Dy letra të Enver Hoxhës, drejtuar Gjin Markut për Neshat Hysin

Dy letra të Enver Hoxhës, drejtuar Gjin Markut për Neshat Hysin

Botohen për herë të parë

 

“Gjin, qëndrojini mbi kokë Neshatit, ndihmojeni”!…

 

Në këtë letër të shtypur me makinë dhe të firmuar nga Enver Hoxha, ai e kritikon ashpër Gjin Markun për qëndrimin ekstrem që ka mbajtur ndaj kapiten Neshat Hysit për rastin kur ky i dyti, në një moment dëshpërimi nga kritikat e padrejta, paskësh thënë: ”…do të lë detyrën e zëvendëskomandantit të brigadës e do të qëndroj partizan i thjeshtë”.

 

Ja teksti i letrës së Enver Hoxhës:

”Shokut Neshat  i bëni një vërejte të rëndë, e kritikoni veprimin e tij dhe asgjë më tepër. Qëndrojini mbi kokë dyke e korrektuar në gabimet që bën, mos lejoni aspak që ay të kujtojë  se në brigadë mund t’i lejohet të bëjë tarafe e favorizma…Shifni më parë  nga vjen ay shok, cili është rrethi i tij, dhe sa e madhe mund të jetë edukata që ka marrë ai njeri  në parti. Gjin, mos u merrni me cikërrima por shifni gjërat kryesore”.

 

Në një tjetër letër  të po atij muaji, Enver Hoxha e kritikon përsëri Gjin Markun, që ishte komandant i Brigadës së Shtatë, për veprime shumë të nxituara ndaj Neshat Hysit dhe qëndrim mospërfillës ndaj tij.

 

Më 23.08.1944 Gjin Marku në letrën e gjatë prej 22 faqesh dorëshkrim si raportim dhe përgjigje drejtuar Enver Hoxhës, i cili ishte Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane Shqiptare, ndër të tjera shkruan:

Përsa i përket Neshatit… me gjithëse u mundova  edhe  luftën që po bëjmë i djegur ma shumë se kushdo tjetër prej një dubël Mestani të dytë, prandaj nuk pata mëshirë për të. Por pikpamja e juaj shoku Enver  qe plotësisht e drejtë dhe jam dakort plotësisht…

Është e vërtetë se brigada  u krijua  në kondita të vështira me pak vetë e shumë partizanë të rinj e pa eksperiencë…”

 

Historia  e marrëdhënieve midis Gjin Markut dhe Neshat Hysit  në periudhën maj – nëntor 1944 për hir të së vërtetës, nuk ka ecur si në vaj, sepse mirditori i zgjuar prej natyre dhe i shkolluar, i pashëm dhe i aftë pë t’u lidhur me popullin, i caktuar nga  komanda eprore në postin e komandantit të brigatës partizane së krijuar në Vlushë të Skraparit, gëzonte një autoritet jo të vogël, duke lënë plotësisht në hije rolin dhe vendin që e kish merituar me luftë, besnikëri të patundur në idealin e saj dhe me aftësi organizuese të rrepta  ushtarake  që kishte Neshat Hysi, bir i një dere të madhe të Skraparit, por edhe  si person  me veçanësi karakteri luftarak.

 

Duhet thënë gjithashtu se gjeneral Gjini ishte edhe mik i familjes Hysi dhe, vite më vonë, kur ai u dënua, gojët e liga u përpoqën të  hiqnin tagente fshikullimash dashakeqëse edhe për familjen  e respektuar të Hysajve të Vërzheszhës, përpjekje të cilat u shuan si flakë kashte para fakteve historike.

 

Kush ishte gjeneral Neshat Hysi

 

Neshat Maksut Hysi ka lindur më 20 shkurt të vitit 1912 në Vërzhezhë të Skraparit në një famlje të madhe dhe të njohur për patriotizëm dhe atdhedashuri.

Fillimisht është i pari ndër tetë gjeneralët në historinë e rrethit të Skraparit. Lindi në Vërzhezhë, ku bëri 6 klasë në shkollën plotore të fshatit; 3 klasë unike, një klasë gjimnaz dhe pasta nga tetori 1929 deri në mars 1930 në Shkollën e Artilerisë Tiranë për oficer.

 

Pas çlirimit kryen një kurs kurs 6-mujor në specialitetin e artilerisë pranë shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Dy herë i burgosur nga regjimet e kohës si njeri përparimtar, në vitin 1935 dhe 1943. Para viteve të Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë punëtor, kafexhi, bujk  e kryepuntor në Durrës, Roskovec, Berat, Skrapar, llogaritar dhe nënoficer me pagesë në ushtrinë e kohës.

 

Pjesëmarrja në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare: 24.02.1943 datë në të cilën ai krijoi  e komandoi një çetë partizane dhe deri 09.05.1945 kur ai arriti të komandojë  brigatën 22 sulmuese.

Gjatë luftës veç të tjerash, ka qenë komandant i komandës së Vendit në Skrapar e Berat, komandant  i grupit të III –të të Qarkut Berat, zëvendës komandant i Br3S dhe Br7S. Aktivisht pjesëmarrës në 13 luftime kundër fashistëve gjermanë, italianë dhe tradhëtarëve të vendit

 

Plagosur dy herë: në Velabisht të Beratit dhe në Mileosheldol Sienice të Jugosllavisë. Më 24 maj 1944, në Kongresin e Përmetit, ku ishte delegat i Brigadës së 7- Sulmuese, meritoi gradën kapiten. Në vitin 1961 me dekret të Presidiumit te Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë  iu dha grada gjeneral major.

 

Pas vitit 1945 deri 1967 ka kryer 12 detyra të larta e të larmishme, si shef shtabi divizioni, shef i Degës Automobilistike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, ndihmës ministër i Komunikacioneve, kryetar i Degës së Qarkullimit rrugor të Republikës,etj.

 

Mbante 14 dekorata. Ishte zgjedhur deputet i rrethit të Skraparit në Kuvendin Popullor të RSH prej vitit 1950 deri në vitn 1970, në pesë legjislatura, duke përfaqësuar denjësisht zgjedhësit skraparllinj dhe duke u a zgjidhur shumë prej  halleve e kërkesave të tyre.

 

Me rastin e 60 vjetorit të  krijimit të Br7S u dekorua me “Urdhërin e Artë të Shqiponjës”.

Është shpallur “Qytetar Nderi” i Beratit dhe i Çorovodës.

 

Neshat Hysi spikati gjithë jetën e vet për aktivitetitn e tij të shquar atdhetar si pjesëmarrës direkt, gjerësisht dhe pa ndërprerje në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në vitet 1943-1945, për aftësitë ushtarake dhe cilësitë luftarake, si dhe në përkushtimin për të vënë në jetë kauzën e lirisë.

Vdiq më 15.11.1985, në Tiranë.

Përgatiti: Ilmi Qazimi