
Dy Urat e Vashës: E vjetra, një xhevahir i fshehur që pak e dinin se ku ndodhej dhe, e reja, një ëndërr mahnitëse qiellore
Zylyftar Hoxha
Për herë të parë për të udhëtuar në Rrugën e re të Arbrit, më ra rasti këto ditë. Është e papërshkrueshme si vepër e ndërtuar në atë terren aq të vështirë, me ata tunele dhe ura gjigante.
Sa delje nga gryka e tunelit, më ngeli koka jashtë duke kërkuar me sy, mes atyre humnerave të frikshme, Urën e vjetër të Vashës, ku para dhjetë vjetësh kam qenë aty dhe kam shkruar reportazhin e radhës në gazetën “DITA”.
Më vonë këtë reportazh e kam përpunuar dhe e kam botuar në librin tim, “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore”, faqe 498.
Pasi dolëm nga tuneli i Urës së Re të Vashës, 200 metra në krah të djathtë të saj dhe 152 m më poshtë, thellë në lumë, mes gjelbërimit, mezi dukej harku i Urës së Vashës së Vjetër. Që larg aty dukej edhe një resort i ri turistik.
Nëpërmjet një rruge paksa të vështirë u ulëm dhe drejt e mbi urë. Përveç gërmimeve në krah të saj, me siguri për ndonjë lokal apo bujtinë. Asgjë nuk kishte ndryshuar.
Ndaj dhe unë për përshkrimin e saj po lë atë të dikurshmin të botuar në libër:
“Ura e Vashës gjendet midis fshatrave Klos dhe Guri i Bardhë. Ajo ndërlidh dy brigjet e lumit Mat dhe ka qenë i vetmi mjet komunikimi në rrjedhën e sipërme të lumit të Matit. Ura është me një hark dhe në anën e djathtë të rrjedhës ka një dritare shkarkuese. Këmbët e saj janë vendosur në malin e Vërrithit dhe malin e Dishit.
Është 11 m e gjatë, hapësira e dritës midis dy këmbëve është 7 m dhe lartësia e harkut nga pasqyra e ujit po 7 m. Gjerësia e trasesë së urës është 2. 8 m dhe është shtruar me gurë e rrasa.
Në faqen e djathtë të shkëmbit, kur vjen nga Guri i Bardhë, duken gjurmët e vendit ku ka qenë fiksuar një kushtim që bënte fjalë për ndërtuesit dhe kohën e ndërtimit të saj.
Kjo urë ka mbajtur mbi shpatullat e saj gjithë barrën e karvaneve të rrugës për në Dibër, e cila lidhte atë me bregdetin nga merrej kripa dhe produkte të tjera. Ura e Vashës nuk ka pasur këtë emër. Ajo quhej Ura e Skurës dhe e ka ndërtuar si vepër bamirësie Haxhi Hajrulla Skura nga lagja Mansaj e Gurit të Bardhë, afërsisht 300 vite më parë. Ajo i ka marrë emrin “Urës së Vashës” që gjendet jo shumë larg saj, në Sheun e Dishit dhe që sot quhet Ura e Skurës.
Duke qenë më e rëndësishme dhe emri Ura e Vashës më simbolik, ka përvetësuar këtë emër, duke u njohur si e tillë në gojën e kalimtarëve.
Ura e Vashës vizitohet nga shumë turistë shqiptarë etë huaj, madje edhe një tabelë e vogël ku shkruhet Ura e Vashës është vendosur nga turistë çekë. Bukuritë natyrore dhe vlerat historike të kësaj zone janë krejt të panjohura për shumë shqiptarë, jo më për të huajt. Por, me ndërtimin e rrugës së Arbrit, turistët priten të shtohen.
Përgjatë kësaj rruge ka shtëpi karakteristike prej guri, me dritare të voglaqë quhen frëngji. Familja e Ali Sinës është e vetmja familje që jeton në fund të dy shpateve, një familje punëtore që mirëmban rrugën, të cilën e ka hapur vetë, dhe Urën e Vashës.
Legjenda thotë se ka marrë këtë emër nga që një familje nga fisi Skuraj, që jetonte në Gur të Bardhë, kishte vetëm një vajzë, e cila nuk u martua se nuk kalonte dot lumin. Një ditë vasha vendosi që me të ardhurat e saj të ndërtojë urën”.
Ura e Re e Vashës, udhëtim mes ëndrrash
Ura e Re e Vashës, siç thamë më sipër ndodhte 200 m posht të vjetrës, lidh dy pjesë shkëmbore 152 m mbi lumë, duke qenë kështu ura më e lartë në rajonin e Ballkanit
Ura e Re e Vashës ka marrë formë të plotë me bashkimin e shpateve të malit. Në dy anët e saj gjenden tunele. Ka gjashtë harqe, është 316 metra e gjatë.
Sa del nga ëndrra e një tuneli, zgjohesh për pak çaste mes një hapësire të ndritshme qiellore, që është ura, për t’u futur përsëri në tunelin tjetër, në ëndrrën e ndërprerë.