
Edhe njëherë për figurën atdhetare, patriotike (jonacionaliste) të dr. Xhafer Sylejmanit (1887 – 1953) nga Skrapari
Viktor Bakillari
Të dashur miq,
Në datën 3 gusht, portali “Orakuj të Tomorrit” publikoi një shkrimin tim me titullin redaksional “Dr. Xhafer Sylejmani nga Sevrani, figurë e madhe atdhetare e patriotike, por që, fatkeqësisht, njihet pak ose aspak te ne” , me titull origjinal të vendosur prej meje:
PËR SKRAPARASIT
- XHAFER SYLEJMANI
(14 mars 1879 (Sevran / Skrapar) – 17 nëntor 1953 (Tetovë)
– FIGURË E MADHE ATDHETARE E PATRIOTIKE NGA SKRAPARI
publikuar në datën 23 korrik 2024 te faqja ime e fejsbukut.
Shkrimi te portali, u mirëprit, por edhe u keqprit.
Keqpritja, më detyron të reagoj brenda etikës dhe deontologjisë, edhe pse për mua është harxhim i madh kohe.
Shkrimi, i cili ngjalli polemika, replika, edhe jashtë etikës, gjendet, siç thamë, për ata që nuk dinë gjë, edhe te faqja ime e fejsbukut, edhe te portali “Orakuj të Tomorrit”.
Megjithatë, pa humbur kohë, po filloj
Kur të del e keqja përpara, duhet të përballesh me të.
Kjo gjë po ndodh kësaj radhe edhe me disa zëra gjinkallorë që të prishin qetësinë.
Miq,
Mua më pëlqen myku, po te djathi (djathë me myk), jo te mendjet e ndryshkura dhe të mykura të njerëzve.
Ore, mua më pëlqen tallashi, po kur këtë e shndërrojnë teknologjikisht në dërrasë, e cila vlen, jo tallashi që shërben për të mbushur qypin e njerëzve.
Para pak ditësh, m’u desh të evidentoja një figurë madhore shqiptare (pa kontribut të drejtpërdrejt për Skraparin, por me kontribute madhore në atdhetarizmin shqiptar të gjysmës së parë të shekullit që lamë, të quajtur Xhafer Sylejmani nga Sevrani i Skraparit.
Nuk mëtoj të jem “zbulonjësi” i kësaj figure, se ka me dhjetëra shkrime për të por, të jem i sinqertë, nuk kisha dëgjuar më parë dhe, kur u njoha me veprimtarinë e tij humane dhe patriotike (jo nacionaliste!) më bëri shumë përshtypje.
Doktor i parë me diplome orientale dhe oksidentale (stambolliane dhe parisiane) njëherazi, kryetari i parë shqiptar i bashkisë së Tetovës, humanist dhe mjek nammirë në Pollog, mbrojtës i kauzës shqiptare, mjaft që të njiheni me librin e z. Gjet Ndoj Tarazhi, ish-drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit “QEVERISJA E SHQIPËRISË GJATË LUFTËS II BOTËRORE 1939-1944”, libër i cili jep materiale arkivore për dr. Xhafer Sylejmanin dhe të birin Aliun, duke i quajtur “dy personalitete të spikatura”.
Në shkrimin para këtij të sotmit, unë thjesht u kam bërë një grishje opinionit publik dhe autoriteteve, kryesisht atyre vendore, që të hulumtojnë rreth kësaj figure, nëse ka vlera njohëse dhe të mirëfillta patriotike apo jo; në të kundërt, të lihet siç është, nëse po, atëherë, administrata që mezi lëviz nga vendi, të lëvizë vendit dhe t’i jepet dr. Sylejmanit vendi që meriton.
Të studiohet kjo figurë në gjithë kompleksitetin e saj të nxirren në dritë anët pozitive dhe negative (nëse ka), por jo të lihet në harresë.
Mua nuk më duket ngjarje rutinë që dikush nga Skrapari të arrijë të bëhet deputet, senator, kryetar bashkie në një vend tjetër vërtet etnikisht shpiptar, por administrativisht nën shtete të tjera (osmane, jugosllave, italo-gjermano-shqiptare, maqedonase).
Pra, një figurë e tillë, ia vlen të studiohet, por jo të vlerësohet; nëse e meriton, përse jo?
Kaq u desh që të kreshpëroheshin e të nxirrnin gëthapët disa komentues dhe të kaptonin nga tema në temë duke u shkëputur edhe nga tema që trajtonte ky shkrim dhe të villnin vrer pa arsye objektive jo vetëm kundër dr. Sylejmanit, por edhe kundër disa figurave skraparase, ku krejt të ndriçuara e ku ende të pandriçuara.
