Dy ditë festë madhështore në Panaritin martir dhe historik
Petrit F. Zeneli
Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare të Vakëfeve, Korçë
Lumë i pazakontë njerëzish, këtë mes korriku, drejt kryeqendrës historike të Krahinës së Vakëfeve, Panaritit!
Nderim, siç e meritojnë, me buqeta lulesh, qirinj e lutje, 450 martirëve të 1914-ës dhe 85 dëshmorëve të Lufës së Parë e të Dytë Botërore! Përulje e betim para flamurit dhe hymnit tonë Kombëtar!
Një minutë heshtje e dhimbje për njerëzit e shtrenjtë që janë ndarë kohët e fundit nga gjiri ynë si, Kujtim Latollari, Teki Hoxha, Njazi Liço, Veteran Topçiu, Lutfie Topçiu, Mestan Shtylla, Ladi Dino, Gëzim Hajdini, Mjaftore Zeka, Eraldo Nevruzi etj, e mes tyre kryetari historik i Shoqatës, zoti Lutfi Topçiu!
Sa bukur e me mend është konceptuar nga Shoqata jonë kjo festë e përvitshme e Krahinës! Dita e parë (e shtuna shumëngjyrëshe), i takon rinisë dhe gjithë dashamirësve të kësaj nate magjike, ku mbizotëron argëtimi, gëzimi e hareja; kurse dita e dytë (e djela), zyrtarja, përkujtimi i ngjarjeve historike, sipas të gjitha rregullave e normave të protokollit, ritet për të rënët, pelegrinazhi, mitingjet dhe informacionet nëpërmjet mjeteve të ndryshme, për të mos lënë shkas për keqinterpretim. Për kujtesë, mirë-keq, historinë ne e sjellim siç ka ndodhur atëhere, jo siç do dëshironim sot të ishte. Qëndrimi dhe interpretimi personal, pastaj, është tjetër gjë, dhe i lirë.
Kënaqësi e veçantë të kishim krah nesh, në përkujtimin e këtyre ngjarjeve të mëdha jubilare, një përfaqësues të lartë të pushtetit vendor, Kryetarin e Qarkut Korçë, personalitetin dhe profesorin e nderuar, zotin Erion Nexhipi! Mbështetje dhe nxitje prej tij në angazhimet tona të guximshme për të ardhmen. Falenderim dhe për kryetarin e Njësisë Administrative Vithkuq, z. Altin Prifti, që si gjithmonë, bashkë me vithkuqarë të tjerë të mirënjohur, ishin të pranishëm dhe këtë vit.
Nderim, mirënjohje dhe dashuri e pakufishme, dokumentuar emër për emër, për të gjithë ata që kanë kontribuar personalisht në bërjen e shumë veprave të bukura e madhore në Krahinë, zotërinjëve Malfor Nuri, Festim Lami, Turi Dajko, Zoje Pinderi, Fondacioni “Shpresë për Shqipërinë”, Bashkinë, Prefekturën dhe Ministrinë e Mbrojtjes, deri në investimin më të fundit nga bijtë e Panaritit e krahina (publikuar aty me afishe), për shtrimin dhe zbukurimin e ambjentit ku zhvillohet ky aktivitet i përvitshëm. Respekt për ata që kontribuojnë shumë e s’ndihen, por edhe për ata që kanë mundësi e s’kontribuojnë, por kritikojnë e bëjnë vërejtje më shumë! Fundja kjo është e bukuria e demokracisë… deri sa të mirëkuptohemi të gjithë!
Në prani të një përfaqësie të jashtëzakonshme, nga të gjitha anët e vendit dhe diaspora, u zhvillua aty Konferenca e VI Kombëtare, më e bukura dhe më e veçanta në historinë 25-vjeçare të Shoqatës tonë (mes ngjyrave dhe oksigjenit të çmendur natyror), zgjedhje të reja, miratim strukture dhe Statutit të Shoqatës, plane e programe për të ardhmen, ku do të veçonim:
– Përfundimi i projektit për qendrën historike të Panaritit (2028).
– Kremtimi i 25-vjetorit të Shoqatës (nëntor 2024),
– Kremtimi me madhështi i 520-vjetorit të emrit të Krahinës (Vakëfe) dhe 615-vjetorit të lindjes së birit të Panaritit, filantropit Iljas Bej Mirahori (korrik 2025).
Botime, dokumentarë dhe realizim i shtatores së tij në bashkëpunim me pasardhës të familjes së madhe e të nderuar të Mytevelinjëve.
– Përfundimi i historikëve të fshatrave Katund, Treskë e Grabockë (2024-2028).
– Rifillim i botimit të organit të Shoqatës, “Tradita”, tashmë në formën e një reviste 6-mujore.
