
Dy fjalë – homazh për gjyshin tim, Demir Saliko Ibro
Besim Dervishi
Gjyshi im Demiri ka lindur në Vëndreshë të Skraparit. Babai i tij, Salikua ka qenë pjesëmarrës në betejat antiturke dhe antigreke, të cilat u zhvilluan në fshatrat Vëndreshë, Spatharë, Bubës, por më legjendarja ishte ajo në Qafen e Kajcës, ku forcat andarte u shpartalluan dhe ikën në drejtim të Këlcyrës.
Këto beteja janë drejtuar nga dy udhëheqesit e zonës, Tajar Vëndresha dhe Sulejman Spathara, të cilat i ka pasqyruar në librin e saj, “Sktapari gjurmë harrese” , studiuesja dhe historiania Engjëllushe Braçellari.
Me këto tregime u rrit Demiri i vogël. Në rini u mor me blegtori dhe bujqësi, ndërsa pas pune në gëzime dhe festa ishte i kudondodhur. Ai ishte një këngëtar i sprovuar popullor dhe kënga skraparlliçe nuk iu nda nga goja derisa mbylli sytë në vitin 1980.
Pushtimi italian e gjeti në Vëndreshë, por shumë shpejt iu bashkua luftëtarëve të lirisë njëlloj si babai i tij, Salikua në vitin 1914.
Në fillim u inkuadrua me Grupin e Skraparit, formacion që kishte si komandant Zylyftar Veleshnjen. Më vonë kalon në Grupin e Tretë të Mallakastrës me komandant Baba Fejzo Therepelin, grup që u shkri duke u bashkuar me Brigadën e XVI Sulmuese.
Kjo Brigadë u formua në fshatin Therepel në 20 gusht 1944, me komandant Rrahman Ru}i (Lushnje), zv/komandant Gjon Gjonaj nga Mirdita dhe komisar Avdyl Këllezi (më vonë i pushkatuar si grup antiparti).
Një nga betejat që ka marrë pjesë gjyshi ka qenë ajo e Tendës së Qypit.
Pas lufte ai ka marrë pjesë në ndërtimin e rrugës Berat-Skrapar. Ndërsa ka qenë puntor i thjeshte në kooperativë.
Në aspektin kulturor ka qenë pjesëmarrës në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1978.
Është dekoruar me Medaljen e Trimerisë dhe Medaljen e Çlirimit, akorduar nga Kuvendi Popullor.
Lagja Ibrollarë e Vëndreshës së Parë ka patur dy veteran, Demir Saliko Ibro dhe Hysni Ibro. Ndërsa dëshmor ka qenë Qazim Ibro, shoku i tyre, i cili u pushkatua në fshatin Grepcë nga nazistët.