Përse duhet njohur e vlerësuar dr. Sylejmani, kur ai nuk ka asnjë kontribut për Skraparin, – pyesnin.
Fare e thjeshtë, ja përse:
Miq,
Mund të japësh kontribut për të tërën (Shqipërinë) dhe ia ndrit faqen edhe pjesës (Skraparit), mund të japësh kontribut edhe për pjesën (Skraparin) dhe të nderohesh edhe nga e plota (Shqipëria).
Rasti i dr. Sylejmanit është i dorës së parë.
Sot në kohën e Internetit mund të mbledhësh materiale pafund (edhe të besueshme), kur paraqiten faksimile, fotografi të paretushuara e dokumente arkivore origjinale, muzeore pastaj, lidhjet dhe interpretimin mund ta bësh vetë.
I tillë ka qenë edhe rasti im.
Unë nuk kam ndërmarrë ndonjë ekspeditë arkivore, por kam konsultuar e parë disa të dhëna hamendësisht të besueshme për dr. Xhafer Sylejmanin (Sevranin-Skraparin) nga Muzeu Virtual i Tetovës, i cili, për të mirë të së vërtetës mban gjallë frymën kombëtare të shqiptarëve në Tetovë; njëherazi u jam referuar edhe disa shkrimeve të zërave autoritarë, mes të cilëve mund të citoj z. Agon Memedi, njërit prej pinjollëve të dr. Sylejmanit, materiale që m’u taksin damkën e rëndë “plagjiaturë”.
Të tregosh burimin e diçkaje e të quhet plagjiaturë, këtë vetëm ata që nuk kanë idenë e një punimi shkrimor mund ta etiketojnë të tillë.
Që të bësh një shkrim të kësaj natyre, o duhet të jesh fantazist, o të jesh fallxhor, o t’u referohesh disa të tjerëve, dhe unë këtë të fundit e kam bërë me ndershmëri.
Miq,
Duan apo nuk duan ca njësha pas presjes dhjetore, dr. Sylejmani ka qenë kreu i administratës së Tetovës në shërbim të politikave dhe të çështjes kombëtare të trojeve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Duhet të kuptojmë një gjë.
Nga viti 1939-1944 Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe (më pas) nga Gjermania.
Këto dy vende pushtuese, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë (shqiptare) praktikisht i njësuan.
Për Kosovën dhe për Maqedoninë u ngjiz termi “toka të lirueme” (prej sllavëve), kështu që administrata në këtë vende nuk varej nga serbët e maqedonasit (për Kosovën dhe viset shqiptare në Maqedoni), por nga Tirana. Prandaj edhe ministër arsimi gjatë këtyre viteve edhe në këto vende njihet Ernest Koliqi dhe të tjerë me radhë (Xhevat Korça, Rexhep Krasniqi, Zef Benusi, Koçu Muka, Rrok Kolaj deri në tetor 1944).
Të metat nuk ka mbetur studiues seriozë pa ua vënë në pah Ernest Koliqit, Mustafa Merlikës -Krujës, Mithat Frashërit etj.
Konkretisht, rajoni i Tetovës gjatë këtyre viteve administrativisht ishte nën Shqipërinë, nën Tiranën dhe dr. Sylejmani, urdhrat dhe varësinë institucionale e kishte nga Tirana.
Prandaj edhe dr. Sylejmani i lutet Tiranës zyrtare që ajo të dërgojë sa më shumë arsimtarë për nxënësit shqiptarë në Tetovë, në rajonin e Pollogut.
Dr. Sylejmani shërbente si autoriteti më i madh në Tetovë, dhe këtë autoritet ia njihte edhe Kryegjyshata Bektashiane me qendër në Tiranë, e cila i lutej që të tregonte kujdes për komunitetin e shëndoshë bektashi në Tetovë.
Në një letër që Kryegjyshi Botëror i kohës, Sali Niazi Dede, i drejtohet dr. Sylejmanit:
“Biri t’onë i ndershëm Z. Doktor!
[…] Doktor, sot ka ardhë koha për të shpëtuar ay Dergjahu i ynë; aty zotrote me gjith ato dashamirtë të keni një masbata me firma të popullit të kërkoni nji Baba për në Teqen e Tetovës. Prej ktej Kryegjyshatës Bektashiane. [..]”
