Dy karrierat e shkëlqyera të Ilmi Qazimit: Ushtria dhe Gazetaria

Dy karrierat e shkëlqyera të Ilmi Qazimit: Ushtria dhe Gazetaria

Më shumë se karriera e gjatë dhe e shkëlqyer ushtarake, më shumë se grada kolonel në pension, Ilmi Qazimin e kanë bërë një emër të njohur hulumtimet historike, publicistika dhe veprimtaria letraro-artistike.

 

 

Ai e ka nisur herët këtë veprimtari , që me shkrimin e parë në gazetën “Pionieri” kur ishte nxënës i klasës së shtatë. Që atëherë pena e tij nuk ka ndalur. Janë me mijëra faqe shkrimesh në shumë organe shtypi të kohës së socializmit, por, veçanërisht, në median e shkruar dhe elektronike të pas viteve ’90.

 

 

Prej mëse 10 vjetësh, ai ishte botues, financues dhe kryeredaktor i gazetës mujore historike – kulturore “Çepani”, organ i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Çepani”.

 

 

E larmishme ka qenë edhe veprimtaria e tij letrare me vëllimet poetike “Ftesë në të verdhë”, “I bukuri Çepan”, “Mirëmbrëma, Shqipëri!”, “Dielli thur ëndrra, hëna pikturon”,  “Çokollata në ashensor”,   “Tomorri në zemër” etj.Në fushën studimore më të përmendura ka monografitë “Çepani” – një libër voluminoz enciklopedik kushtuar fshatit të tij; monografitë “Latif Fudulli”, “Qemal Koxhaj” etj.

 

 

Paralelisht me krijimtarinë e vet, Ilmiu është njohës  i dy gjuhëve të huja, rusisht dhe anglisht. Ai ka realizuar disa përkthime sidomos nga gjuha angleze: “Tregime nga lufta e popullit vietnamez”, “Poezi nga autorë amerikanë”; pjesë nga libri i autorit kroat Vladimir Brnardiç “Shqiptarët në ushtrinë e Napoleon Bonopartit”, pjesë nga libri “Psikologji e arteve” etj.

 

 

Ilmi Qazimi vazhdon të jetë aktiv në shoqatat e ushtarakëve dhe në shërbim të vendlindjes, nga të cilat është nderuar më tituj nderi.

 

 

Duke vazhduar më tej këtë shkrim për Ilmi Qazimin, nuk duhet të harrojmë atë më kryesoren, karrierën ushtarake me të cilën lidhi dhe bëri jetën fizike dhe shpirtërore.

 

 

Arsimin e mesëm, të lartë dhe pasuniversitar i mbaroi në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”,  Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” dhe në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Pasi mbaroi akademinë, për pak kohë u emërua pedagog në këtë institucion të lartë ushtarak. Më pas merr edhe dy diploma të tjera: Shkollën e Diplomacisë dhe të Filozofisë në në Shkollën e Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin”, në Tiranë.

 

 

Në të tëra cilklet e shkollës dhe kualifikimet pasuniversitare siguroi diploma dhe çertifikata vlerësimi me rezultatin “Shkëlqyer”.

 

 

Nisur nga rezultatet e larta në studimet e kryera emërohet në vitin 1967 komandant toge zbulimi në Korpusin Ushtarak të Korçës. Ndërsa në vazhdim, komandant kompanie Zbulimi në Korçë, shef shtabi batalioni Zbulimi po në Korçë, instruktor në Drejtorinë e Zbulimit pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.

 

 

Gjatë viteve 1968 – 1969 ka shërbyer në Tiranë si shef i taktikës së zbulimit në Shkollën e Forcave të Vetmbrojtjes Popullore; komisar të Detashmentit të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Zall – Herr, një vit më vonë, komisar të Regjimentit të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare po në Zall – Herr, kurse për një periudhë prej 9 vjetësh (1976 – 1985) ka shërbyer si komisar i Shkollave Ushtarake të Kuadrove Rezervistë të Ushtrisë në Zall – Herr.

 

 

Vitet e fundit, si oficer i kaloi në Vaun e Dejës, ku shërbeu si komisar i Brigadës Ushtarake  deri më 1 qershor të vitit 1995, ditë kur lirohet para kohe për shkak të “reformës” që kryhej në Ushtri.

 

 

Kur u lirua nga shërbimi ushtarak, Ilmi Qazimi ishte vetëm pesëdhjetë vjeç. Ndërkohë i duhej të ushqente katër fëmijë, që ndiqnin shkollat.

 

 

Pa humbur kohë filloi punë të rëndomta në fillim më Shkodër dhe pastaj në Tiranë, ku erdhi me banim familjarisht. Punoi si roje private në firma zhavori, betoni dhe ndërtimi.  Më pas, kur morën vesh se ai dinte dy gjuhë, rusisht dhe anglisht e morën në një punë një gradë më lartë: roje pranë ambasadës kanadeze e asaj holandeze.

 

 

Më 10 qershor Ilmiu mbush plot 78 vjeç. Megjithatë ai mbetet po ai Ilmi: enegjik, prodhimtar, pasionant në krijmtari; korrekt, i dashur dhe i respektuar shoqëri.