

 

 

Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën. Është kjo arsyeja që herë pas here edhe sot zhytësit gjejnë në fundin e liqeneve relikte të rralla. Belshi vazhdoi si qendër banimi dhe gjatë shekullit të I-IV të e.r. duke qenë pranë degës nga Apollonia të rrugës Egnatia. Në shek IV-VI u fortifikua me mure gur.

 

 

Ndonëse të rralla, një vend të veçantë zënë edhe punimet në bronz, ku në shumicën e rasteve ka të skalitur drerë, mamuthë që janë zbuluar në afërsi të qendrës së Belshit. Ndërkohë që në vende të tjera janë shfaqur edhe punime me vlera si pjata me zbukurime, të cilat janë shumë të hershme.

 

 

 

 

Njerëz të mirë, me histori “të mirë”

 

 

Ecim në dy rrugë të reja që përshkon Dumrenë nga lindja në perëndim, dmth, nga Belshi, zemra e Dumresë, njëra deri në Kuçovë dhe tjetra deri në Kosovë të Vogël, ku i thonë Myzeqe. Këto rrugë bashkëkohore e kthyen Dumrenë në një zonë tashmë edhe me zhvillim tregtar.

 

 

Në Hardhizë, në një drekë të mirë, me verë shtëpie e peshk táze, Bedri Qypi, një djalë i ri, i mirë, për ta pirë në kupë, siç thotë populli, na tregon historinë e krahinës.

 

 

Një histori dinjitoze në të gjitha kohërat. Natyrisht, s’ka si të ndodhë ndryshe, në një krahinë me një natyrë kaq të butë, të bukur, që prodhon vetëm mirësi, edhe njerëzit të tillë do t’I ketë, të mirë, punëtorë të zotë, por edhe luftëtarë trima kur e ka dashur dhe e do puna.

 

 

 

 

 

Belshi i “Samiut”

 

 

Belshi, qendra e Dumresë, është një vend i bukur. Jo më kot Sami Frashëri donte ta shihte kryeqytet të Shqipërisë. Që të flasësh për të, për ndryshimet që janë bërë, do “një natë dimri”, ndaj po e lëmë për një herë tjetër…

 

 

Përmbledhja në anglisht

 

 

————–

Zylyftar Hoxha: “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, Tiranë 2019, faqe 26 – 33