“Me këtë letër Sali Niazi Dede kërkon mbështetjen popullore dhe institucionale nga Dr. Xhafer Sylejmani për ripërtrijen e veprimtarisë kulturore-fetare në Teqen Harabati në Tetovë. Fill pas kësaj, pasi ndërmerren hapat e nevojshme, si klerik në Teqen e Tetovës emërohet Baba Qazim Bakalli, dhe teqeja rinis aktivitetin e saj.”
(Të dhënat e mësipërme i kemi vjelë nga Agon Memedi”
Që të mos perifrazoj z. Agon Memedi, sepse shqipja e tij është e rregullt, po risjell një pjesë nga një shkrim i tij lidhur me veprimtarinë patriotike të dr. Sylejmanit “Me rastin e 70 vjetorit të ndarjes nga jeta të Dr. Xhafer Sylejmanit (1887 – 1953), mjekut të parë të diplomuar dhe kryebashkiakut të parë shqiptar në Tetovë.”
***
“Akitiviteti kombëtar-politik i Dr. Xhafer Sylejmanit kulmon në korrik 1943, kur organizon pritje madhështore me rastin e vizitës së krerëve të shtetit shqiptar dhe Mëkëmbësit të Përgjithshëm të mbretit, Gjeneralit Alberto Pariani, në Tetovë.
Në atë kohë Mëkëmbësia e Përgjithshme (italisht: Luogotenenza Generale) ishte organi më i lartë i administratës në Shqipëri; Në këtë vizitë mëkëmbësin Pariani e shoqëronin Kryeministri i Shqipërise Mustafa Kruja, Ministër Sekretar Shteti i Punëve Botërore Iljaz Agushi, Ministër sekretar shteti për Arsimin Ernest Koliqi dhe të tjerë.
Vizita e këtij niveli paraqiste një gëzim të veçantë për popullatën vendase. Krerët e shtetit u pritën me nderimet më të larta, me ç’rast shumë qytetarë nga Tetova dhe komunat përreth dolën në pritje për të shprehur nderimet e tyre. Me rastin e kësaj vizite, anëtarët e delegacionit shtetëror dhe Dr. Xhafer Sylejmani mbajtën fjalime. Më pas ky aktivitet do të citohet si një ndër arsyet kryesore për burgosjen e Dr. Xhafer Sylejmanit nga pushteti Komunist Jugosllav.
Mandati i Dr. Xhafer Sylejmanit si Kryetar i bashkisë së Tetovës përfundon në 24 nëntor 1943, kur në moshën 65 vjeçare pensionohet nga jeta politike dhe udhëheqjen e bashkisë së Tetovës ia dorëzon Avokatit Shaip Kamberi. Shaip Kamberi do të qëndrojë në krye të bashkisë së Tetovës deri në 19 nëntor 1944, kur pas fitores së Partizanëve mbi Ballistët Tetova bëhet qyteti i fundit në Maqedoni që bije nën pushtetin Komunist Jugosllav.
Menjëherë pas vendosjes së regjimit Komunist në Tetovë, fillon burgosja, vrasja, dëbimi dhe konfiskimi i pronave të shqiptarëve. Fillimisht, Dr. Xhafer Sylejmanit i shqiptohet dënim me kusht (1 vjet në 3 muaj) nga Gjykata Ushtarake në Zonën e Tetovës. Më pas, me urdhër të Komandës së Zonës së Tetovës ai mobilizohet si mjek në periudhën prej 21 nëntor 1944 deri 22 qershor 1945. (Burimi A. Memedi)
Në komente apatike dhe me gjuhë të drunjtë, disa nga komentuesit u mëshonin faktit se unë paskësha shkruar vetëm për anët pozitive, duke anashkaluar anët negative të dr. Sylejmanit, se ai qenkësh dënuar me 6 vjet burg.
(Edhe këtë fakt e kam dhënë (ri)lexojeni. E kam shkruar që është dënuar me 6 vjet burg. Po si thoni, a mund të trajtohet gjithçka brenda një shkrimi?)
Pastaj, të flasësh gjerë e gjatë për burgun e dikujt, plagë e pambyllshme edhe për brezat, nuk është gjë e lehtë kur të mungojnë dokumentet ose dosja gjyqësore për ta shqyrtuar e për të nxjerrë përfundime lidhur me ligjshmërinë e gjykimit e të dënimit.