– Përgatitja dhe botim i Enciklopedisë së Vakëfeve (viti 2030).
– Realizim i programit të punës, hartuar dy vite më parë, për vlerësimin dhe nderimin, siç e meriton një figurë madhore e përmasave kombëtare, si ajo e patriotit Qamil Panariti
– Ngritja e Asamblit Artistik të krahinës, me përfaqësues virtuozë nga të gjitha fshatrat, shto dhe veshjet karakteristike tradicionae të zonës etj.
Për realizimin me sukses të këtij aktiviteti madhor, një falenderim i veçantë shkon për të gjitha familjet panaritase me banim në fshat, që hapën dyert dhe pritën, strehuan e qerasën me zemër të bardhë gjithë të ardhurit, duke dëshmuar edhe njëherë mikëpritjen dhe bujarinë e pashoqe, trashëguar nga të parët; zoti i bekoftë djemtë e vajzat panaritase që na shërbyen pa u lodhur, pa vënë gjumë në sy dhe me aq dashuri si, Spartakun, Irisin, Olsin, Eltonin, Hyson e Arbenin, Kreshnikun, Florin e Ferrikun me familjet, postuesit e shumtë në rrjetet sociale, por veçanërisht fëmijët e vegjël bukuroshë dhe të rinjtë, vajza e djem si dritë, që i dhanë aq gjallëri, hijeshi e freski dy ditëve të zjarrta, duke na siguruar se vitin që vjen, nuk do gjendet vend jo vetëm për parkimin e makinave, por dhe për detin e njerëzve.
Sa krenar ndihem që, edhe pse popull pafund e kohëzgjatje e konsiderueshme, nuk u bënë dy fjalë e nuk u thye qoftë edhe një shishe, aq sa policia, e bindur prej vitesh, këtë herë nuk e pa të nevojshme të ishte e pranishme. Sa të edukuar, bashkë me të rinj të krahinave përreth…! Fantastike…!
Sa shumë kujtime, episode e ngjarje të këndshme, dhe jo vetëm, përjetuam këto dy ditë: vizita në familje, në tyrben e Derish Saliut, në fabrikën e ujit të famshëm “Panariti”, deri dhe shiun rrebesh e të papritur në vapën përvëluese, përmbytjet, erën e çmendur që na u duk se na përlau si fshat, çarje e xhirime gomash, shtyrje makinash në atë copë rruge (2-3 km) të pashtruar me asfalt, që duhet bërë sa më parë, për të mos degraduar dhe filluar nga e para pastaj; lavdërime e sharje, që me siguri ndodhën për të prishur syrin e keq e për të treguar me humor, kohë më pas, kur të jemi qetë mbrëmjeve në shtëpitë tona a kafenetë.
Por ajo që u vuri kapak të gjithave, ishte veprimi i Ketit (Kathy Nawn Conrad), stërmbesës panaritase-shqiptaro amerikane, që erdhi e shpërndau hirin e babait të saj, në këtë fshat (sipas amanetit), për të çimentuar përjetësisht lidhjet e forta me rrënjët, Panaritin.
Sa krenarë na bëri por dhe sa keq u ndjemë ne që, tek tuk, pa u menduar thellë, heqim prej aty eshtrat e gjysh-tërgjyshërve apo prindërve tanë dhe i sjellim në qytet, se përtojmë të vemë njëherë apo dy herë në vit atje (kudo qofshim) t’u vemë një tufë lule tek varri ku prehen, duke prerë kështu përfundimsht të vetmin mjet lidhës, bashkë me gërmadhën e shtëpisë, që na mban në kontakt me atë që thirret aq bukur në shqip, vatër atërore, mëmëdhe!
Vakëfllinj, kudo ndodheni! Jeni të lirë të lëvizni, punoni e jetoni ku të doni, veçse kthehuni shpesh në vendlindje për t’u çmallur apo investuar aty, qoftë dhe një gozhdë të mbani ngulur, që ajo vatër jo të vdesë por të ndihet ngrohtë e gjithë jetën të buzëqeshë!
Dhe për këtë keni mbështetje Shoqatën e Madhe Mbarëkombëtare të Krahinës, që e keni krijuar vet me aq dëshirë 25 vite më parë, dhe e ruani si drita e syve, si ujët e pakët, përherë e më të fortë, të bashkuar si rrallë Shoqatë tjetër!
Po boshllëqe dhe të meta në këtë punë vullnetare tonën, a kemi? Patjetër! Kryesorja është të përmirësohemi, në rrugëtim e sipër, se tashmë eksperienca s’na mungon! Veç mos harroni, 2025 erdhi, sa hap e mbyll sytë, s’është larg! T’i përvishemi punës, por më kryesorja…., na gjetët si numur e plot shëndet!
Panarit, 13 -14 korrik 2024