E L A
Sefedin Çela
Kam njohur Lefterin, Andonin, të gjithë vëllezërit Nano.
Rasti e solli të punoj për pesë vjet rresht me Elën në rregullatorin e mediave elektronike.
Ela ishte inxhiniere, merrej me spektrin e frekuencave. Teknikisht, do të thotë se ajo kontrollonte cilësinë e sinjalit, figurë e zë, që lëshonte çdo transmetues në efir.
Nuk është kaq e thjeshtë, nëse një transmetues është me fuqi më të madhe se ajo e caktuar në licencë , atëhere prish sinjalin e transmetuesit fqinj, qëllimisht ose jo dëmton operatorin tjetër të licencuar, pra konkuron në mënyrë të pandershme!
Ela ishte personi i duhur, etalon i njeriut të ndershëm, me të nuk kishte tërci vërci, ajo bënte bashkë në një integritetin profesional e moral.
Pra, rasti e solli që njeriu i duhur të ishte në kohën e vendin e duhur, se ajo ishte edhe inxhiniere e shpirtit njerëzor , në njëfarë mënyre , si në elektrokardiogramë, ajo maste frekuencën e kurbën e zemrës së tjetrit.
Në këtë botë të zvetënuar ajo të jepte besim se gjithçka ishte e mundur të bëje e t’ia dilje,
Nuk kam parë grua njeri si ajo, që dukej sikur fshihej, jo për t’u bërë bisht punëve, po se nuk donte të binte në sy, nuk tundej e shkundej, nuk ngrinte zërin, nuk ankohej, skuqej po t’i thoshe një fjalë të mirë , nuk thoshte kurrë fjalën e keqe për tjetrin.
Luan Rama, që nga fëmijëria e ka patur shoqe – motër më të madhe, tregon se ajo kështu ka qënë që e vogël, që e donin të gjithë e i donte të gjithë, duke parë modelin e njeriut që do të jesh në jetë.
E them me bindje se e tillë ishte edhe e rritur.
Si i thonë, të ka marrë fati me të mirë t’i kesh njerëz të tillë në lagje, në punë, aq më tepër njerëz të dashur të familjes!
Dhe ja, Ela paska ikur nga kjo botë. Flutur ishte e iku si flutur.
E njoh një ikje të tillë e dhimbjen që lë pas.
Ngushëllime të sinqerta Lefterit e fëmijëve, njeriu del që është më i fortë se guri!
Kurajo!
Kujtimi i saj i paharruar!
9 gusht 2023