Në mungesë të dokumenteve, po ia lë sërish fjalën z. Agon Memedi, i cili për këtë çështje shkruan:
“ Persekutimi i tij fillon në shkurt 1946. Kur mes 11 dhe 14 shkurt 1946 i bastiset shtëpia. Ndërsa në 15 shkurt 1946, në moshën 67 vjeçare, gjyqi komunist e dënon Dr. Xhafer Sylejmanin me 6 vite heqje lirie dhe 2 vite humbje të të drejtave qytetare dhe politike. Dënimin me burg do ta kryej në burgun e Idrizovës.
Në aktgjykimin e tij si arsye kryesore për dënim përmendet “bashkëpunimi i ngusht me krerët е qeverisë së Shqipërisë dhe roli i tij si faktor kyç” në zbatimin e politikave të qeverisë shqiptare në Tetovë. Ai akuzohet për “kryerjen e veprës kundër shtetit dhe popullit”, pasi që “ka vendosur autoritetin e tij si ish-deputet dhe senator në shërbim të okupatorit”. (A. Memedi)
Nga kaq, mund të nxjerrim si përfundim lidhur me dënimin e tij se ai është dënuar se ka “zbatuar politikat e qeverisë shqiptare në Tetovë” dhe për “kryerjen e veprës kundër shtetit dhe popullit”.
A do të guxonte studiuesi me autoritet të besueshëm Gjet Ndoj ish-drejtor i Arkivit të shkruante pozitivisht për këtë figurë të madhe shqiptare, nëse arkivat nuk do të flisnin pozitivisht për të dhe të birin e tij?
A do të guxonte një hipokratist (ithtar dhe ushtrues i profesionit të Hipokratit, një doktor të punonte kryente veprimtari kundër popullit?
Po regjimi i ardhur në fuqi në Jugosllavi pas 1944, sigurisht që do të sajonte vjega (sebepe) për ta kllaposur e dënuar, dhe këta komentonjësit e këtejshëm ia mbajnë për të drejtë se e ka dënuar shteti jugosllav i kohës.
Unë mendoj se dënimi prej atij shteti rrit prestigjin dhe autoritetin e kësaj figure, pra i bën nder në kohët e sotme lartësimit të gjithanshëm të kësaj figure.
Disa komentues të tjerë janë fluturakë fare; nuk e kanë idenë se çfarë do të thonë termat “nacionalizëm” dhe “patriotizëm”.
Protagonisti ynë, dr. Sylejmani ka qenë patriot, jo nacionalist.
Pastaj, ç’shtë mor gjithë ky mllef, gjithë kjo energji negative që çlirohet ndaj disa figurave shqiptare?
Nëse dikush bëhet nismëtar për ndriçimin e një figure, puna e tij me kaq mund të quhet edhe e përfunduar.
Nëse ai do të arrinte të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve, puna e tij quhet e mbyllur.
Autoritetet vlerësuese, në bazë të dokumenteve arkivore dhe historike le të bëjnë vlerësimin ose zhvlerësimin e tij.
Ç’është, mor kështu, dalin disa komentonjës dhe u sulen disa njerëzve me integritet të mirëpërcaktuar në skraparësinë e tyre dhe në mbrojtjen e vlerave dhe të trashëgimisë skraparase, dalin dhe pa asnjë bazë shfryjnë e shprehin duf të paarsyeshëm kundër zotërinjve. H.B., H.N., T.L., GJ.Q., Z.H, B.Q., znj. A.M-D. , portalit O. t. T, etj. (shih komentet te shkrimi i parë për dr. Sylejmanin) duke reaguar si t’i kishin kundërshtarë, në mos më keq, armiq!
Ç’është mor kjo kështu që disa e shikojnë Atdheun me përmasat e fushës së futbollit të 5 Shtatorit?
Gota e disave kurrë nuk është gjysmë plot; ajo për ta është gjysmëboshe.
Pa pasur asnjë dokument, pa pasur asnjë referencë të besueshme që flet për të metat ose negativitetin e figurës se protagonistit në fjalë, ata vjellin lëng zvarraniku.
Është e trishtë; po, po, për Baba Tomor, është trishtuese, në mos pikëlluese, kur vëren që disa hiqen si skrapardashës, a thua se u digjet zemra për Skraparin, por ende pa u gërvishtur kallajin vetofrohen si krahmbajtës të errësirës dhe mohues të vlerave të tij.
Me kaq po e mbyll, se nuk kam kohë të humbas me ta.
A bon entendeur, salut! – thotë frëngu, çka në shqipe do të ishte pak a shumë: Kush ka sy, le të shikojë, kush ka veshë, le të dëgjojë, kush ka mendje, le të kuptojë!